Puçini vjen në TOB me shfaqjen “Më është dashur ti vras të gjitha”
Izaura Ndoj
Në kuadër të stinës së madhe të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010, dy popuj, një det, një miqësi”, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit, do të prezantojë të mërkurën me 21 prill në orën 19.00, shfaqjen “Më është dashur t’i vras (pothuajse) të gjitha” – Xhakomo Puçini tregon Divat e tij. Ariet, duetet dhe pjesët instrumentale të Bohemës, Tosca-s, Manon Lescaut, Madama Butterfly-it dhe Turandot-it do të jenë protagoniste të këtij spektakli të ideuar nga Sandro Cappelletto, kritik muzikor i “La Stampa” dhe President i Filarmonikës Romane. Boheme, Turandot, Mimi, Liu, të gjitha viktima, qëllimisht të eliminuara nga Maestro Giacomo Puçini. Çdo herë krimi kishte motive, rrethana dhe vende të ndryshme. Por ia arrinte gjithmonë shumë mirë, ka qenë me të vërtet një serial-killer i vërtetë sopranosh. Duke i folur publikut të tij, Puçini, vete tregon, kujton, mallëngjehet, qesh. Muzika e tij, skenat e tij, leximi i vargjeve të libreteve të tij, finesat letrare dhe funksionaliteti perfekt teatral. Dhe ai, një fajtor i deklaruar, është në mënyrë absolute një gjeni. Do të recitojë Elio Pandolfi, një protagonist i historisë së teatrit italian, tregimtar, Sandro Cappelletto, piano Marco Scolastra, sopran Michela Sburlati, tenor, Zvetan Michailov. Afrimiteti kulturor dhe miqësia ndërmjet dy vendeve përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kësaj lidhje dhe bashkëpunimi kulturor. Programi “Italia dhe Shqipëria –dy popuj, një det, një miqësi”, do tju lejoj të merrni pjesë dhe të shijoni në këtë sezon 25 koncerte dhe spektakle , pesë prezantime kinematografike, 10 ekspozita kinematografike, 28 konferenca, pesë manifestime sportive, shtatë iniciativa në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë, gjashtë aktivitete në fushën e arsimit dhe pesë konkurse me tematika të ndryshme. Opera Rigoletto e Giuseppe Verdit dhe koncerti i violinistit të famshëm Uto Ughi kanë inauguruar stinën stimuluese të koncerteve. Një larmi në këto evenimente do të jenë edhe ekspozitat e artit klasik dhe bashkëkohor me titull “Clasici Splendori” dhe “Atmosfere del ‘900” nga data (21 prill deri më 18 maj), me 80 vepra nga më prestigjiozet të koleksioneve të pikturës italiane (Ca’ la Ghironda); regjisori Giuseppe Tornatore do të jetë i ftuar special në një prezantim kinematografik të rëndësishëm (28 prill-2 maj). Evenimenti “Italia dhe Shqipëria –dy popuj, një det, një miqësi” do të sjell një surprizë për lexuesin shqiptarë, pasi në datat 22 deri më 25 prill në përputhje dhe me Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, do të mbahet salloni i Librit italian dhe shqiptar dedikuar literaturës më të mirë italiane dhe shqiptare, por mbi të gjitha dedikuar veprave letrare që shprehin lidhjen kulturore ndërmjet dy vendeve. “Italia dhe Shqipëria –dy popuj, një det, një miqësi”, do të jetë mbi të gjitha një mundësi për të diskutuar dhe reflektuar mbi tematikat e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.
