Prishet konsensusi PD-PS, anulohet seanca plenare
Debate në Konferencën e Kryetarëve mes Topallit dhe Dokles, për kalimin në seancën e parashikuar për dje të Kodit Rrugor. PS ka kërkuar më shumë kohë për të bërë ndryshime të tjera në këtë Kod, ndërsa mazhoranca ka kërkuar që drafti të kalonte ditën e djeshme
Mazhoranca dhe opozita kanë dështuar dje që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit për ndryshimet në Kodin Rrugor, çka ka sjellë si pasojë dhe anulimin e seancës plenare të programuar në kalendarin trejavor. Përfaqësuesit e dy partive kryesore në Konferencën e Kryetarëve, të mbledhur dje në mëngjes, e kanë pasur të pamundur të gjejnë konsensusin për të mbyllur diskutimet në komisione të amendamenteve të paraqitura në Kodin Rrugor dhe për të thirrur seancën e djeshme plenare. Shkak kanë qenë pikërisht pretendimet e opozitës për të mos u ngutur në këtë çështje, pasi komisioni përgjegjës, që është ai i Veprimtarisë Prodhuese, sipas tyre ka ende nevojë për kohë për të diskutuar disa ndryshime të reja, të paraqitura nga nënkryetari i tij, Eduard Shalsi dhe disa grupe interesi. Ndërkohë që kjo ka sjellë dhe tensionimin e situatës, çka është shoqëruar edhe me debate të forta mes përfaqësuesve të të dyja palëve.
Konferenca
Ndryshe nga tri javët e fundit, konsensusi i arritur mes demokratëve dhe socialistëve nuk është përcjellë dot dje edhe në Konferencën e Kryetarëve, e cila është mbledhur për t’i dhënë zgjidhje problemit që lidhej me çështjen e Kodit Rrugor të programuar për t’u miratuar dje, si dhe për të miratuar kalendarin dhe programin e punimeve për pjesën e mbetur të sesionit parlamentar që mbyllet më 22 dhjetor. E ndërsa për programin dhe kalendarin palët s’kanë pasur dallime dhe i kanë miratuar ato me konsensus, pika e parë e rendit të ditës të mbledhjes së Konferencës, pra ajo që kishte të bënte me Kodin Rrugor ka sjellë debate të forta dhe në fund palët nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për ta miratuar në seancën e programuar për në datën 1 dhjetor. Kështu, burime nga mbledhja bëjnë të ditur se demokratët kanë kërkuar nga pala tjetër që t’i hapin rrugë miratimit të ndryshimeve në Kod, ashtu siç është rënë dakord më parë, në mënyrë që ato të kalonin në seancën e djeshme. Por socialistët, nga ana tjetër, teksa e kanë konsideruar të pashpjegueshëm nxitimin e mazhorancës, kanë theksuar që në fillim se Kodi Rrugor nuk mund të kalonte në seancën e programuar në kalendar për t’u mbajtur dje. Kjo sipas tyre, sepse në bazë të Rregullores, miratimi i një nisme ligjore në seancë nuk mund bëhet më parë se të kalojnë 72 orë nga miratimi i tyre në komision.
Debati
Ky pretendim mësohet se është bërë shkak edhe për një debat mes nënkryetarit të Kuvendit, Namik Dokle dhe kryetares Jozefina Topalli. Kjo e dyta ka kundërshtuar Doklen, duke iu drejtuar atij se “është gjynah, se ke qenë kryetar Kuvendi dhe nuk e njeh Rregulloren, ajo e përcakton dy ditë dhe jo tri”. Nga ana tjetër, Dokle ka replikuar me Topallin, duke i kujtuar se “ishte dy ditë, por Fatos Beja dhe Ylli Bufi e ndryshuan dhe e bënë 3 ditë, ndaj ajo që s’e njeh rregulloren je ti”. Pavarësisht këtyre debateve, socialistët kanë këmbëngulur se komisionit përgjegjës duhet t’i jepet koha e duhur për të shqyrtuar me qetësi të gjitha propozimet e mundshme, madje ata i kanë kujtuar palës tjetër se për Kodin Rrugor, PS-ja do të organizojë shumë shpejt dhe një tryezë të hapur me ekspertë të fushës. Por sipas demokratëve, kjo zvarritje ishte e pajustifikueshme, duke akuzuar nënkryetarin e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, se po pengonte qëllimisht miratimin e Kodit dhe reformat integruese. Në përfundim, Konferenca në pamundësi të konsensusit që Kodi të kalonte dje, ka shtyrë dhe seancën që ishte programuar për ditën e djeshme, dhe ka vendosur që Kodi Rrugor të kalonte të enjten tjetër, por duke qenë se ajo ditë ishte pushim zyrtar, është vendosur që të miratohet të hënën.