Njeriu që terrorizoi Vlorën largon avokatët
03/02/2010 Fotaq Zaharia: Prej tyre jam në burg
TIRANË- Fotaq Zaharia, njeriu që për disa kohë terrorizoi qytetin e Vlorës, ka mohuar dje në gjykatë të ketë pranë tij një avokat mbrojtës. “Unë prej avokatëve jam akoma në burg. Ndihem i pafajshëm dhe kanë qenë avokatët ata që nuk kanë ditur të më përfaqësojnë ligjërisht, prandaj dhe i kundërshtojë. Dua të mbrohem vetë në seancë gjyqësore”. Kështu Fotaq Zaharia ka kërkuar të ndërpresë çdo marrëdhënie me avokatët duke pretenduar se ata e kanë futur në telashe edhe më të mëdha. Zaharia është dënuar njëherë nga krimet e rënda me 23 vite burg. Por Apeli e ka rikthyer këtë dosje për shkelje procedurale. Pikërisht tani që dosja është rikthyer Zaharia kërkon të paraqes të tjera pretendime. Zaharia u arrestua në janar të vitit 2007. Ai prej vitesh me radhë ishte shpallur person tepër i kërkuar. Akuzohet për rrëmbim personi dhe për vrasje. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Zaharisë me 25 vite burg, por shkalla e parë e dënoi atë me 23 vite, dënim ky që tashmë është prishur për t’u rishqyrtuar.