Blloku komunist është operativ, opozita kërkon rikompozimin e KQZ-së, me propozimet personale të Edvinit
Reforma zgjedhore, reagon kryeministri: “Pranojmë rekomandimet e ODIHR, Rama kërkon të delegjitimojë shumicën”
Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij më mbledhje ka përgëzuar punën e komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa është shprehur se ODIHR kërkon siguri maksimale në zgjedhje. Ai ka akuzuar opozitën se ka bllokuar punën e këtij komisioni përsa i përket kërkesës së opozitës që kandidaturat për kreun e KQZ-së t’i zgjedhë Avokati i Popullit dhe e ka quajtur qesharak këtë propozim. “Ne i pranuam idetë e tyre, ndërsa tani, natyrisht, pranojmë rekomandimet e ODIHR-it, sepse jemi zotuar se do të pranojmë rekomandimet e ODIHR-it për zgjidhjen e problematikës për zgjedhjet. Në një vendim të drejtë e të arsyeshëm, ne vendosëm që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita dhe kemi vepruar shumë drejtë. Si avokat i të drejtave të qytetarëve, më mirë të jetë prurje nga opozita, sesa nga qeveria. Mirëpo, zoti Rama tani thotë që kandidaturat për kryetar të KQZ-së t’i propozojë Avokati i Popullit, të cilin e zgjodhi me një konkurs 15 ditor në selinë e PS-së, nuk e bëri as në parlament, këtë konkurs. Natyrisht që kjo është një gjë qesharake, në kuptimin absolut të fjalës. Gjërat, të cilat kërkojnë me çdo kusht të delegjitimojnë shumicën, janë absurde. Siç është dhe çështja tjetër, pikërisht ajo që kemi hequr bashkërisht me konsensus të plotë, pra, që Kryetarin e KQZ-së ta propozojë Presidenti. Absolutisht, as njëra e as tjetra nuk do të pranoheshin. Së pari, Avokati i Popullit është avokat i të drejtave të qytetarëve, të cilin e respektojmë e do ta respektojmë, por nuk e ndërtuam këtë institucion që të emërojë kryetarin e KQZ-së. Kjo vetëm sa e rëndon këtë institucion dhe e politizon në mënyrën më të pa merituar. Vërtetë, ai ishte një prurje politike, por ai duhet të vazhdojë detyrat e tij shumë të rëndësishme për qytetarët” - u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, Rama hodhi në treg propozimin absurd se Avokati i Popullit mund të emërojë kryetarin e KQZ, thjesht e vetëm që të mos arrihet konsensusi i reformës zgjedhore. “Na nxori idenë e zgjedhjet së kryetarit të KQZ-së nga Avokati i Popullit, ndoshta vetëm e vetëm që nesër të mos thuhet në këtë mbledhje se u kompletua reforma zgjedhore. Pra, “Blloku” është operativ në tërë praktikën dhe psikologjinë e tij. Kjo, të dashur qytetarë, është psikologjia e neo-bllokmenëve, e atyre që përdorin atë copëz pushtet, për të bllokuar Kuvendin. E kemi hequr “bllokun” nga zemra e Tiranës dhe është transferuar në selinë e PS-së, me të gjithë dhelpëritë, bizantinizmat e veta. Pasi të dalësh sot e të bllokosh procesin vetëm një ditë para mbledhjes në Bruksel, një mbledhje shumë e rëndësishme, ku në të merr pjesë edhe ministri danez për Europën, vend që kryeson BE-në, nuk është rruga e duhur. Jam i sigurt që të gjithë në atë mbledhje do të donin të përshëndesnin nesër (sot), finalizimin e reformës zgjedhore, ashtu siç përshëndetën edhe votimin e Gjykatës Administrative”. Berisha theksoi se mazhoranca është e vendosur të pranojë të gjitha amendamentet e OSBE/ODIHR-it. “Në këtë reformë, opozita propozoi amendimet për të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it dhe mazhoranca i pranoi, pavarësisht se ODIHR vetë nuk i pranoi dhe ne jemi të detyruar të pranojmë atë që thotë ODIHR-i, pasi ky institucion është “gardian” i standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve. ODIHR ka të gjithë njohuritë dhe praktikën e zgjedhjeve dhe të doktrinës elektorale dhe natyrisht, ai bën rekomandime që përputhen me standardet”.
