E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas sulmit ndaj ODIHR, qëndron Edi Rama

15-05-2012 / Gazeta 55

Me sulmin e paprecedentë ndaj Evropës, Edi Rama po synon të delegjitimojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, si dhe të sabotojë marrjen e statusit në vjeshtën e këtij viti. Paralelisht, ai po konsumon një intrigë politike ndaj aleatëve të tij të vegjël, të cilët po konsumohen me sulme ndaj ndërkombëtarëve, në mënyrë që të mos u jepet ajo çka kërkojnë, rillogaritja e shpërndarjes së votave, brenda koalicioneve partiake

Edi Rama ia ka dalë të vërë në qendër të një sulmi politik të paprecedentë grupin e ekspertëve të ODIHR, që po asistojnë në Tiranë reformimin e ligjit elektoral. Mjaftoi një deklaratë e ODIHR, lidhur me votimin elektronik ose jo, që PS të merrte hov dhe të niste gjuetinë e shtrigave edhe ndaj ndërkombëtarëve. Tre ditë më parë ODIHR i kërkoi komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, rrëzimin e nenit të PS, për vendosjen e numërimit elektronik të votave në zgjedhjet e ardhshme, pasi implementimi i teknologjisë elektronike është një projekt afatgjatë për Shqipërisë dhe se nuk mund të aplikohet gjatë zgjedhjeve të ardhshme, të 2013-ës. Më qartë se kaq, nuk bëhet. Por cili ishte reagimi i selisë rozë, e cila kishte propozuar votimin elektronik, i cili kishte gjetur edhe konsensusin e mazhorancës? Partia Socialiste nuk është shprehur zyrtarisht dhe posaçërisht për votimin elektronik, por ka krijuar ‘ngërçin absurd’ lidhur me rikompozimin e KQZ-së, ndërkohë që, ODIHR-it i ka lëshuar çakenjtë e vegjël, të cilët siç duket janë vënë në shërbim të eunukut të së majtës, duke nisur një valë akuzash ndaj këtij misioni ndërkombëtar. Drejtuesit e partive të vogla të opozitës, të cilët kanë hyrë edhe në një krizë të rëndë identiteti pasi s’dinë ç’të bëjnë, të vazhdojnë t’i ushtrohen keqpërdorimit politik të Edvinit apo të shpallin një aleancë mëvetësie, janë treguar të gatshëm të marrin mbi supe riskun politik të sulmeve ndaj palëve ndërkombëtare. Në rastin më të mirë, këta të fundit, thjesht sa po ndihmojnë përfaqësuesit e të dy krahëve politik në reformimin e ligjit elektoral, me qëllim përsosjen e infrastrukturës zgjedhore dhe arritjen e standardeve. Por ky s’është interesi parësor i kryesocialistit, pasi ai e di shumë mirë se sido që të orientohen nenet e Kodit Zgjedhor, baza e zhvillimit të zgjedhjeve, përsëri është i humbur. Numërimi elektronik nuk ishte kërkesa permanente e liderit të opozitës, duke ditur se dalja duar bosh nga gara zgjedhore, është një garanci optimale dhe e panegociueshme për fatin e tij politik. Në këtë drejtim, i gjendur i pafuqishëm përballë argumenteve të qëndrueshme të ODIHR, “vuri në këmbë” kamikazët pranë PS-së, për të hedhur baltë si ndaj mazhorancës ashtu edhe misionit të ODIHR. Milo dhe Gjinushi që pranuan të sakrifikohen si shërbëtore të Edvinit, thjesht e vetëm sa krijojnë ilaritet dhe gajasje në selinë e PS-së, pasi këta të fundit janë plotësisht të vetëdijshëm për pamundësitë teknologjike të implementimit të votimit elektronik në 2013-ën. Ata këmbëngulin për numërim elektronik, kur në fakt koha po ecën dhe Edi Rama po ia arrin asaj që ka kërkuar, mosmiratimin e çfarëdolloj kërkese për rillogaritjen e mënyrës së shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve partiake. Kjo shtyrje përfundimisht i nxjerr Gjinushin dhe Milon jashtë loje, duke i detyruar që së afërmi të turren si muhaxhirë drejt aleancave politike që do t’i zvetënojë e do t’i bëjë lehtësisht të përdorshëm në zgjedhjet e 2013-s.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›