Blushi: Kandidimi i Ramës në Tiranë, gafë politike
E para, sepse në vitin 2009 e ai e kuptoi se duhet të kandidonte i pari si deputet dhe kjo është një nga kritikat që iu bë atij. Në fakt, e përsëriti prapë, duke u thënë të gjithëve që unë nuk pyes, thoni çfarë të doni, nuk ka rëndësi për mua.
Intervistoi Sokol Balla
Pse PS nuk pati asnjë reagim publik ngushëllues për vdekjen e Leka Zogut I?
...Mua më takon, meqenëse jam në publik, t’i shpreh ngushëllimet familjes. Sigurisht që nderimet që po i bëhen Leka Zogut janë kryesisht për shkak të emrit të familjes dhe të atit, një figurë të cilën ndoshta historia nuk i ka dhënë ende vendin që i takon. Figurë kontraverse në disa raste, por nuk e mohojmë dot që është një nder shtetarët, ndoshta shtetari më i mirë që ka pasur Shqipëria që nga viti 1912...
Z.Blushi, publiku ndoshta ka interes të dijë se çfarë ndodhi me ju lidhur me qëndrimin e ashpër ndaj Edi Ramës më 2009, kur i kërkuat atij që të largohet pas zgjedhjeve, kur ju thatë se ai i humbi dhe a vazhdoni të mendoni edhe sot se ato zgjedhje ju i humbët, apo, nisur edhe nga ajo çka ndodhi në Tiranë, sidomos në zgjedhjet lokale të vitit 2011, ndoshta keni reflektuar dhe jeni pak më afër qëndrimit të kryetarit tuaj, se zgjedhjet u vodhën edhe atëherë?
Atëherë ka pasur një keqkuptim të madh për shkak të tensionit dhe panikut që na kapi të gjithëve dhe nuk ishim përgatitur që një ditë pas zgjedhjeve ne të ishim sërish në opozitë dhe kishim një bindje të bazuar ndoshta edhe një frymëzim të madh në atë kohë se ne do të vinim në pushtet më 2009, gjë që nuk ndodhi... Megjithatë, unë kam thënë dhe i mbetem asaj që kam thënë, që arsyet se pse ne humbëm në vitin 2009 nuk ishin të gjitha në kuti... Edi Rama thoshte jo. Të gjitha arsyet se pse ne humbëm janë në kuti. Unë thosha jo. Sigurisht që disa arsye janë në kuti. Por jo të gjitha. Kishte disa arsye që nuk vareshin nga kutitë, nuk vareshin nga manipulimi relativ apo absolut i një apo më shumë mandateve që nuk i dimë akoma... Lidheshin me disa arsye që kishin të bënin kryesisht me ne. Ishte mungesa e një programi të besueshëm realist, funksional dhe të vërtetë dhe mungesa e koalicionit. Dhe unë i kam kërkuar Edi Ramës që të marrë përgjegjësitë për këto arsye...
Në zgjedhjet e 2011-s, pavarësisht se PS-ja ka fituar shumicën dërrmuese të bashkive dhe komunave, sërish nuk jeni aty ku duhet të jeni. I humbët apo i fituat zgjedhjet lokale të 2011-ës?
Unë nuk mendoj se i kemi humbur zgjedhjet lokale të vitit 2011, por këto zgjedhje lokale nuk duhen lexuar si zgjedhje të vërteta politike, sepse askush nuk më bind dot që votat që demokratët mund të kenë marrë në shumicën e komunave ka arsye që të përsëriten pas dy vjetësh... Sepse kjo nuk ka ndodhur... Vota lokale ka një cilësi tjetër.
E pra, ju u futët në një fushatë politike në zgjedhjet lokale?
U futëm në një fushatë politike për shkak të kontekstit, për shkak se dilnim nga 2 vjet protesta, bojkoti, nevoja për të hapur kuti, pamundësi për të hapur kuti, 21 Janari dhe gjithë ky ortek sigurisht që kërkon një votë politike, por në fakt nuk ishte një votë politike. Shqiptarët nuk votuan politikisht. Votuan për kryetarët e bashkive dhe komunave aty ku i pëlqenin apo jo. Besoj unë.
