Polonia dhe liderët botërorë i japin lamtumirën presidentit Kazinski
Blerina Olldashi
Liderët botërorë dhe mijëra njerëz janë mbledhur në qytetin e Krakovit për t’i dhënë lamtumirën e fundit presidentit të ndjerë polak, Leh Kazinski, i cili së bashku me bashkëshorten dhe dhjetëra udhëtarë humbën jetën nga tragjedia ajrore e një jave më parë. Ditën e djeshme u zhvillua ceremonia përkujtimore, në orën ekzakte të aksidentit një javë më parë, në mbarë Poloni ushtuan këmbanat e kishave dhe sirenat. Në Varshavë në sheshin “Pilsudki” mijra njerëz u mblodhën për të bërë homazhe dhe falur lamtumirën e fundit viktimave të aksidentit ajror që vrau kaq shumë figura të shquara të politikës polake. Pranë një kryqi të madh të bardhë, mbi një altar ishin vendosur edhe fotografitë bardhë e zi të 96 viktimave. Kryeministri Donald Tusk mbajti një fjalim para se të niste ceremonia, ndërsa në sheshin e madh ishin vendosur dhjetëra ekrane të mëdha televizive që e transmetuan këtë ceremoni drejtpërdrejt në mbarë Poloninë. Ndërkohë, në orën 08 e 56 minuta, në Varshavë, makinat ndaluan dhe kalimtarët qëndruan për një moment për të përkujtuar ata që humbën jetën në atë që cilësohet si tragjedia më e madhe e Polonisë. Ceremonia funerale e presidentit Kazinski dhe bashkëshortes së tij Marias, e cila udhëtonte me të, do të mbahet ditën e sotme në qytetin e Krakovit. Fatkeqësisht, mendohet se hiri vullkanik që ka ndërprerë trafikun ajror në mbarë Europën do të pengojë mjaft nga liderat e botës të marrin pjesë në varrim. Përkundër problemeve me trafikun ajror, zyrtarët thanë se ende askush nuk e ka anuluar pjesëmarrjen, ndërsa disa udhëheqës shtetesh janë zotuar se në varrim do të udhëtojnë me makina. Me këtë rast edhe presidenti i Kosovës fatmir Sejdiu do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të presidentit polak, Leh Kazinski. Kreu kosovar do të shkojë në Varshavë nëpërmjet rrugës tokësore, pas vështirësive të krijuara me fluturimet nga hiri i vullkanit të Holandës. Duke ndarë dhembjen me popullin polak, presidenti Sejdiu ka dërguar një telegram ngushëllimi, ndërsa gjatë javës ai është nënshkruar në librin e zisë të hapur në ambasadën e Hungarisë në Prishtinë.
Reja e ngritur nga aktiviteti vullkanik ka vënë në vështirësi qarkullimin ajror në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të Europës.
SHBA, Obama shpalos strategjinë e re për fluturimet në hapësirë
Presidenti Barak Obama foli para punonjësve të Administratës Kombëtare të Hapësirës dhe Aeronautikës, NASA, rreth planeve për këtë agjenci, pasi misionet e anijeve të hapësirës përfundojnë këtë vit. Mbyllja e këtyre misioneve pritet të sjellë humbjen e mijëra vendeve të punës në komplekset e nisjeve të anijeve dhe komunitetet për rreth tyre në Florida. Kur pajisjet kanë defekt në anijet e hapësirës, ato shkojnë për t’u riparuar në punishte. Por jo në çdo punishte. Tom Mingrone është drejtori i operacioneve në kompleksin e logjistikës së anijeve pranë Qendrës së Hapësirës Kenedi. Kjo ndërtesë strehon disa nga teknologjitë më të avancuara në botë për të riparuar dhe prodhuar pajisje për flotën e anijeve dhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Zyrtarët amerikanë kanë vendosur të mbyllin misionet këtë vit dhe të drejtojnë vëmendjen në zhvillimin e teknologjive për një brez të ri fluturimesh njerëzore në hapësirë. Por Mingrone dhe veteranë të tjerë si ai janë të shqetësuar se ky vendim do të jetë i gabuar pa patur plane të qarta për një mjet tjetër që do të zëvendësonte anijet. Por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se strategjia e re e presidentit do të krijojë 2 mijë e 500 vende pune dhe Nasa do të marrë 6 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të zhvilluar teknologji të reja për eksplorimin e hapësirës. Planet e tanishme të Nasës mbështeten gjithashtu në përdorimin e raketave të reja dhe makinave të ndërtuara nga kompani private. Nuk është e qartë kur këto projekte private mund të jenë gati për fluturim, thotë Mingrone.
Greqi
Sindikatat parashikojnë grevë tjetër
Greqia po shkon drejt një greve të përgjithshme të re për të kundërshtuar planin antikrizë të qeverisë, në të cilën mund të bashkohet edhe sindikata e sektorit privat. Masat e reja janë denoncuar disa herë me radhë, masa këto që parashikojnë shkurtimin e rrogave dhe pensioneve, duke lënë të kuptohet se është gati të aderoje tek protesta e njoftuar nga sindikata e punonjësve publikë, ADEDY. Ndërkohë, drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominique Straus Kahn ka deklaruar se FMN është gati t’i japë Greqisë ndihmat e parashikuara.
SHBA
Paditet ish-presidenti i kompanisë “Blackë///ater”
Ish-presidenti i kompanisë private të sigurisë “Blackë////ater”, si dhe katër ish-punonjës të saj janë paditur për shkelje të ligjit federal për armët. Geri Xhekson, i cili dha dorëheqjen vitin e kaluar, mohon akuzat për shkelje të ligjit për përdorimin e armëve të zjarrit, duke hedhur poshtë edhe ato për përdorim të armëve të paregjistruara. Nën akuzë janë edhe një ish-gjeneral që punonte si këshilltar i kompanisë, si dhe zëvendëspresidenti i saj. Akuzat lidhen pjesërisht me një operacion të kryer nga agjentët federalë në vitin 2008, ku u sekuestruan 22 armë zjarri, mes të cilave 17 kallashnikovë.
Kinë
Trupat e viktimave të tërmetit digjen
Pasi u bekuan nga murgjit budistë, trupat që gjetën vdekjen nga tërmeti u vendosën në një turrë masive drurësh dhe iu vu flaka.
Rreth 700 persona të cilët mbetën të vrarë nga tërmeti shkatërrues në veri-perëndim të Kinës, janë djegur në rrethinat e provincës së Qinghait. Numri i personave që kanë vdekur nga tërmeti është rritur në 1144, bëjnë të ditur agjencitë kineze të lajmeve, duke iu referuar burimeve zyrtare. Sipas zakoneve tibetiane, viktimave në raste të tilla u pritet trupi në copa dhe vendosen në platforma të ndryshme që të hahen nga zogjtë e egër.
Haiti
Rrëzohet helikopteri, vdesin 4 anëtarë të OKB-së
Një helikopter i “Kaskave Blu” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u rrëzua në një zone malore të Haitit duke shkaktuar vdekjen e të katër anëtarëve në bord. Lajmi njoftohet prej zëdhënësve të Kombeve të Bashkuara, ku saktësohet se incidenti u regjistrua pranë qytetit Fonds në afërsi të kufirit me Republikën Domenikane. Të katërt viktimat janë të kombësisë spanjolle dhe ishin pjesë e misionit paqeruajtës në vendin amerikano-latin dhe nën komandën e OKB-së. Ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërkohë që grupi hetimor i Kombeve të Bashkuara nuk përjashton mundësinë e ndonjë avarie në mjetin fluturues.
19 Prill 2010