PS dhe policia: Patentat me pikë, siguracion ekstra kush bën aksidente
Partia Socialiste kërkon ndryshimin e patentave shqiptare duke i konvertuar ato në leje drejtimi me pikë. Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, nëpërmjet Eduard Shalsit kanë kërkuar që patentat shqiptare të përshtaten me pikë, çka sipas tyre do të ndihmojë edhe në dënimin e shkelësve të rregullave të qarkullit rrugor. Sipas të majtëve, punonjësit e policisë nëse konstatojnë drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat, përveç masës administrative me gjobë, mund ti hiqen edhe pikët. Nëse një drejtues do të përsëriste shkeljet duke i penalizuar vazhdimisht me heqjen e pikëve nga patenta, do të rrezikonte që të mos drejtonte më automjetin.
Por pavarësisht kërkesave të opozitës, Ministria e Transporteve e cilëson të parakohshëm dhe të pa aplikueshëm në vendin tonë. Futja e sistemit të pikëzimit kërkon rishikimin dhe rivlerësimin e të gjitha neneve që parashikojnë masa plotësuese, përveç masës administrative, pasi shtohet masa plotësuese me heqje pikësh dhe në përfundim të humbjes së pikëve shtohet masa për provim kualifikimi teknik, thuhet në përgjigjjen që Ministria e Transporteve. Kjo ministria ka depozituar në Kuvend një draft se si mund të ishte pikëzimi i lejes së drejtimit. Ndryshimi propozon që me aktin e dhënies së lejes së drejtimit, të jepet gjithashtu një sasi prej njëzet pikësh për çdo drejtues mjeti. Në rasti kur konstatohen njëkohësisht më shumë shkelje të normave të sjelljes mund të zbriten maksimumi deri në 15 pikë. Dispozitat nuk aplikohen në rastet në të cilat është parashikuar pezullimi ose heqje e lejes së drejtimit.
Për të rritur kujdesin e drejtuesve të mjeteve, ekspertët e ministrisë kanë sugjeruar se në rast të miratimit nga Kuvendi të propozimit të PS-së, të favorizohen drejtuesit e rregullt. Mungesa për një periudhë prej dy vjetësh e shkeljes të një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, përcakton dhënien e kompletit të plotë të pikëve fillestare prej njëzet pikësh, propozon MPPT. Ndërsa për drejtuesit model, pra për të gjithë ata që kanë njëzet pikë, ekspertët kanë parashikuar dhënien e dy ose maksimumi dhjetë pikë shtesë. Por pikëzimi i patentave nuk është propozimi i vetëm që ligjvënësit kërkojnë të bëjnë në Kodin Rrugor. Sjellja e rrezikshme e motorëve të vegjël në rrugët e qyteteve, ka sjellë shqetësimin për këto mjete motorike. Aktualisht këto mjete për shkak të fuqisë së vogël motorike nuk kanë pasur dokumente të rregullta duke e bërë të pamundur evidentimin e drejtuesit në rast të aksidenteve. Ministria e Transporteve kërkon edhe saktësim më të madh të dhënies së lejes së drejtimit të drejtuesve të motorëve të vegjël, siç janë shpërndarësit e picave të cilët, të paktën në kryeqytet, janë kthyer në tmerrin e shoferëve.
Kodi Rrugor, peng i Veprimtarisë Prodhuese
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese ka dështuar gjashtë herë për miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor. Deputeti Eduard Shalsi nuk është paraqitur në këtë komision për të dhënë pëlqimin e tij për propozimet, pavarësisht se zyrtarisht grupi parlamentar socialist është shprehur pro votimit të Kodeve, të cilat kërkojnë 84 vota. Mungesa e vazhdueshme e deputetit Shalsi, i cili është i mandatuar për ndryshimet në Kodin Rrugor, ka ngjallur dyshime te mazhoranca. Madje kryetari i Komisionit Jemin Gjana e ka cilësuar mungesën e opozitës, si qëndrim grupi për të penguar votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Kodi Rrugor ka kaluar te të gjitha Komisionet e përhershme duke mbetur peng vetëm i komisionit të Veprimtarisë prodhuese. Shalsi ka depozituar me shkrim kërkesat e tij, por nuk ka shkuar në seancat e tjera.
Sot, para seancës plenare, pritet që të merret edhe një vendim nga dy grupet parlamentare për të zgjidhur ngërçin e krijuar. Burime nga Kuvendi lanë të hapur mundësinë e rimbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për të marrë një qëndrim përfundimtar.