Ndodhi kjo edhe në Tiranë?
Kjo ka ndodhur edhe në Tiranë.
Përse?
Kjo ka ndodhur në Tiranë, të paktën deri ditën e fundit 14 maj, ditë e shtunë. Ka ndodhur edhe në Tiranë, një qytet i cili jetonte në depresion këto vitet e fundit, qytet i cili jetonte në depresionin e një sanduiçi mes qeverisë dhe PS-së apo mes dy partive të mëdha, qyteti i cili mendohej se po sakrifikohej në një luftë politike mes dy partive më të mëdha dhe për këtë arsye nuk pastrohej si duhej, nuk kishte parkime sa duhej, nuk kishte investime sa duhej etj. etj. Ky depresion sigurisht që nuk i vlejti Edi Ramës dhe PS-së në 8 maj. Në kushte të tjera, sigurisht që ne do të kishim vota shumë më shumë të Tiranës, pra në kushtet të tjera të mungesës së këtij depresioni dhe në kushte të tjera të një koalicioni tjetër.
Pra, ju mendoni se Edi Rama nuk duhet të garonte për postin e kryetarit të Bashkisë?
Absolutisht. Unë nuk kam pasur mundësi ta them këtë publikisht dhe nuk kam dashur ta them. Por Edi Rama nuk duhet të kishte kandiduar për disa arsye. Nëse ka një gafë politike, është kandidimi i tij në Tiranë për të katërtën herë. E para, sepse në vitin 2009 ai e kuptoi se duhet të kandidonte i pari si deputet dhe kjo është një nga kritikat që iu bë atij. Në fakt e përsëriti prapë, duke u thënë të gjithëve që unë nuk pyes, thoni çfarë të doni, nuk ka rëndësi për mua. E dyta, la përshtypjen që donte shumë pushtet nga ajo që i takon, jo atij por gjithkujt prej nesh, sepse duke u futur për herë të katërt në Tiranë dhe duke kërkuar që të futet prapë në zgjedhjet e ardhshme si kandidat për kryeministër, ai u tha gjithë shqiptarëve që unë mund t’i bëj të gjitha. Nuk mund t’i bësh të gjitha. Koha e njerëzve që i bëjnë të gjitha ka ikur... dhe e treta, duke u futur vetë tregoi një akt, për mua, megalomanie, sepse një nga momentet që dha, dhe unë nuk mund të pranoj, është se përveç meje në PS nuk ka kandidat të tjerë. Është pak megalomane si teori, që unë nuk e pranoj për askënd dhe as për veten, të thuash këtu në 100 burra përveç meje nuk e bën askush. Kjo nuk është e vërtetë. Koha ka treguar se çdo njeri zëvendësohet, madje ka raste kur zëvendësimi funksionon për mirë.
Cili është komenti juaj për 21 Janarin... makina e PR, pra e kundërshtarit tuaj, ka arritur që të bëjë edhe PS-në bashkëpërgjegjëse. Ju keni qenë aty më 21 Janar. A keni ndonjë vlerësim për atë ditë?
