E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi-Islami: Në mars hymë në Kuvend, bojkoti dështoi

 
Deputetët kundërshtarë të linjës zyrtare të Partisë Socialiste thanë dje se nuk ka pasur asnjë rezultat bojkoti pasi nuk arriti as hapjen e kutive të votimit dhe as provokimin e zgjedhjeve të parakohëshme.
 
Kundërshtarët e linjës zyrtare të Partisë Socialiste thanë dje se do të hynë në Kuvend në javën e parë të muajit mars, sepse sipas tyre bojkoti nuk arriti rezultate. Deputetët Ben Blushi dhe Kastriot Islami i bënë komentet për mediat pas punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së që diskutoi përgjegjësinë e përmbytjeve në Shkodër dhe në Lezhë. Fillimisht, Blushi, deputeti fitues i zgjedhjeve si bartës i listës në Qarkun e Korçës më 28 qershor, kërkoi në podium që Asambleja Kombëtare të përfshinte në rendin e ditës edhe diskutimin e çështjes së qëndrimit politik për bojkotin e Kuvendit. Ai pas kryetarit të AK-së, Gramoz Ruçi tha se duhej bërë një bilanc pas 6 muajve. “Do të propozoja që pasi të mbarojnë fjalimet dhe prezantimet për përmbytjen, Asambleja Kombëtare të ketë një pikë në rendin e ditës ku të diskutojë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen tonë. Kemi hyrë në një vit tjetër dhe kërkohet që të bëjmë një bilanc të paktën të 6 muajve të fundit dhe të marrim një vendim kur arsyet për të bojkotuar parlamentin nuk janë më të justifikueshme. Kështu që besoj se kjo ia vlen pa e prishur fare prezantimin e asaj që po flasim sot”-tha ai. Mirëpo, Ruçi tha se rendi i ditës ishte përcaktuar. Blushi nuk u pajtua me këtë ndonëse vazhdoi të qëndronte në sallë. Pas mbledhjes, ai qartësisht deklaroi se nuk do t’i përmbahej më qëndrimit të partisë, ndërsa theksoi se as nuk paragjykonte vendimin që do të merrte grupi i ligjvënësve. Për Ben Blushin, tashmë është parë se rezultati  bojkotit ka qenë dështimi. “Edhe për shkak të bojkotit, kutitë nuk u hapën, ne nuk provokuam dot zgjedhje të parakohëshme, Partia Socialiste nuk i dha dot Shqipërisë një opozitë parlamentare, të fortë, solide, e cila të mund të ndërtojë një aksion të fortë politik më të fortë në paralment se sa jashtë parlamentit. Pavarësisht nga vendimi që mund të marrë grupi parlamentar, unë do të jem në parlament në javën e parë të marsit. Jo sepse më bën përshtypje letra e Jozefina Topallit, jo se kam ndonjë emergjencë, jo se kam frikë se mandati im digjet, por se do të jem në parlament si shprehje e vullnetit tim dhe e lirisë time personale”-tha Blushi. Ai veçoi se vendimi për bojkot nuk ishte qëndrimi drejtë partiak, por personal i kryetarit Edi Rama. “Kjo sakrificë bojkoti ishte e pafrytshme, sepse që në fillim nuk ishte një sakrificë që Partia Socialiste e kërkoi, por ishte një vendim personal i kryetarit të Partisë Socialiste, i cili pati një emergjencë në shtator apo në tetor për t’u rizgjedhur dhe kjo e detyroi që të ndërmerrte një rrugë radikale si kjo që jemi duke ndjekur sot, por që rezultoi e pafrytshme”-tha ish-ministri Vendor i qeverisjeve socialiste.
Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami gjithashtu iu përmbajt të njejtit argument, se bojkoti nuk ofroi rezultat për strategjinë e socialistëve në opozitë që pas zgjedhjeve të përgjithëshme të 28 qershorit të 2009-ës që sapo iku. Sipas Islamit, tanimë nuk ishte çështja më te bojkoti, por te respektimi i mandatit që e quajti “individual” të fituar në zgjedhje dhe për të përfaqësuar popullin. Islami foli në studion e televizionit “Ora Neës” ku theksoi gjithashtu se nuk do të thyente Kushtetutën. “Nuk do të djeg mandatin e deputetit por do të futem në Kuvend. Partia Socialiste ka pësuar një sërë dështimet duke filluar që me zgjedhjet e 28 qershorit, bojkotit të Parlamentit, protestave dhe kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme”-tha Islami. Për ish-kryetarin e parë të Kuvendit shumëpartiak të vitit 1991, Kastriot Islami, besimi është i madh se edhe grupi i ligjvënësve do të bëhet pjesë e Kuvendit. Për Islamin po ashtu, grupi do të bashkohet me deputetët e lëvizjes për “Mendimin Ndryshe” që është kthimi në Kuvend. Deputetët Blushi, Islami, Andis Harasani, Marko Bello dhe Arben Malaj kishin paralajmëruar vjeshtën e shkuar se do të respektonin vendimin partiak deri në kufijtë logjikë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u dërgoi letër në fundjavë deputetëv socialistë ku kujtonte se në 4 mars sipas Kushtetutës, mandati i tyre zhvlerësohej dhe se paskësaj mbetej fillimi procedurave për zëvendësimin e të zgjedhurve.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›