Patentat e reja, zbardhet përmbajtja e kursit shtesë
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Transporteve, i cili hyn në fuqi më datë 8 dhjetor detyron të gjithë personat që kanë një patentë ndryshe nga klasi B që të kryejnë kurse shtesë dhe në fund do të pajisen me një certifikatë të aftësisë profesionale. Për ata që kanë patentën e vjetër, certifikata do të jepet automatikisht, ndërsa ata që duan një patentë të re do të duhet të bëjnë kursin shtesë.
Udhëzimi i ministrisë ka përcaktuar edhe procedurat e sakta të kursit duke sanksionuar se do të zhvillohen 70 orë mësimore, 60 orë në teori dhe 10 orë në praktikë. Pjesa kryesore e orëve mësimore teorike do të fokusohet tek tabelat ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së. Më pas do të punohet gjerësisht me Kodin Rrugor shqiptar. Pjesa e fundit i është kushtuar minimizimit të karburantit që harxhon një shofer si dhe rehatisë së pasagjerëve. Aftësia për të siguruar rehatinë dhe sigurinë e pasagjerit: përshtatja e lëvizjeve gjatësore dhe anësore, ndarja e rrugës, pozicioni në rrugë, frenimi i butë, duke përdorur infrastruktura të veçanta (zonat publike, korsitë e dedikuara), menaxhimi i konflikteve mes drejtimit të mjetit në mënyrë të sigurt dhe roleve të tjera si një drejtues mjeti, duke ndërvepruar me pasagjerët, veçoritë e grupeve të caktuara të pasagjerëve (persona me aftësi të kufizuar, fëmijë),- është një pjesë e trajnimit shtesë. Programi praktik përbëhet nga 10 orë dhe është i fokusuar tek ngarkesat e mjetit dhe tek pasagjerët.
Drafti i policisë, si do ndryshojnë siguracionet e makinave
Policia e Shtetit ka planifikuar një ndryshim rrënjësor në lidhje me siguracionet e detyrueshme të makinave. Sistemi i ri, i cili është ende në fazë drafti, parashikon vendosen e siguracioneve progresive për shoferët me probleme dhe tarifa të ulëta për shoferët e rregullt. Shefi i Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues Shkëlzen Alia shpjegon nevojën e draftit duke thënë se sistemi aktual është primitiv dhe i ndërtuar për të mos qenë në funksion real të sigurimit.
Aliaj hedh idenë e një sistemi të ndryshëm bazuar në rritjen e pagesës për çdo drejtues mjeti që shkakton aksidente apo karambole në rrugë dhe që është në mënyrë të vazhdueshme me precedentë të rrezikshëm dhe i ndëshkuar në mënyrë të vazhdueshme nga punonjësit e policisë rrugore për shkelje të ndryshme në rrugë. Po kështu Alia, hedh edhe për ndryshime të tjera në këtë drejtim me qëllim uljen e numrit të të dëmtuarve në rrugë dhe rritjen e sigurisë rrugore në vend.
Një shembull konkret është rasti kur një mjet vlen 50 mijë euro dhe primi i sigurimit për të varion nga tetë deri në gjashtë mijë lekë të reja në vit. Sipas policisë, ky siguracion nuk është real dhe bëhet vetëm për të kaluar radhën. Politika aktuale e sigurimit të mjeteve motorike, është politikë jo në funksion të sigurimit të mjeteve motorike dhe rrjedhimisht edhe për qytetarët. Mjetet, drejtuesit e të cilëve janë precedentë për ngjarje të rënda rrugore, nuk duhet të kenë tarifa të njëjta pagesash për primet e sigurimit me mjete apo drejtues apo pronar mjetesh, që janë shumë të rregullt në zbatimin e rregullave të qarkullimit në trafik,- thotë Alia.
Sipas tij në mënyrë të veçantë tarifat e sigurimeve duhet të jenë më të mëdha, për ata drejtues mjetesh që shkaktojnë incidente me pasoja të rënda materiale e për më tepër në njerëz. Drejtuesi i lartë i Policisë Rrugore, në vend hedh idenë se duhet të ketë veç kësaj edhe një mënyrë të përshkallëzimit të primeve të sigurimit bazuar në disa standarde. Këto sipas tij nisin me natyrën dhe në bazë të shkeljeve të shkaktuara nga drejtuesi i një mjeti të caktuar, si dhe në