Unë kam qenë edhe në Shkodër, rastësisht për arsye të tjera edhe më 2 prill dhe besoj që 21 Janari ishte më keq dhe shumë më i dhimbshëm. S’po e them më i frikshëm, por shumë më i dhimbshëm. Dhe nëse ka një gjë që nuk mund të diskutohet dhe njerëzit e kanë parë live, duket se kush i ka vrarë. Më 21 Janar Sali Berisha ka vrarë katër shqiptarë, katër shqiptarë që shkuan aty për të kërkuar që të ndahen nga varfëria, sepse nuk shkuan aty që të kërkonin as vendin e kryeministrit dhe as pasurinë, shkuan për të kërkuar një qeveri më të merituar, më të drejtë, përmes një rruge, për të dalë nga varfëria, siç protestojnë sot në Europë, Greqi, në Itali, në Angli dhe nuk i vret njeri. Por ka një ndryshim. Nëse ka një habi në këta 9 muaj a 10 muaj është se si ka mundësi që Prokuroria është kaq e ngathët kur çdo shqiptar e di se kush i ka vrarë, vetëm prokuroria nuk e gjen dot, sepse nëse në vendet e tjera për gjërat shumë më të thjeshta fajtori gjendet shumë më shpejt se kaq, këtu nuk gjendet. As Gërdeci, as 21 Janari dhe në përgjithësi të gjitha krimet që kanë ndodhur në vitet e fundit. Unë besoj që 21 Janari nuk pati vetëm këtë pamje. Ka arsye që ne të shohim pak më thellë. Në qoftë se Berisha i vrau ata të katërt, ne mund t’i pengonim që ai t’i vriste dhe kjo është një gjë që ...
Ju aty ishit, pse nuk i penguat?
Po e them, pra, ne mund t’i pengonim, sepse ne i thirrëm në demonstratë njerëzit, i thirrëm në demonstratë, në miting dhe unë kam qenë në shumë në jetën time dhe nuk kam qëndruar në fund të protestës, atë dite ne duhet të ishim në mes të Kryeministrisë dhe të atyre që ishin thirrur në miting, sic na takon sipas zakonit. Nëse do të kishim qenë atje dhe jo në fund, ata ndoshta nuk do të ishin vrarë dhe askush nuk do të ishte vrarë. Mund të kishim kursyer katër jetë.
Këto kohë keni folur më shumë keni kritikuar për partinë tuaj sesa qeverinë?
...Unë kam një gjë pishman në këtë rast. Edhe pse ishte një gjë që nuk mund të evitohej sepse ne kërkonim në 2009 të ndreqnin catinë e shtëpisë që na ishte shëmbur deh sepse unë kërkova zbatimin e statutit, kthimin e partisë majtas hartimin e një programi të kuptueshëm për njerëzit, gjëra që po bëhen sot, humbën 2 vjet kohë. Ajo ishte e paevitueshme, por po të ishte e manxhuar më mirë nga unë, Edi Rama dhe të tjerë atë krizë që patëm do të kishim kursyer shumë kosto PS-së dhe Shqipërisë. Unë s ‘bëj fajtore PS për dështimet e qeverisë por kjo rrugë radikale nuk na çoi asgjëkundi. Rruga radikale rezultoi e pasukseshme. Unë marr meritën time negative në këtë rast. Po të ishte përsëritur do të kërkoja të menaxhohej me me pjekuri, por nuk e dija që ai presion që unë ushtrova me kolegët në Kongres frikësoi shumë palën tjetër dhe u futën në rrugë radikale, si bojkoti e greva krejtësisht të pasukseshme. Duhet ta menaxhonim më mirë. Marr atë që më takon dhe duke mos marrë atë që s më takon.
Kafja te Shefikati me Ramën nuk besoj se ishte vetëm për të folur për librat?
E para, nuk ishte e hera e parë që takohesha me Edi Ramën, por ishte e hera e parë që ramë në sy dhe u kapëm në flagrancë.
Pra jeni takuar fshehurazi?
Jo jemi takuar si miq jashtë kamerave normale.
Pra vazhdoni të jeni miq?
Jemi miq, pavarësisht se nuk mendojmë njësoj për gjithccka. Por atë ditë kemi folur shumë për librat, për hir të së vërtetës më pak për politikë dhe jemi tallur shumë me Saliun. Këto janë tre gjerat që kemi bërë atë ditë.
Megjithatë pas kongresit ju votuat individualisht në rastin e Fullanit. Kjo ka sjellë shumë diskutime dhe kritika brenda partisë tuaj. Pse u diferencuat nga qëndrimi politikë i grupit?
