Kryesia e re e PS-së, emrat e sigurt dhe kush pritet të mos zgjidhet
Rama do të propozojë sot një shtim të numrit të anëtarëve të kupolës rozë, nga 16 në 25. Gramoz Ruçi pothuaj i sigurt për t’u rizgjedhur në krye të asamblesë
Partia Socialiste do të përmbyllë sot me zgjedhjen e forumeve të saj qendrore procesin e zgjedhjeve në parti, të nisur që nga vera e shkuar. Do të jetë pikërisht Asambleja e re ajo që do të zgjedhë me votim të fshehtë kryesinë, sekretariatin, komisionin e zgjedhjeve në parti dhe kreun e ri të saj. Ndërkohë që përveç interesit për emrat që do të propozojë kryetari i PS-së, Edi Rama, për në këto forume, ajo që konsiderohet si risi për procesin e sotëm zgjedhor është dhe numërimi elektronik i votave të anëtarëve të Asamblesë.
Asambleja
Socialistët konstituojnë sot në “Vila Toskana”, që gjendet në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, Asamblenë e tyre të zgjedhur nga Kongresi i 5 nëntorit. Por në të njëjtën kohë, mbledhja e sotme përveçse shërben për konstituimin e Asamblesë, do të votojë për kryesinë e re, sekretariatin dhe komisionin e zgjedhjeve në parti. Gjithashtu po sot do të votohet edhe për të zgjedhur kreun e ri të Asamblesë. Para se të përfshihet në procesin e votimit pritet që kryetari Rama të mbajë një fjalë të rastit ku do të përqendrohet tek procesi i zgjedhjeve në parti, propozimet që sjell programi politik si dhe raportet e këtyre propozimeve me situatën politike dhe ekonomike në vend. Më pas do të vijojë procesi i zgjedhjeve, ku kreu socialist do të lexojë listat respektive për secilin nga forumet që do të zgjidhen, ndërkohë që vetë anëtarët e Asamblesë kanë të drejtë të bëjnë propozime shtesë. Megjithatë, kjo e fundit ka pak gjasa të ndodhë, në radhë të parë sepse kreu socialist i ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë që t’ia propozojnë atij emrat që kanë si sugjerime, por së dyti edhe sepse në bazë të statutit çdo emër që të përfshihet në listën e propozuar nga Rama për secilin forum duhet të marrë 50 plus 1 për qind të votave të anëtarëve të Asamblesë.
Listat
Megjithëse deri vonë në mbrëmje ka qenë e pamundur të gjendet një listë përfundimtare e kryetarit Rama për këto forume që do të rikompozohen nesër, ajo që mësohet është se së pari Rama do të propozojë një shtim të numrit të anëtarëve të kryesisë nga 16 që ka aktualisht në rreth 25, ndërkohë që postet e sekretarëve mund të shkojnë në 7. Zgjerimi i numrit të kryesisë justifikohet me shtimin e numrit të anëtarëve të Asamblesë, pra për të patur një proporcion rritje të barabartë në përqindje me atë të forumit më të lartë vendimmarrës të partisë mes dy kongreseve. Ndaj shtimi i numrit të anëtarëve të kryesisë duket si i ka dhënë mundësi kryetari të PS-së, Edi Rama, që të sistemojë sa më shumë figura në këtë forum, ku natyrisht 30% do të jenë femra. Por lista që do të propozojë Rama do jetë më e madhe se numri 25, me qëllim që t’i krijojë mundësi anëtarëve të Asamblesë të zgjedhin. Kështu bëhet e sigurt përfshirja në listën e asamblesë e një sërë figurash, si Namik Dokle, Blen Blushi, Erion Braçe, Valentina Leskaj, Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, e Arben Malaj, ndërkohë që pritet të ketë dhe shumë emra të rinj. Ndërkohë që e sigurt jepet mospërfshirja në këto lista e Kastriot Islamit, ndërsa nga ana tjetër në dyshim konsiderohet Andis Harasani, i cili me shumë gjasa do të përfshihet në listë për t’ia lënë në dorë më pas Asamblesë për të vendosur nëse do të jetë apo jo pjesë e kryesisë së re. Ndryshime më të mëdha pritet të ketë në sekretariatin ekzekutiv, ku si sekretar për çështjet ekonomike dhe programin pritet të propozohet Arben Ahmetaj, në postin e sekretares për Barazinë Gjinore pritet të kandidohet Eglantina Gjermeni, për atë organizativ pritet të rikonfirmohet Blendi Klosi, ndërkohë që në pozicionin e sekretarit për çështjet elektorale janë Damian Gjiknuri dhe Armando Subashi, dy emrat e përfolur. Lidhur me kreun e Asamblesë, burime nga PS japin të sigurt rikandidimin e Gramoz Ruçit. Ndërkohë që për shkak të teknologjisë që do të përdoret për numërimin e votave, rezultati i votimit pritet të dalë brenda ditës së sotme.
