Rama- Berisha përplasen për autonominë e pushtetit vendor
Emanuela Sako
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha se po abuzon me fondet e pushtetit vendor, për të mbushur buxhetin e shtetit. Rama i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha të mos ndërhyjë në autonominë e pushtetit vendor, nëpërmjet ndryshimeve që kërkon të bëjë në taksat vendore. “Përfitoj nga rasti t’i bëj një paralajmërim Kryeministrit, që sulmin e pandalshëm ndaj financave lokale, ta ndalë, sepse do të ndeshet me një rezistencë dhe me një refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër të një jete shoqërore në Shqipëri që është në krizë të gjithanshme, në krizë demokratike, në krizë të shtetit të së drejtës, në krizë ekonomike. Është e patolerueshme që ky njeri i papërgjegjshëm, të zhbëjë atë që është ndërtuar gjithë këto vite, si autonomi vendore dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe të qyteteve të vendit, për të mbushur atë që nuk mbushet dot më, gropën e zezë të buxhetit të shtetit”,- theksoi Rama.
Akuzat
Sipas tij, kryeministri është përgjegjës për pengesat në punën e kryer nga Bashkia e Tiranës. Prandaj, ai kërkon sprapsjen e kryeministrit nga problemet që po i shkakton pushtetit vendor.
Dy ditë më parë në Parlament u diskutuan ndryshimet në buxhet për vitin 2009. Ndërkohë që, këto ndryshime kanë të bëjnë dhe me disa taksa vendore në infrastrukturë. Kreu i Bashkisë e bëri deklaratën e tij gjatë inspektimit të punimeve që po bëhen në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, për rehabilitimin e rrugëve të tij. Rama u shpreh gjithashtu në lidhje me ecurinë e projektit për rehabilitimin e Parkut të Madh të Liqenit, ku theksoi se puna po ecën me shpejtësi dhe cilësi, si dhe premtoi se të tjerë komponentë do t’i shtohen këtij Parku.
Projekti
Kryetari i Bashkisë zbuloi disa detaje të reja për rikonstruksionin e Parkut. Sipas tij, rruga e parë është shëtitorja që nis nga diga dhe shkon paralel me bregun e Liqenit. Ajo ka një gjatësi të konsiderueshme prej 1600 metra linearë dhe është menduar që edhe pas rikonstruksionit, kjo rrugë të kryejë paralelisht dy funksionet e saj të mëparshme, duke shërbyer kryesisht si shëtitore, por edhe si pistë vrapimi ose për aktivitete të tjera me karakter sportiv. Punimet në këtë rrugë janë drejt përfundimit. Rruga e dytë ku është ndërhyrë kalon pranë Kishës tek Liqeni dhe përfundon me rrugën tek “Tre Vëllezërit Frashri”. Rruga ka një gjatësi prej 1056 metra linearë. Rruga e menduar që të ketë një gjerësi shtrati me 4 metra dhe është shoqëruar me disa sheshe urbane të pajisura me ndriçues, stola dhe kosha, pra të gjithë elementet urbanë të nevojshëm. Edhe në këtë rrugë, punimet janë drejt përfundimit. Pjesë e rëndësishme e projektit për rehabilitimin e Parkut të Madh të Liqenit është edhe shtimi i sipërfaqes së gjelbër ose rinatyralizimi i tij, duke mbjellë fidanë të rinj. Për këtë arsye, në një sipërfaqe të konsiderueshme prej 7 135 m2 është realizuar mbjellja e rreth 2600 rrënjë të reja pemësh, prej
Gjelbërimi i Parkut të Liqenit
Sipërfaqe e gjelbër 7 135 m2
Numri 2600 rrënjë të reja pemësh
Lloji
Pemë Manjolë 250 copë
Pemë Prunus Dulcis 250 copë
Pemë Mimoze 1800 copë
Pemë Pishe 300 copë
30 Shtator 2009