E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrimi si President, 21 të shtëna arme për Leka Zogun

SHKRUAN: Jonida Tashi 02-12-2011 12:55

Ekrem Spahia: Pas homazheve në Parlament do të ketë edhe ceremoni fetare. Kryetarët e klerit mysliman, bektashian, katolik dhe ortodoks do të mbajnë fjalët e lutjes. Si sende me vlerë, në arkivol do t’i futen të gjitha medaljet që ai ka marrë nga personalitete të ndryshme gjatë jetës

Trashëgimtari i familjes mbretërore do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Sharrës, pranë nënës dhe bashkëshortes, me nderimet që i bëhen Presidentit. Megjithëse në Protokollin e Shtetit, ai bën pjesë në grupin e dytë të zyrtarëve të lartë, për të cilët ceremonia mortore duhet të organizohet nga shteti, duke u renditur pas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kryetarëve të klerit mysliman, bektashian, katolik dhe ortodoks, qeveria, ashtu siç deklaroi edhe Kryeministri i vendit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, do ta trajtojë atë si një Mbret jo në detyrë. Kështu, ceremonia mortore për pretendentin e fronit mbretëror Leka Zogu I do të përfshijë nderimet më të larta që parashikohen në Protokollin e Shtetit dhe që i rezervohen vetëm Presidentit, kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit. Edhe pse zyrtarisht Leka Zogu I nuk është mbret i shqiptarëve, ai do të nderohet si një kryetar shteti. Në përputhje me përcaktimet e ceremonialit zyrtar, arkivoli do të vendoset në shtratin e topit dhe do të mbulohet me flamurin kombëtar, ndërkohë që ulja e arkivolit në varr do të shoqërohet me 21 të shtëna nga truproja e nderit. Në fakt, sipas Protokollit të Shtetit, nderimi me 21 të shtëna arme i rezervohet vetëm Presidentit të Republikës, ndërsa për Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit bëhen 19 gjuajtje. Për të diskutuar rreth detajeve të ceremonisë mortore, ditën e djeshme edhe mbledhur edhe komisioni ndërministror i ngritur nga qeveria, për organizimin e homazheve. Në përbërje të këtij komisioni janë: zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto; ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami; një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i protokollit të Shtetit; një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nga Familja Mbretërore, në komisionin për organizimin e ceremonisë funebre bën pjesë kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), Ekrem Spahia. Pas mbledhjes së komisionit, kreu i PLL-së shprehet se homazhet do të bëhen ditën e shtunë, nga ora 10:00 deri në 12:00, tek holli i Parlamentit, ndërkohë që me kërkesë të Familjes Mbretërore është rënë dakord që pas kësaj procedure të kryhet edhe ceremonia fetare. “Mbas homazheve në Parlament, do të jenë katër drejtuesit e komiteteve fetare në vend që do të mbajnë fjalët e lutjes. Do të mbahet edhe një fjalim i shkurtër nga një përfaqësues i lartë i shtetit, që nuk është përcaktuar ende se cili do të jetë, ndërsa fjalimi i fundit do t’i rezervohet një përfaqësuesi nga Familja Mbretërore, që nuk është vendosur ende se kush do të jetë ai”, - pohon Spahia. Të afërm të Familjes Mbretërore kanë bërë të ditur se Leka Zogu I do të vishet me uniformë ushtarake, ndërkohë që në arkivol, si sende me vlerë do t’i futen të gjitha medaljet që ai ka marrë nga personalitete të ndryshme gjatë jetës. Kreu i PLL-së shprehet se deri tani nuk është përcaktuar ende se cili do të jetë vendi, nga ku do të dalë trupi i Leka Zogut I para se të dërgohet për ceremoninë funebre. Leka Zogu I është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, pas një beteje disaditëshe me jetën dhe vdekjen në repartin e terapisë intensive pranë pavijonit të Neurokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Leka Zogu I ka mbyllur sytë rreth orës 08:45 të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që shkak është bërë arresti i përsëritur kardiak.

Nderimi me të shtëna arme u rezervohet:

Presidentit të Republikës 21 të shtëna

Kryetarit të Kuvendit 19 të shtëna

Kryeministrit 19 të shtëna

Ministrave 15 të shtëna

Shefit të Shtabit të Përgjithshëm 15 të shtëna

Kortezhi, si do të bëhet lëvizja për në varreza

Lëvizja e kortezhit bëhet në orën 12:00. Arkivoli i vendosur në shtrat topi, i mbuluar me flamur kombëtar, niset nga vendndodhja, i shoqëruar nga gjashtë truproja nderi, tri në çdo anë. Përpara kortezhit ecën truproja e nderit e Gardës së Republikës dhe truprojat me jastëkët e kuq të dekoratave. Pas tyre vendoset banda, që ekzekuton marshin funebër. Familjarët dhe personalitetet ecin pas shtratit të topit. Kortezhi mbyllet nga populli i thjeshtë. Kortezhi ecën në këmbë deri tek ura e Lanës dhe prej këtej drejtohet i motorizuar tek varrezat. Pranë varrit janë përcaktuar vende të veçanta për familjarët, personalitetet e larta, të ftuar dhe për truprojën e nderit. Arkivoli vendoset në mbajtësen e posaçme. Truproja e nderit merr drejtqëndrim “për nder armë” gjatë lëvizjes së arkivolit. Personaliteti i caktuar bën përshëndetjen e rastit (3 minuta). Nga arkivoli hiqet flamuri me palosje dhe arkivoli vendoset pranë varrit. Ulja në varr e arkivolit paraprihet nga të shtënat e nderit. Skuadra përbëhet nga 5-7 ushtarë dhe komandohet nga një oficer. Armët mbahen 45-gradë nga horizontalja, me drejtim mbi varr. Të shtënat komandohen nga oficeri i truprojës. Mbas të shtënave skuadra merr drejtqëndrim “për nder armë”. Fillon ulja e arkivolit në varr. Gjatë varrimit mbahet heshtje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›