E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja Socialiste: Na myti shteti

 
Material filmik me të dhëna, shifra dhe fakte që vërtetojnë dështimin e shtetit. Akuza kryesore, për shkelje të “Rregullores mbi shkarkimin e plotave në HC”, mbi ministrin e Energjitikës
 
 
Florion Serjani
 
Tiranë – “Katastrofa që po konsumohet në Shkodër është prova më e qartë e një ‘Shteti të Dështuar’ në të gjitha aspektet”. Socialistët ashtu sikurse gjatë gjithë këtyre ditëve të para të vitit, gjatë të cilave veriu i vendit është gjendur nën pushtetin e ujërave të përmbytjeve, kanë akuzuar qeverinë dhe ministrin e Energjitikës si shkaktarët kryesorë të këtyre situata të rënda dhe më pasoja për mijëra banorë. Në asamblenë e mbajtur dje Partia Socialiste ka paraqitur një material filmik me të dhëna, shifra dhe fakte që sipas socialistëve vërtetojnë më së mirë se dështimin e shtetit për parandalimin e më pas menaxhimin e krizxës së krijuar nga përmbytjet. “Shteti ka dështuar në menaxhimin e burimeve natyrore, burimeve ekonomike, shoqërive publike, emergjencave civile, menaxhimin e katastrofave, përgatitjen e zbatimin e planeve financiare dhe inxhinierike për rehabilitimin e zonës së katastrofës, dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve materiale-pronësore, ekonomike shkaktuar prej katastrofës, hetimin e vendimmarrjes politike e administrative të zyrtarëve të ngarkuar nga ligji me përgjegjësi direkte për administrimin, bërjen drejtësi për shkeljen e rregullave e ligjeve në fuqi, me pasojë dëme të mëdha pronësore e ekonomike, për zyrtarët e përfshirë në vendimmarrje dhe administrim”, ka deklaruar deputeti socialist Erjon Braçe. Sipas tij banorët e dëmtuar në zonën e katastrofës po artikulojnë prej ditësh një të vërtetë të madhe se “katastrofa erdhi prej Shtetit”, ndërkohë që vetë qeveria përpiqet akoma të fshihet pas argumentit se kjo situatë u krijua për motit.
Gishti i akuzës edhe një herë është drejtuar nga ministria përgjegjëse dhe drejtuesi i saj, që sipas socialistëve ka shkelur në mënyrë të hapur legjislacionin në fuqi dhe “Rregulloren mbi shkarkimin e plotave në Hidrocentralet mbi lumin Drin”. Dritan Prifti është përgjegjës, për keqmenaxhimin e situatës, çka ka shkaktuar tejmbushjen e liqeneve të hidrocentraleve dhe përmbytjet në veri. Rregulloja e vitit 1988 parashiko: “Kur niveli liqeni i Fierzës arrin në kuotën 285,0 m absolute (286,0 m relative), krijohet një komision i posaçëm, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Energjitikës, Ministrisë së Ndërtimit, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (shërbimi sinoptik), Akademisë së Shkencave (Instituti Hidrometeorologjik), komitetit të Digave të Mëdha, komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Shkodrës si dhe nga specialist të tjerë”. Por megjithëse në muajin dhjetor, e pikërisht në datë 23 të këtij muaji, kuota e liqenit të Fierzës për shkak të prurjeve të lumenjve arriti në 286,37 m, Ministri Prifti nuk e ngriti Komisionin, duke moszbatuar detyrën e parashikuar nga ligji e madje këtë gjë nuk e ka bërë as në ditët në vazhdim, kur situata vazhdoi të bëhej edhe më alarmante dhe e rrezikshme.
Socialistët kanë deklaruar dje se papërgjegjshmëria e Ministrit të energjitikës dhe Qeverisë ka vijuar me mosmarrjen e asnjë mase për të parandaluar tejmbushjen e liqeneve. Kështu në datë 25 dhjetor, megjithëse Fierza ishte në kuotën e 288.08 metrave ujë, Komani në kuotën e 173.25 metrave dhe Vau i Dejës 74.4 metrave dhe prurjet ishin respektivisht 656 m3/sek, 485 m3/sek dhe 444 m3/sek, nga këto liqeve nuk është shkarkuar asnjë metër kub ujë, që do të mund të ulte nivelin e tyre, duke shmangurr rrezikun e tejmbushjes. Edhe kjo është një shkelje e hapur e Rregullores e cila parashikon se “Me të arritur prurja në Fierzë vleftën prej 600 m3/sek, niveli i liqenit të Komanit duhet të ulet mundësisht deri në kuotën 166.0 m absolute duke hapur menjëherë tunelin nr.3 plotësisht. Në ketë kohë fuqia e hidrocentralit të Komanit duhet të jeta sa më e madhe që të jetë e mundur duke ulur në minimum, po të jetë e nevojshme fuqinë e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe pastaj edhe fuqinë e Fierzës. E gjithë ajo pjesë e ujit që shkarkohet nga Komani për të ulur nivelin e liqenit deri në kuotën 166.0 m absolute duhet të mbahet në liqenin e Vaut të Dejës duke ngritur nivelin e tij nga kuota 74.0 m absolute në kuotën 76.0 m absolute, siç paraqitet në pikën 3.2.3”. Shkarkimet nga Komani dhe Vau i Dejës kanë nisur vetëm në datë 28 dhjetor, kur kuota e ujit në Fierzë kishte arritur në 291.22 metra, pra përtej nivelit maksimal të lejuar nga rregullorja. Por sipas socialistëve pikërisht këtu nis edhe fshehja e të vërtetës, pasi nga sistemi janë zhdukur të dhënat për datën 27 dhjetor. Situata në ditët e mëpasme është përkqesuar në mënyrë të shpejtë, pasi liqenet kishin arritur tashmë nivelet maksimale, ndërsa prurjet ishin shumë të mëdha, ndërsa shkarkimi i ujit për të parandaluar shpërthimin e digave çoi në përmbytjen e më shumë se 11400 hektarëve tokë.
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›