Rama: Askush në
PS nuk është i tepërt
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me Asamblenë e zgjeruar të rrethit të Kukësit. Në këtë takim me forumin drejtues të PS së Kukësit Rama ka bërë apel për një organizim të fuqishëm të forcës në këtë rreth. Duke folur në këtë takim, Edi Rama është shprehur për solidaritet duke nënvizuar “Askush nuk është i tepërt, i panevojshëm, vlen të bëjmë një bashkëbisedim miqësor për të kuptuar qëllimin e përbashkët, që t’i japim PS një frymë të re bashkimi”. Rama ka ftuar anëtarët e Asamblesë që të bëjnë secili prej tyre detyrën e vet në drejtim të organizimit dhe përçimit të Programit të ri të PS, që u bë publik në Kongresin e 5 nëntorit. “Jemi në një periudhë shumë të rëndësishme. Koha kur duhet të organizohemi shumë fuqishëm për të organizuar betejën zgjedhore. Me rëndësi që në frymën e Kongresit të 5 nëntorit dhe në funksion të përçimit të Programit të PS, jo vetëm për përmbajtjen e tij, por nëpërmjet një partie solidare, të gjithë të bëjmë diçka më shumë se kemi bërë”, - tha Rama. Ai gjithashtu ka theksuar se ka ardhur koha që PS ka nevojë për kontributin e gjithsecilit, pavarësisht nëse ka qenë dakord apo jo me mënyrën sesi ka drejtuar lidershipi socialist. “Duhet t’i japim një hov të ri Partisë Socialiste në Kukës. Problemi është tek vetja, të gjithë të japin kontributin maksimal, sepse secili ka diçka në dorë që gjërat të jenë ndryshe. Në një familje politike hyjmë për t’u bërë më të fortë. Nuk ka rëndësi nëse je një ish, nëse je një e ardhme, nëse je një burrë, nëse je një grua, nëse je me 4 klasë shkollë apo me master, nëse je 100 vjeç apo nëse je 16 vjeç, të gjithë kanë vendin e tyre në parti. Partia është një bashkim vullnetar dhe ne jemi në një llogore për të pasur përballë kundërshtarin”, - tha Rama.
Të bëhemi forca që udhëheq njerëzit
Një takim të dytë, të ngjashëm me atë të Kukësit, kreu socialist e ka zhvilluar në mesjavë edhe me Asamblenë e zgjeruar të rrethit të Lezhës, ku ka theksuar domosdoshmërinë e vendosjes së piketave të përbashkëta për të shndërruar në aksion përcjelljen në çdo derë të Programit të ri të PS. “Aksioni i përçimit të Programit të ri të shtrihet kudo. Të vendosim një piketë të rrugëtimit tonë të përbashkët. Jehona që ka krijuar Kongresi ka bërë që të ndihet në gjithë Shqipërinë interesimi i njerëzve për programin dhe tezat kryesore të tij, që bëjnë një dallim të qartë dhe ofrojnë për njerëzit një alternativë të re,” - është shprehur kështu lideri i opozitës, duke theksuar domosdoshmërinë që socialistët lezhianë kanë mundësi për të bërë më shumë në këtë drejtim. “Të bëhemi forca që udhëheq njerëzit” ka theksuar kreu i PS në Asamblenë e zgjeruar të rrethit të Lezhës, duke vlerësuar si një shembull shumë të mirë të maksimalizimit të energjive fitoren në zgjedhjet lokale në Bashkinë e Laçit. “Fitorja në Laç ka krijuar shembullin se PS, nëse maksimalizon fuqitë, fiton në çdo kilometër katror të Shqipërisë. Aty ku krijohen kushtet e bashkërendimit të energjive pozitive, PS fiton”, - u shpreh Rama. Në të njëjtën linjë me mesazhin e dhënë edhe në Kongresin e 5 nëntorit, Rama ka thënë se PS votat i ka dhe socialistëve u duhet vetëm t’i marrim. “Fitorja jonë nuk varet nga askush tjetër veçse nga ne,” përfundoi kryetari Rama, duke nënvizuar se baza e organizimit të çdo force politike siç është PS, është shpirti i skuadrës i njerëzve të saj.