Është komentuar shumë votimi që unë bëra për Ardian Fullanin pro. Njerëzit kanë arësye që ta paragjykojnë se unë si anëtar i grupit duhet të votojë si grupi. Vota ime nuk ka asnjë cilësi politike, por vetëm një dimension miqësor. Unë me Ardian Fullanin, jo me guvernatorin, jam mik prej shumë vitesh. Është një votë që ka vetëm një dimension miqësor dhe le të paragjykohet si të jem.
A vijon ende rivaliteti juaj politik me Ramën për drejtimin e PS-së?
Nuk kam sepse Edi Rama është kryetar i PS-së. Është kryetar i PS-së, i kandiduar në vitin 2003 me votën time, 40 vota ka marrë në atë dhe një nga ato ishte vota ime publike. Unë isha ministër kam votuar Edi Ramën dhe ai humbi. Ka pasur votën time në vitin 2005, ndërsa në vitin 2009 nuk kam votuar për Edi Ramën. Dhe këtë e kam thënë publikisht. Nuk kam votuar sepse mendoja se ajo që ndodhi në vitin 2009, pra humbja e zgjedhjeve duhet të shërbente si një kredi. Vota është si një kredi në fakt, kur ne votohemi, kushdo që na voton na jep një kredi për të bërë një punë. Ndaj unë mendoja se ai nuk duhet ta kishte atë kredi. Sot nuk ka rivalitet, sepse nuk ka arësye të ketë. Shumica e anëtarësisë së PS-së e ka zgjedhur kryetar dhe unë i bindem shumicës dhe e pranoj si kryetar në PS.
Rivalitet nuk ka, por ka marrëveshje apo miqësi mes jush?
Për të qënë të sinqertë ka më pak tension sesa ka patur. Koha ka bërë të vetën dhe për mua dhe për të dhe për shumë të tjerë. Duke parë për nga mënyra sesi po sillet kam arësye ta mbështesë më shumë, sepse po bën disa gjëra që unë i kam kërkuar. Unë kam qënë kundër djegies së gomave, ai s’po djeg më goma. Kam qënë kundër bojkotit, nuk është më në bojkot. Kam qënë kundër grevës së urisë, deputetët e PS nuk janë më në grevë urie. Kam qënë për një program ai u bë, kam qënë për një program politik të majtë ai po bëhet, kam qënë për një debat parlamentar për ccdo gjë dhe debat parlamentar ka. Për sa kohë që për të cilat unë kam luftuar po bëhen, unë kam më pak arësye për të qënë më pak kritik dhe kam më shumë arësye për të qënë më shumë pasionant pozitiv dhe për të shpresuar më shumë.
Ccfarë mendimi keni për një aleancë të mundëshme me LSI-në e Ilir Metës në vitin 2013?
Kjo është një intrigat më të mëdha të mozaikut politik shqiptar. LSI që kemi sot nuk është më LSI që ka qënë para vitit 2009 dhe nuk është më LSI e para 21 Janarit. Të paktën dy vitetet e fundit 2009-2011 kemi të paktën tre LSI dhe prandaj ccështja bëhet gjithnjë e më vështirë, sepse është njësoj si të përpiqesh të gjesh marrëveshje me një njeri që nuk është më ai. Kjo është e vështirë për secilin nga ne për marrëdhëniet njerëzore dhe për marrëdhëniet politike më shumë se kaq. Unë nuk dua të fajësoj asnjë sepse marrëveshja jonë me LSI-në nuk u garantua deri në vitin 2009 ccka do të na bënte ne fitues. Nuk diskutohet matematikisht të paktën. Por ka rrjedhur ujë që nga ajo ditë dhe kjo gjë besoj se është më e komplikuar se kurë. Unë nuk mund të them sesa kjo gjë është e mundur, por mund të them një gjë: për shkak se LSI është në qeveri është bashkëfajtore në një qeverisje të keqe, kjo nuk diskutohet, për shkak të 21 Janarit dhe për të gjithë ato arësye unë nuk mund të them nëse pakti PS-LSI është më i mundshëm. Por unë mund të them vetëm një gjë, se ne duhet të mësohemi dhe të përgatisim veten që të shkojmë në 2013 qoftë edhe pa LSI-në, ose pa LSI-në në përgjithësi, kjo pasi ka disa shkaqe që mund ta pengojnë deri në ditën e fundit këtë gjë. Madje mund ta kthejë këtë parti në raporte edhe më armiqësore në raport me ne se ccështë sot. Unë nuk jam orakull dhe nuk e di në do ndodhi apo jo kështu, por mund të them se duhet të jemi të përgatitur për të shkuar pa LSI-në në 2013. Nëse kjo ndodh a është një plus apo minus këtë nuk di ta them akoma.
