E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Konsensusi PS-PD inkurajues, 2012 viti i mundësive

TIRANË Fillimi i bashkëpunimit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe miratimin e disa ligjeve me 3/5-at janë konsideruar vendimtare nga Brukseli, për ta shndërruar vitin e ardhshëm si vitin e mundësive. “Jam i inkurajuar nga hapat vendimtarë të Shqipërisë për ngritjen e konsensusit mbi një sërë reformash. Inkurajoj fuqimisht shumicën në pushtet dhe opozitën për qëndrueshmërinë e këtij dialogu konstruktiv politik dhe të krijojnë një moment të ri drejt integrimit në Bashkimin Europian. 2012-ta mund të bëhet më në fund viti i mundësive",- deklaroi dje komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule. I pyetur nga TCH nëse ekziston një mundësi për marrjen e statusit kandidat në mes të vitit të ardhshëm, pra para raportit të radhës, Stefan Fule u përgjigj se nuk ka parashikuar ndonjë plan tjetër konkret për Shqipërinë, përveç raportimit të përvitshëm në kuadër të Këshillit të dhjetorit 2012. "Dëgjo... topi është atje ku i takon, te krahu shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme, përveç këtij qëndrimi, që ju keni krijuar një momentum, më në fund, dhe është e rëndësishme që të jepen rezultate. Është e rëndësishme që të jepen rezultate mbi 12 prioritetet kyçe, e, meqë ra fjala, gjyqësori, reforma e drejtësisë është një prej tyre. Ne mbetemi të gatshëm për të ndihmuar autoritetet shqiptare dhe të tjerë të interesuar për të bërë hapat e nevojshëm në dhënien e rezultateve mbi 12 prioritetet kyçe. Pasi ata t'i japin rezultatet, ne do të kemi mundësinë për të rekomanduar qoftë hapjen e negociatave për anëtarësim, në qoftë se besojmë se progresi i bërë nuk e meriton atë ende, të paktën një status kandidat. Në këtë periudhë, unë nuk po planifikoj të synoj ndonjë Këshill tjetër (të BE-së), përveç atij të dhjetorit 2012, si dhe të përdor raportin e progresit të tetorit të vitit të ardhshëm. Ka dhe nga ata që thonë: asnjëherë mos thuaj kurrë",- tha Fule. Deklaratat e Fules u mbajtën gjatë konferencës së radhës, të organizuar nga Miqtë e Europës për ecurinë e vendeve të Ballkanit në rrugën drejt BE-së. Në këtë konferencë ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›