E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Seanca, ftesë e sinqertë për deputetët e opozitës

Kryetarja e Kuvendit vizitoi dje fshatin Shirgj të Komunës së Dajçit, nga ku deklaroi për mediat se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila do të zhvillohet sot pasdite, mbetet një ftesë e sinqertë për deputetët e opozitës, që ata të thyejnë bojkotin. Sipas Topallit, kjo seancë do i përkushtohet Shkodrës dhe situatës së përmbytjeve, ku të gjithë do të kenë mundësi të flasin për termat e investimit në këtë zonë për ta rehabilituar plotësisht. “Kjo seancë ishte ftesë e sinqertë në bazë të kërkesës së deputetëve të opozitës, për seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën. Ne do të bëjmë nesër (sot) një seancë të posaçme për situatën në Shkodër dhe për atë çfarë do të bëjmë në ditët dhe në muajt e ardhshme në termat e investimeve, në termat e rishikimit të projekteve sipas linjave dhe ministrive të caktuara, ku Ministria e Bujqësisë, Ministria e Transportit dhe ministri të tjera do të kenë një rol të jashtëzakonshëm në zbatimin e projekteve në të ardhmen. Kjo është detyra jonë dhe ky është premtimi i qeverisë dhe i deputetëve të Shkodrës”, - deklaroi Topalli. Duke folur më tej për mediat, ajo akuzoi kreun e opozitës se ka abuzuar politikisht me ngjarjen e përmbytjeve. Sipas saj, përdorimi i një fatkeqësie natyrore për qëllime politike është fundi i moralit politik. “Është fundi i moralit politik, që të përdorësh fatkeqësinë natyrore, është fundi i moralit politik të manipulosh me një fatkeqësi të tillë”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, bashkë me autoritetet e komunës, ishte dje në zonën e Dajçit, ku u bë shpërndarja e ndihmave me autokolonat e ushtrisë me ushqime e pajisje shtëpiake për banorët e shtëpive të përmbytura. Në këtë komunë u shpërndanë 70 ton ushqime, ujë, batanije si dhe ushqim për gjënë e gjallë. Banorët i shprehën kryetares së Kuvendit mirënjohjen për angazhimin dhe përgjegjësinë maksimale të shtetit në ndihmë dhe në mbështetje të familjeve të tyre. Ata thanë se shteti si asnjëherë më parë u çua në këmbë për ta. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësi që situata po shkon drejt normalizimit, duke siguruar se të gjitha strukturat e shtetit, ashtu si deri më tani, do të jenë çdo moment pranë banorëve. Ajo tha se tashmë po punojmë në terma afatgjatë, në projekte të mëdha, jo vetëm në rehabilitimin e zonave që kanë nevojë emergjente, por dhe për projekte të mëdha zhvillimi për të gjithë këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›