Një ndarje përfundimtare e Fatos Nanos nga PS do ta dëmonte nga pikëpamja elektorale të majtën?
Unë nuk mendoj se do ta dëmtonte, por është një gjë për të cilën unë nuk mendoj fare pasi nuk shoh se zoti Nano ka interes për këtë gjë.
Kur vlerësojë librin tuaj përballë atij të Ramës, kryeministri Berisha u kujdes që të vazhdonte një diversion të vjetër që ai tenton të bëj mes jush dhe zotit Rama. A mendoni se kritikat tuaja janë përdorur nga Berisha?
E kam thënë dhe një herë, Sali berisha është banal, është banal kur merret me librat, është banal kur merret me familjet, është banal kur merret me tema që s’i takojnë fare. Kështu u tregua edhe në këtë rast dhe mund të jetë kryeministri i vetëm në botë që rri dhe shan librat. Vetëm në kohën e Maos shaheshin librat dhe digjeshin. Sali Berisha sot në fakt i thotë kundërshtarëve të tyre që merrni librat e Edi Ramës dhe Blushit dhe digjeni. Mua më ka ndodhur që të ma djegin librin. Kjo ka ndodhur në Tetovë para tre vitesh, ku kanë shkuar në panair dhe kanë djegur librin. Edhe për këtë arësye. Pra mendoni si frymëzohen njerëz të verbër politikisht nga prijësi i tyre, kryeministri. Sa i takon akuzave unë nuk kam furnizuar kurrë Sali Berishën, si kam kredituar apo huazuar asnjëherë akuza. Unë s’kam qënë kurrë banal. Kam patur konflikt publik me Edi Ramën dhe as ai as unë s’kemi qënë banal.
Po ju vet ccfarë keni korrigjuar në veten tuaj?
Unë dhe PS-ja nuk jemi dy gjera të ndryshme. Ka patur shumë nejrëz që më kanë thënë që si ka mundësi flet kaq shumë. E di që ka qënë ky perceptim, por nuk më ka mërzitur përsa kohë s’ka qënë i vërtetë. Mua më mërzit e vërteta jo ajo që nuk është. Ka patur moskuptime të mëdha në vitin 2009 deri në vitin 2010, e para pse unë dhe kolegët e mi e bëjmë këtë gjë. E dyta ku donim të shkonim ne me këtë gjë dhe e treta kë ndihmonim më shumë partinë tonë apo kundërshtarin. Sigurisht këto dilema i kam pasur dhe unë. Sepse kam patur këto dilema vendosa dhe është hera e parë që flas që nga shkurti i vitit 2010. Kam folur vetëm në Kuvend kur më është dhënë mundësia të flas, sepse edhe këtu ka qënë një pikatore se unë kam qënë një njeri me biografi të keqe dhe ndoshta jam akoma brenda PS-së, por s’dua të merrem me këtë pjesë. Ka pas shumë njerëz që më kanë paragjykuar për këtë arësye. Nga viti 2010 nuk kam folur dhe ju them pse dhe kjo është e vërtetë. Në qoftë se do kishte vazhduar me tensionin, me nervat, edhe unë njeri jam, që kishim në vitin 2009, në shtator, tetor, nëntor, dhjetor dhe fillimi i vitit 2010 ka pas shumë acide ndoshta. Pyetja që i kam bërë vetes në atë kohë ishte ku po shkoja? Sepse në qoftë se do vazhdonte ajo gjë ne po shkonim drejt një partie tjetër.