Seminari Ndërdioqezan i Shkodrës kremton 150-vjetorin
Gjatë këtyre ditëve që lamë pas në qytetin e Shkodrës janë mbajtur kremtimet për 150 vjetorin e krijimit të Seminarit Papnor Ndërdioqezan të drejtuar nga Etërit Jezuitë dhe të themeluar asokohe nga Kongregata e Propaganda Fide – s. Seminari është vendi ku formohen klerikët e ardhshëm për Kishën katolike dhe është një strukturë e domosdoshme për një territor Kishtar të caktuar. Nga ky seminar kanë dalë klerikë katolikë të shkëlqyeshëm të cilët kanë ditur t’i japin Kishës dhe vendit tonë më të mirën e tyre e shumë sish kanë mbetur të vrarë gjatë persekutimit komunist 50 vjeçar. Gjatë këtyre ditëve i pranishëm ka qenë Kardinal Zenon Grocholeëski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik të Vatikanit, i cili ka marrë pjesë në kremtimet për 150 vjetorin e themelimit të Seminarit Papnor. Dje në mesditë është mbajtur mesha e shenjtë në Katedralen e Shkodrës së bashku me hierarkinë e Kishës Katolike në Shqipëri në
falenderim të Zotit për Seminarin udhëhequr nga Prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik të Vatikanit. Ndërsa sot Kardinal Grocholeëski do të kryesojë meshën në Katedralen e Shën Palit në Tiranë me rastin e pesë vjetorit të zgjedhjes së Papës
Benedikti XVI në krye të Kishës Katolike. Seminari Ndërdioqezan ka tre nivele formimi: Viti Propedeutik, ose para përgatitor, Seminari i Lartë me studim të Filozofisë dhe Teologjisë në 5 vite, dhe Viti i Gjashtë ose viti Baritor, përgatitor për Diakonatin.
Promovohet libri për Hasan Tahsinin
Në Tiranë është promovuar libri me 3 vëllime “Profesor Hasan Tahsini”, i autorit Laurant Bica. Duke qenë një nga figurat e spikatura të Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe të komunitetit çam në Shqipëri, promovimin e librit për Hasan Tahsinin e organizoi partia për Drejtësi dhe Unitet. "Është vërtetë një kënaqësi e veçantë që ne jemi mbledhur sot për të vlerësuar një nga figurat më të mëdha, jo vetëm të shqiptarëve të Çamërisë, gjë që na bën nder të gjithëve, por dhe një nga figurat më të mëdha, korifejte e Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsinit. Është një kënaqësi e madhe për mua që të marr pjesë në një ceremoni të tillë dhe të përpij çdo lexim për Çamërinë dhe figurat e saj", u shpreh Shpëtim Idrizi, kryetar i PDU-së. "Studiues dhe kërkues këmbëngulës, doktor Laurant Bica në këtë vepër që sapo ka dalë nga shtypi ka arritur të mbledhë, të klasifikojë dhe të studiojë tërë trashëgiminë dhe veprimtarinë shkencore dhe patriotike të këtij personaliteti të gjuhës sonë kombëtare", tha Selman Sheme, profesor. Në këtë ceremoni referuan shkrimtarë, diplomatë dhe studiues, mbi veprimtarinë dhe veprën e Hasan Tahsinit.
Mal i Zi, organizon një takim për literaturën malazeze dhe shqiptare
Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, po mbahet një takim i titulluar “Drejt dialogut të ri - Literatura e re malazeze, ajo shqiptare dhe përkthimet”, e organizuar nga shoqata “Prostory” nga Podgorica, nën patronazhin e Fondacionit “Hajnrih Bël” dhe i përkrahur nga ministria malazeze e Kulturës si dhe Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave në Malin e Zi. Organizatori i saj pohon se kjo është tribuna e parë e këtij lloji në Malin e Zi edhe “qëllimi i saj është vendosja e komunikimeve të reja dhe afatgjate midis dy kulturave fqinje, asaj shqiptare dhe malazeze”. Sipas programit, pjesëmarrës të këtij takimi janë shkrimtarët shqiptarë dhe ata malazez, profesorë, përkthyes, botues, përfaqësues të shoqatave të shkrimtarëve, të Institutit të gjuhëve dhe universiteteve nga Tirana, Shkodra, Nikshiqi, Podgorica etj.
19 Prill 2010