Lidhur me votimin elektronik, Berisha tha se përshtatja e teknologjisë do kohë të mjaftueshme. “Ata kërkuan me insistim instalimin e teknologjive në zgjedhje. Por p.sh në një rast, në një klimë qartësisht shumë më të freskët se Shqipëria, doli që numërimi pati probleme serioze. Pati dy probleme në Londër, mbingarkesë dhe bllokim i makinave dhe 2 ndërprerje e energjisë elektrike, por londinezët janë londinezë dhe e kapërcyen. Ndërsa këtu, në Shqipëri, nuk kapërcehet dot. Unë ia kisha bërë shumë të qartë ekipit tonë dhe u kisha kërkuar ta pranonin propozimin e opozitës, por ODIHR-i do siguri maksimale në zgjedhje. Ai kërkon mos aplikimin e metodave të përjashtimit. Çdo masë që mund të ta thotë mendja se është e dobishme nuk duhet të synojë përjashtim zgjedhësish, nuk duhet të synojë dyer të mbyllura, nuk duhet të dënojë tjetrin për pakujdesinë e tij, apo për asnjë arsye tjetër. Çdo qendër u shndërrua në “pikë kufitare”, pajisur me aparaturë që lexonte ID-në. Unë po u lexoj rekomandimin: Rekomandohet që të kryhet një studim i zbatueshmërisë, para se të futet teknologjia në përdorim. Ky studim do të identifikonte përfitimet dhe rreziqet e përfshira në zbatimin e një sistemi të tillë, përfshi edhe aspektet ligjore, operacionale dhe financiare. Rekomandohet që nenet 100/1 – 100/3, - të cilat ata vetë i kishin formuluar siç kishin dashur dhe ne thjesht i kishim votuar - të ndryshohen për të përcaktuar një periudhë kohore më të gjatë, përpara se këto të zbatohen, me qëllim që të mundësohet kryerja e prokurimit transparent, testimit, certifikimit, trajnimit, edukimit të zgjedhësve dhe zbatimit”- theksoi kryeministri. Megjithatë, pavarësisht “ngecjeve” të qëllimta që i bëhen tryezës së reformës zgjedhore, kreu i qeverisë u shpreh i sigurtë në arritjen e një kompromisi për hartimin e ligjit elektoral brenda afateve të përcaktuara.
Miratimi i 520 projekteve, punësohen 22 mijë persona
Kryeministri informoi dje fillimin e punimeve të 520 projekteve në të gjithë vendin duke theksuar se këto projekte janë një hap përpara për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”, i japin shtysën përfundimtare infrastrukturës së re rrugore në vend dhe i hapet rruga punësimit të mijëra personave. “Këto projekte shtrihen nga Konispoli dhe jugu i vendit gjer në Valbonë, Dukagjin e zona të tjera, të cilat i japin shtyrjen përfundimtare finalizimit të projektit të ndërtimit të një infrastrukture të re rrugore anë e mbanë vendit. Janë 1230 km rrugë së bashku me kombëtaret bëjnë 1500km, m të cilat do ti’ i japin një transformim tërësor infrastrukturës rurale të vendit”- theksoi kryeministri. Ai garantoi qytetarët se me këto projekte të cilët përfshijnë 130 ujësjellës për 293 mijë banorë, 230 shkolla për 250 mijë nxënës,43 qendra shëndetësore për 122 mijë banorë shënohet hapi madhor drejt Shqipërisë vend i zhvilluar, ku do të punësohen në mënyrë direkte 22 mijë persona dhe po kaq në mënyrë indirekte. Gjithashtu ai tha se për sa i takon projektit të arrorëve e ullinjve këtë vit fondi është dyfishuar dhe do të përfitojnë mbi 4400 fermerë në mbarë vendin.