Do shkonit drejt një partie tjetër?
Do shkonim drejt një partie tjetër. Nuk ishte dëshira jonë, por po na shtynin aty. Presioni që vinte nga shumica brenda PS-së ishte shumë radikal dhe shumë përjashtues për fat të keq. Dhe në rast se unë s’do ndaloja dhe me bashkë me kolegët e mi s’do ndalonim, atëherë mund të shkonim drejt një partie tjetër. Kjo është një gjë që unë nuk doja ta bëja. Dhe unë nuk dua të dal sot si djalë i mirë dhe të them se bëra se do t’i prishja punë partisë time. Jo. S’e bëra se e dija që do ndihmoja Saliun, dhe nuk e kam dashur këtë gjë dhe s’e dua. Ndaj kam preferuar që të futem në errësirën time dhe t’i jap kosto profilit tim publik sepse jam paragjykuar, të dal nga fusha e lojës. Unë kam dal nga fusha e lojës, faktkisht unë kam dalë nga fusha e lojës, sepse është si në futboll. Në qoftë se del një vit e gjysëm nga fusha e lojës, tifozët kanë arësye të ta thonë. Por në fund të fundit kjo është karriera ime. Pra i kam marrë përsipër këto kosto vetëm për këtë arësye. E dija që nëse ajo histori do vazhdonte, e famshmja LMN, që nuk është fakt ashtu, do vazhdonte, sot do kishim një parti tjetër të vogël, të majtë, por të padobishme ndoshta. E padobishme në sensin që nuk do ishte për ne, por shumë më e dobishme për Saliun. Këtë gjë e kam menduar dhe po e them sinqerisht që ishte një kosto për mua. E kam bërë me koshiencë.
A ka ende anëtarë të LMN që mendojnë ende sicc mendonit ju dy vjet më parë?
Dua të bëj një sqarim për LMN-në se nuk e kam bërë asnjëherë. LMN është një konvension që nuk është i imi në fakt.
I kujt është?
Nuk është i imi, është më shumë i shtypit. Unë se kam përdorur.
Shtypi nuk mund të shpikë...
Po e them atëherë dhe këtë. Kur ne filluam, ishim pesë deputetë dhe secili përpiqej të kishte rolin e vet brenda mundësive të veta, protagonizmin e vet. Në disa raste për fat të keq disa gazeta filluan ta quajnë lëvizja Blushi. Kjo nuk ishte lëvizje ime. Një koleg i imi ndoshta me të drejtë, i cili kishte arësye të mos futej në një lëvizje që kishte mbiemrin tim u ndje keq dhe doli një ditë në televizor dhe tha që kjo nuk është Lëvizja Blushi, por është Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Unë s’e kam përdorur kurrë këtë fjalë. Pozicionet tona në përgjithësi janë më të zbutura. Ne ishim pesë deputetë që ishim më të zëshëm ose më të zhurmshëm, por ishim në atë kohë 1/3 e Asamblesë dhe pothuajse 1/3 e Kongresit. Ka njerëz që i kanë injoruar, por kjo është e vërtetë. Kjo do të thotë që brenda PS kishte dhe akoma ka njerëz nuk kanë arësye dhe pse duhet të mendojnë si shumica, në qoftëse ka një shumicë të definuar të përcaktuar. Kjo nuk do të thotë që këta njerëz t’i ccosh në ekstrem, sicc u tentua të ccohen në rastin tonë. Unë e thash në fillim që në rast se të dyja palët do kishin qënë më të pjekura, ndoshta do kishim patur një dozë radikalizmi më të vogël në përgjithësi dhe Shqipëria do kishte vuajtur më pak. Jam i bindur.
Ka një ndryshim thelbësor mes vizionit tuaj dhe të atij të Edi Ramës për mënyrën sesi duhet të vini në pushtet dhe sesi duhet të përdoret ai?
