E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Protesta pa kthim, jo Kuvendit, fatkeqësi Gërdeci, Kalimashi e Fierza

 
“çfarë duhet të presim akoma për të ngritur më tej barrikadën njerëzore, që kjo llumokraci të mos vrasë e shkatërrojë të tjerë si në Gërdec pastaj të thotë Gërdeci voton për ne”-tha Rama
 
Partia Socialiste deklaroi dje se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit. Kryetari Edi Rama saktësoi se Partia Socialiste nuk mendon se seanca është e jashtëzakonshme, por farsë dhe diversion. Sipas Ramës, faza e emergjencës ka kaluar dhe tani ka nisur faza e përballimit të dëmeve. Rama mbajti fjalën kryesore në Asamblenë Kombëtare dje në mesditë dhe tha se fajhtore kryekëput për përmbytjet ishte qeveria, “dora e robit dhe jo dora e zotit”. Andaj, Asambleja Kombëtare qartësoi me vendosmëri se nuk mund të bëhej pjesë e farsës që sipas kryetarit Rama, është që në krye e në fund, përgjegjësi e kryeqeverisësit me votat e 28 qershporit, Sali Berisha. “Kreu i kësaj qeverie fajtore, në vend se ta kërkonte seancën e jashtëzakonshme të parlamentit kur i kishte fluturuar Prifti jashtë orbite dhe digat kishin mbetur pa njeri mbi kokë, apo kur i fluturoi edhe spikerja Jozefina jashtë rradhe për qokat e saj të kushtueshme turistike, arrin ta përdorë edhe krimin e qeverisë së tij edhe fatkeqësinë e Shkodrës, për të bërë një  diversion të shëmtuar ndaj opozitës duke i vënë emrin, “e jashtëzakonshme”, një seance që zhvillohet konform Kushtetutës çdo të hënë të tretë të janarit, ku ne nuk kemi asnjë arsye të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza kur duhet të përballohen shkatërrimet e bëra”-tha Rama.
Drejtësia
Edi Rama nuk ka asnjë hapësirë për të shpërdoruar forcën e opozitës kundër cënimit të demokracisë, dhunimit të shtetit të së drejtës, heshtjes së organeve hetimore dhe të presidencës. Ai i quajti Gërdecin, shembjen e tunelit të Kalimashit dhe Fierzën “tre histori marramendëse që kalojnë caqet e imagjinatës mbi lemerinë ku mund të katandiset një shtet, për shkak të degjenerimit të një pushteti në një oborr familjarësh, shërbëtorësh e klientësh të pushtetit të një familjeje”. Por sipas Ramës, veçse janë tragjedi, Gërdeci, Kalimashi dhe Fierza përbëjnë “tre pikëpyetje të frikshme për Prokuroren e Përgjithshme, për Gjykatën e Lartë të vendit, për vetë Presidentin e Republikës”, të cilit iu drejtuar me fjalët “Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet dhe Fierza nuk mund të tolerohet”. Rama tha se në “20 muaj tre gjëma të tilla prej dorës së pushtetit, janë shumë për të mos reaguar sot me shumë vendosmëri në krye të shtetit”, prandaj shtoi “duke i kërkuar publikisht, me këmbëngulje e fjalë të qarta drejtësisë të mos bëjë padrejtësi”, sepse sipas tij, “ungesa e drejtësisë në tre fatkeqësi të këtij lloji, është një padrejtësi që ndjell të tjera fatkeqësi të mëdha” dhe se “më e madhja ndër to është humbja e çdo sensi moral jo vetëm në dhënien e drejtësisë nga drejtësia, po edhe në kërkimin e së drejtës nga shoqëria”. “çfarë duhet të presim akoma për të dalë në rrugën e protestës qytetare, pa kthim mbrapsht në shtëpi, që rruga e lirisë, demokracisë, drejtësisë, të mos bëhet shteg i mbyllur për shqiptarët që as janë në pushtet dhe as kanë ndonjë lidhje kushërillëku apo tarafllëku me pushtetin? çfarë duhet të presim akoma për të ngritur më tej barrikadën njerëzore, që kjo llumokraci të mos vrasë e shkatërrojë të tjerë si në Gërdec pastaj të thotë Gërdeci voton për ne?-ishin disa nga çështjet që shtroi Rama për t’iu përgjigjur me tri ngjarjet 2008-2010: “Gërdeci, Kalimashi, Fierza”. Për të trija ai tha se janë arsye për të mos lejuar një të katërt e një të pestë, që nuk ka si të mos vijë nëse “ne nuk dalim një orë e më parë në rrugën e protestës pa kthim në shtëpi, seri në përmbushjen e kërkesës sonë ose në largimin e qeverisë”.
Mandatet
Duke hedhur poshtë diversionin, sikundër e vlerësoi se është çështja e kthimit të opozitës për të quajturën “seancë të jashtëzakonshne”, Rama tha se se socialistët do të vazhdojnë të ndihmojnë “për këtë fazë jo duke marrë pjesë në farsën parlamentare të organizuar nga autorët e veprimtarisë kriminale që nxorri Fierzën jashtë kontrollit, po duke u solidarizuar me çdo familje shkodrane për të kërkuar shlyerjen e çdo dëmi për të gjithë, pa asnjë dallim partiak”. Asgjë nuk e ndryshon vlerësimin e socialistëve progresistë për keqqeverisjen e vendit, gjë për të cilën Rama tha se duhej ndryshuar, pasi s’ka se ç’të pritet më, veçse protesta masive për demokraci e hapjen e kutive të votimit. “Zemrat e opozitarëve të të gjithë Shqipërisë, që kërkojnë përditë e më me ngulm transparencën e kutive të 28 qershorit ose largimin e Sali Berishës. Përralla e djegies së mandateve, ato as mund të digjen dhe as mund të transferohen në duart e Sali Berishës, që bashkë me Ilir Metën e me Fatos Nanon, ngjajnë të tre në  këtë peshkim të lodhur poshtë listave të deputetëve, njësoj si spikerja Jozefina mbi Bunë, me një këpucë në ujë e me gjahun e dëshiruar në lumë”-shtoi Rama.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›