E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjetet gjatë ditës lëvizje vetëm me zinxhirë

03/02/2010  Dëbora, bllokohet Qafë Kërraba
ELBASAN-Reshjet e dëborës dhe temperaturat tepër të ulëta kanë sjellë probleme në akset rrugore nacionale për shkak të ngricave. Më keq është paraqitur situata në Qafë-Thanë dhe Qafë-Kërrabë ku si pasojë e ngricave të acarta ka pasur edhe bllokime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve. Në Qafë-Thanë trashësia e dëborës ka arritur në mbi 40 cm, ndërsa rruga ka qenë e ngrirë për shkak të akullit Në këtë aks rrugor është punuar gjatë gjithë natës me borëpastruese e është hedhur kripë për ta mbajtur segmentin të qarkullueshëm për rastet emergjente. Qarkullimi i automjeteve është lejuar vetëm me zinxhirë. Ndërkohë segmenti i Qafë-Kërrabës ka qenë jo i qarkullueshëm gjatë natës, ndërsa në mëngjes rrugorët kanë lejuar vetëm mjetet me zinxhir. Më keq është paraqitur gjendja pas kilometrit të 29 në vendin e quajtur “Pishat” në zbritje të Tiranës. Këtu disa automjete kanë dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja, ndërkohë që aksi ka qenë i bllokuar për disa orë për të evituar edhe pasoja më të rënda. Lëvizja e automjeteve është devijuar për nga Durrësi. Gjatë gjithë natës rruga e Qafë-Kërrabës është monitoruar nga Policia Rrugore. Punëtorët e mirëmbajtjes kanë hedhur kripë dhe në mëngjes rruga ka qenë e kalueshme për automjetet e pajisura me zinxhirë. Në mesditë gjithçka është normalizuar. Specialistët e qarkullimit këshillojnë drejtuesit e mjeteve të evitojnë lëvizjet gjatë natës në këto dy segmente. Ata kanë këshilluar vendosjen e zinxhirëve sidomos gjatë mëngjesit. Ndërkohë kanë kërkuar maksimumin e vëmendjes nga ana e drejtuesve, pasi pakujdesitë në këtë situatë mund të sjellin pasoja. Dëbora vazhdon të mbajë të bllokuara mjaft rrugë të tjera sidomos në zonat rurale. Stëbleva, Polisi Mal, disa fshatra në Rrajcë, në Lenie e Skëndëbegas trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm. Aksi Librazhd- Peshkopi është i bllokuar. Pushteti lokal është duke punuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve, por ka mungesa të mëdha në automjete dhe fuqi punëtore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›