Kam vetëm dy matësa për këtë gjë. Matësi i parë është viti 2009 dhe unë i kam thënë dhe do i mbetem asaj që kam thënë se ne nuk patëm vizionin e duhur dhe prandaj nuk ishim aq të besushëm jashtë partisë. Pra nuk morrëm vota sa duhet, sepse nuk i thamë shqiptarëve se ccfarë do bënim për ata. Matësi i dytë i vizionit është Kongresi i fundit që bëmë para një muaj. Është ky kongres i cili besoj se mbushi një vakum, në kuptimin që prezantoj disa ide, sesi luftohet varfëria, ccfarë reformash duhen bërë, si ka më shumë demokraci në Shqipëri, si mund të arrihet që megjithëse je i varfër nuk të hiqen e drejtat, si arrihet që polarizimi social të zbutet në Shqipëri, si t’ia bëjmë që ai që fiton më shumë duhet të kontribojë pak më shumë dhe ai që fiton më pak për të shteti duhet të jetë shumë më solidar. Pra ide që ne na kishin munguar për një kohë. Ky kongres i pati.
A keni bërë ju një marrëveshje me Edi Ramën për t’u bërë kryetar i grupit parlamentar? Në seancën e buxhetit ju folët gjatë….
Në seancën e buxhetit ka folur gati 60 % e grupit. Unë isha një nga folësat, kasha kohë si gjithë të tjerët. Unë me Edi Ramën nuk kam asnjë marrëveshje për të ndarë punë brenda PS-së. Ka besoj një mirëkuptrim për të bëra gjëra më mirë. Në shumë raste në distancë në disa raste në tavolinë. Nuk ka asnjë tentativë për të ndarë asnjë punë, për më tepër një punë që unë e kam patur dhe e kam lënë me vullnet të lirë.
Në vitin 2013 i bie që zoti Rama do jetë kandidat për kryeministër apo jo?
Me zakon dhe me statut i takon të jetë padyshim.
A është ky shansi i fundit për Edi Ramën dhe a do të bashkëpunoni me të që ai ta kapë këtë shans? Apo paralelisht do të prisni që ai edhe të humbasë?
Jo absolutisht jo. Duhet t’iu them një gjë këtu dhe bëre mirë që më ngacmove. Ka një sindromë të paarsyeshme brenda PS, që ka dëmtuar besoj imazhin tonë metodën dhe praktikën që kemi ndjekur, por dhe vetë Edi Ramën si imazh publik. Duket sikur PS nga 2008 e në vazhdim ka vetëm një hall. Si ta bëjë Edi Ramën kryeministër. E them këtë shumë qetë, Edi Rama duhet të jetë kryeministër nëse PS i fiton zgjedhjet. Është kryetar i partisë, ka një normë në gjithë botën demokratike, kryetari i partisë më të madhe qeveris. Po ky nuk mund të jetë i vetmi qëllim. Dëgjova para disa ditësh një intervistë të dikujt brenda PS-së, e pyesnin çfarë do bëni ju me taksat? Dhe thoshte që kur të bëhet Edi Rama kryeministër taksat do jenë më të ulta, kur të bëhet Rama kryeministër do integrohemi dhe çdo pyetjeje i përgjigjej kështu. Ky po kthehet në një hall. Ne nuk e kemi hall si ta bëjme Edi Ramën kryeministër. Kjo është pasojë e ardhjes së PS në pushtet. Nëse ne duhet të kemi një projekt është se si duhet t’i qeverisim dhe jo t’u themi aman hajdeni dhe ju me ne që ta bëjmë Edin kryeministër. Nuk është ky dhe nuk duhet të jetë ky qëllimi jonë. Dua të them diçka, gjithë ata që mendojnë se duhet të vijë Edi Rama në pushtet me çdo kusht duhet të shërohen nga kjo sindromë. Kjo është pasojë, por nuk mund të jetë shkak.
A është Ben blushi në radhë për kreun e PS nëse gjërat nuk shkojnë mirë në 2013?
