Afatet përfundimtare të pagesës së taksave të bizneseve të vogla
Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur datat për pagesën e detyrimeve vendore, që kanë të bëjnë me detyrimet e bizneseve të vogla. Bashkia ka deklaruar se afati i fundit i shlyerjes së këtyre pagesave do të jetë 20 prilli për pagesën e këstit të parë, 30 qershori për pagesën e këstit të dytë dhe 20 tetori për këstin e tretë. Ndaj atyre që nuk tregojnë korrektësi në datat e caktuara do të merren masa penalizuese nga Bashkia e Tiranës. Bashkia ka detajuar mënyrën e shlyerjes së detyrimeve vendore dhe ka njohur qytetarët për mënyrat e procedimit në disa raste. Kështu, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore ka njoftuar se në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor për shkak të mungesës së adresës ose adresës së gabuar, qytetarët janë të detyruar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, duke filluar që nga data 10 prill e këtij viti. Për të shtyrë bizneset të paguajnë në kohën e caktuar, Bashkia ka vendosur përfitime për ata që zbatojnë datat. Në rast se taksat paguhen brenda afatit të caktuar, biznesi përfiton 10% ulje të detyrimit fiskal. Në rast të kundërt gjobitet me vlerën 25% të vlerës së taksës.
Sanksionet në rastet e mosrespektimit të afateve për të gjitha kategoritë
Bizneset që nuk do të tregohen korrekt me shlyerjen e detyrimeve do të jenë të detyruar të paguajnë më tepër se më parë. Kjo, sepse vlera e parave shtohet në masën 25 për qind të detyrimit të papaguar në afat. Të gjithë pronarëve të bizneseve të mëdha apo të vogla u bie shumë më shtrenjtë në rast se nuk tregohen korrektë me rregullat ligjore të Bashkisë. Nëse një biznes i madh, i vogël, apo edhe bizneset familjare, i paguajnë taksat para afatit të përcaktuar, do të përfitojnë deri në 10 për qind ulje të vlerës së totalit të taksave dhe tarifave vendore. Bashkia e Tiranës ka marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë neglizhuar rregulloren, ku numri i bizneseve nuk ka qenë i paktë. Ndërsa masat për familjarët nuk kanë të bëjnë me shuma parash, por atyre nuk u ofrohet shërbimi në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve.
Procedurat që ndiqen në rastet kur nuk paguhen taksat
Në disa raste, bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen Bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Kështu, etapat janë këto: Njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë): Urdhër bllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat): Bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë Bashkia është sekuestrimi i pasurisë si hap i fundit ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.
30 Shtator 2009