Berisha: Kompensim real për banorët, presim në Kuvend opozitën
Kryeministri Sali Berisha premton një kompensim real për banorët e prekur nga përmbytja në veri të vendit. Në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile në Shkodër, Kryeministri tha se qeveria do të nisë të bëjë vlerësim për të nxjerrë dëmet e përmbytjes. “Qeveria është absolutisht e vendosur të kompensojë këta qytetarë, qindarkë për qindarkë për humbjet e tyre. Për të vlerësuar përmasat e përmbytjes, për bazë do të merren fotot satelitore të agjencive më serioze të botës të fatkeqësive natyrore, të cilat do t’i bëjmë disponibël dhe do të instalohet e gjithë teknologjia, në mënyrë që çdo gjë të faktohet mbi bazën e një fotografie, që shkon në centimetra. Së dyti është evakuuar një sipërfaqe shumë e madhe e ujërave, por ka ngelur sërish një sipërfaqe e madhe, në Bushat, Velipojë, në Trushin e Poshtëm, Dajçi, pra sërish kemi një sasi të madhe uji për t’u evakuuar”, - tha Berisha. Më tej, kreu i qeverisë tha se banorëve do t’u kompensohet çdo pasuri e humbur dhe siguroi se qeveria i ka të ardhurat e duhura. “Qeveria, shteti, ka të gjitha mundësitë të dëmshpërblejë qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara. Por asgjë nuk do ta nxinte më shumë këtë proces dhe moralin e tij sesa tentativat për të abuzuar. Ndaj edhe thirrja ime për qeveritarët vendorë, thirrja ime për të gjithë dokumentet inventarizuese që ekzistojnë, të fillojë me një vlerësim të ndershëm dhe objektiv. Unë e di, janë jo të pakta familjet, të cilat u është mbytur ç’kanë pasur në katin e parë dhe u them atyre që absolutisht qeveria një për një do t’ju zhdëmtojë. Unë e di se janë jo të pakta familjet që kanë humbur pasuri të tjera, kanë humbur grurin e mbjellë, kanë humbur misrin e depozituar, kanë humbur ushqimin për bagëtinë, pra plot gjëra. Që të gjitha ne do t’i kompensojmë”, - tha ai. Duke u ndalur në këtë situatë, Berisha shtoi se nga kjo situatë duhet që të krijohen mundësi të reja për Shkodrën. “Këtë fatkeqësi natyrore, ne duhet ta shndërrojmë në një seri mundësish të reja për Shkodrën dhe të vazhdojmë të punojmë po me këtë përkushtim të madh që ju keni punuar deri tani”, - shtoi Berisha. I pyetur nga media në lidhje me reagimet e opozitës, Berisha tha se shumë të zgjedhur lokalë që kanë përballuar situatën kanë qenë të Partisë Socialiste, të cilët ai i falënderoi. Por kreu i qeverisë përmendi edhe shfrytëzimin politik të situatës. “Unë mendoj se këtu ka pasur një solidaritet të madh, pa kurrfarë dallimesh. Kanë qenë ca qëndrime pastaj, por përpjekjet për ta shfrytëzuar në mënyrë politike fatkeqësinë asnjëherë nuk shpërblejnë”, - tha Berisha. Kryeministri shtoi se sot do të mblidhet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që sipas tij, u vendos sepse opozita e kërkoi një gjë të tillë. Ai tha se seanca do të mbahet edhe pse deputetët e PS-së nuk do të jenë të pranishëm, do të do vijojnë bojkotin. “Eksponentë të opozitës dhe deputetë nga opozita të Shkodrës, u shprehën në mënyrë eksplicite, në mënyrë shumë të qartë, në rast se do të mblidhet seancë e jashtëzakonshme, ne do të marrim pjesë. Ky ishte një veprim shumë i përgjegjshëm, së pari për të shprehur solidaritetin, së dyti për të debatuar për të gjithë këtë problematikë dhe kjo është normale. E njëjta çështje u ripërsërit nga njëra nga zëdhënëset e Partisë Socialiste, por mesa duket nesër urdhri politik është i tillë, që ata nuk do të mund të marrin pjesë në debatin që zhvillohet. Ne do të bëjmë seancën, e nisëm për kërkesë të opozitës, pasi është normale. Ju të gjithë e keni parë që deputetët e Shkodrës, deputetët e tjerë jo të Shkodrës, ministra, zv.ministra, drejtues agjencish kanë qenë ditë e natë dhe është menduar se debati më i mirë është të punojmë dhe të ndihmojnë qytetarët. Por kur opozita e kërkon dhe thashë në rast se kjo do të bëhej, atëherë do të ishte e gabuar nëse kjo mundësi nuk i krijohej. Nuk ka pasur asnjë lloj qëllim tjetër përveç plotësimit të një kërkese legjitime të saj”, - deklaroi Kryeministri.