Unë nuk mendoj për këtë gjë fare. Kam shumë shpresë që viti 2013 duke bërë korrigjimet e duhura dhe duke patur më shumë solidaritet e më të arsyeshëm e duke mos u hequr sikur jemi më të mirë se gjithë të tjerët ne mund të bëjmë përmbysje të madhe. Nëse shkojmë në mënyrë modeste dhe pa fluturuar shumë të qetë e të arsyeshme ne mund të qeverisim shumë më mirë.
Po flitet se zoti Harasani dhe zoti Islami nuk do të jenë në kryesi. Ndërsa ndaj jush nuk pritet që të ketë të njëjtin qëndrim, ndonëse sëbashku ju keni patur thuajse të njëjtat qëndrime pas vitit 2009. Përse mendoni se është bërë ky diferencim zoti Blushi?
Pavarësisht çfarë formati do ketë kryesia shpresoj që gjithë kjo gjë të bëhet mbi një parim. Parimet të mbrojnë interesat dhe atë që do të bësh. Do u kërkoja të gjithë atyre që duket sikur mendojnë ndryshe, që të gjejnë më shumë qetësi, ka shumë më shumë arsye për kohezion. Po afrohemi drejt një programi të cilit i besojmë dhe është më e thjeshtë për t’u puqur. E di që s’iu pëlqeu, por nuk preferoj të futem në emra për më tepër në emra miqsh.
Në korrikun e vitit të ardhshëm janë zgjedhjet Presidenciale. PS duhet të investohet për zgjedhjen e një presidenti konsensual apo duhet të lërë PD-në të marrë edhe një pushtet tjetër përveç atyre që ka?
Unë mund të them dy gjëra. Për arsye të njohura nuk votoj për Bamir Topin president. Se kam bërë as në vitin 2007. Jo sepse ishte nënkryetar I PD-së dhe në atë kohë edhe mund ta mendoja kështu. Por sepse mendoja dhe kështu më ka dalë se ky njeri ishte I papërshtatshëm për detyrën. Mbetet I papërshtatshëm se sot është më I mirë se është pak me ne. A e dini ju çfarë mendon Bamir Topi për Gërdecin? Jo. Çfarë mendon Bamir Topi për 21 janarin që është ngjarje në Bulevard? Jo ai thotë është ngjarje në Bulevard, Saliu thotë grusht shteti, unë them është vrasje në Bulevard. Ky nuk ëhstë qëndrimi i një Presidenti. E di unë çfarë mendon Bamir Topi për zgjedhjet e vitit 2009, çfarë mendon për 8 Majin? Jo. Ky njeri i ka munguar datave kulmore të mandatit të vet, i ka ikur, ka qenë gjithmonë pozicion jashtë loje. Por nuk dua të merrem me pozicionin e tij. Sa i takon presidentit të ardhshëm..
Nuk mendoni se një parti e krijuar nga zoti Topi mund t’i sjellë një dëm kundërshtarit tuaj?
Sigurisht ai mund të jetë kryetar i një partie të vogël apo të madhe të djathtë gjë për të cilën do e respektoja, si President nuk e votoj. PS nuk i ka votat për ta bllokuar një president teorikisht. Opozita nuk i ka 71 bvota dhe në këto kushte kjo e kondicionon sjelljen tonë parlamentare. Deri në korrikun e vitit 2013 mund të ndryshojnë gjërat . Nëse asgjë nuk ndryshon, sjellja jonë parlamentare nuk duhet të jetë kushtëzuese. Në këto kushte duke respektuar gjithë dinakërinë të lojës parlamentare ne duhet të jemi principalë. Ne duhet t’u japim identikitin e Presidentit që duhet të kemi. Në rast se ne i themi shqiptarëve se si duhet të jetë presidenti, ata do e kenë të lehtë të kuptojnë se çfarë presidenti po zgjedh Saliu. Ne mund të luajmë me kontrastin, me parimin, me emra nuk mund të luajmë dot.
Marrë nga “Top Story”