Blushi: Bojkoti, skenar për të djegur mandatet e PS-së
03/02/2010 Ngjela dhe Zogaj po përdorin Ramën për t’u rihedhur në politikë
“Vendi nuk meritonte President si Topi, ai nuk e zgjidh dot krizën”
Bojkoti nuk është gjë tjetër vetëm një pjesë e skenarit për të djegur mandatet e PS-së me qëllim katapultimin në politikë të atyre që nuk mundën të marrin një mandat në zgjedhjet e shkuara. Akuza ka ardhur nga deputeti i PS-së, Ben Blushi, gjatë një interviste dje në emisionin “Ora e Intervistës” së gazetarit Alfred Peza. Madje Blushi nuk ka hezituar të vendosë dhe gishtin mbi ata të cilët sipas tij kanë influencë pranë kryetarit Rama. Spartak Ngjela, Preç Zogaj, apo Nard Ndoka, por edhe krerë të partive aleate, sipas tij, janë autorët e këtij skenari, që për Blushin, nuk është gjë tjetër vetëm se një kurth që po i ngrihet grupit parlamentar të PS-së “Edi Ramna ka rënë në kurthin e një skenari që kërkon ta djegë këtë grup parlamentar. Ka një skenar sepse dikush beson se duke djegur këto mandate mund të përmbyset pushteti, me veprime ekstra politike. Janë disa grupe me influencë fatkeqësisht. A mund të imagjinoni që Spartak Ngjela mund të bëjë politikën e PS-së. Del Preç Zogaj dhe më kritikon mua. Skenarin po e bëjnë dy apo tre prej tyre. Ka disa parti që s’kanë arritur të hyjnë në politikë, njerëz që mendojnë se përmes PS-së mund të trampoltohen në politikë. Si është e mundur që të besohet se Rama, mund të bashkohet më shpejt me Ngjelën se sa me Arben Malaj, apo me Nard Ndokën më parë se me Islamin. Ky skenar synon ta kthejë grupin parlamentar të PS-së në një grup kamikaz, që mos i ngelë gjë tjetër vetëm se rruga dhe në duar të kenë gurët, pasi të ketë humbur mandatet”, tha Blushi. Nga ana tjetër, duke u shprehur se javën e parë të marsit do të jetë në Kuvend pavarësisht pasojave, nuk ka lënë pa atakuar dhe figurën e Presidentit Topi për pasivitetin e tij që ka shfaqur në këtë situatë. Sipas Blushit, kundërshtitë e tij për figurën e Bamir Topit, në vitin 2007, tregoi se Kuvendi ka votuar një president që ky vend nuk e meriton. Blushi u shfaq skeptik se Presidenti mund të realizojë një tryezë dialogu për faktin e thjeshtë se, ka debate të fuqishme me Kryeministrin Berisha “dyshoj se qeveria do t’i japë hapësirat e nevojshme, për shkak të marrëdhënieve shumë të këqija mes Topit dhe Berishës për arsyet e tyre. Megjithëse, Topi e ka humbur shansin e tij në këto tre vjet, ai ende s’ka folur për Gërdecin, ende s’ka folur për zgjedhjet, dhe ka abstenuar për shumë çështje të rëndësishme. Ai mendon se me mënyrën se si e mori mandatin do të veprojë në mënyrë krejt të pavarur, por që s’është kështu. Mënyra se si u zgjodh tregoi se Shqipëria mori një president që nuk e meritonte”, tha Blushi.