Blushi-Malaj: Do ta shkelim bojkotin
Bojkoti i Kuvendit dhe pse është vendim i forumeve të partisë mund të shkelet nga 5 deputetët që e kundërshtojnë këtë vendim. Shkelja e bojkotit pritet të bëhet në rastet kur Kuvendi do të votojë për reforma që kanë të bëjnë me integrimin e vendit, edhe pse kjo mund t’u kushtojë atyre përjashtimin nga partia. Këtë fakt e kanë pranuar në mënyrë të hapur dje dy drejtuesit e lëvizjes për mendim ndryshe në Partinë Socialiste, Ben Blushi dhe Arben Malaj, të cilët dhe pse kanë vendosur t’i binden shumicës, nuk kanë ndërmend të ecin qorrazi dhe të dëmtojnë karrierën e tyre politike e parlamentare për hir të Ramës. Ata ia kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre kundër bojkotit dhe ndërkombëtarëve, duke e përçuar mesazhin në vendin që kryeson aktualisht Bashkimin Evropian, Suedisë. Blushi e Malaj janë takuar me ambasadorin e Suedisë, Lars Freden, në ambientet e hotelit “Rogner”, ku e kanë njohur diplomatin perëndimor lidhur me qëndrimet e lëvizjes së tyre kundër bojkotit të Kuvendit nga ana e PS-së dhe kundër qëndrimit për mosnjohje të zgjedhjeve dhe të rezultatit të tyre. Ndërsa për kthimin e tyre të mundshëm në Kuvend, Ben Blushi tha: “Ne kemi vendosur t’i bindemi vendimit politik të Partisë Socialiste, pavarësisht se kjo është në kundërshtim me pikëpamjet tona. Sigurisht që nëse një ditë Shqipëria do të ketë nevojë që të mbështesë reformat që nxisin apo përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ne do të marrim vendimet e duhura në favor të Shqipërisë dhe në asnjë rast në favor të qeverisë, apo Sali Berishës. Vendimet tona janë gjithmonë në favor të Shqipërisë, në funksion të integrimit dhe të anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Ndërsa kolegu i tij, Arben Malaj, i cili ishte i pari që la të kuptojë këtë prishje të bojkotit, shtoi se “ishte një ftesë për të gjithë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të marrim përgjegjësinë që Partia Socialiste të mos mungojë në momente historike të vendit të saj. Pasi kjo e dëmton rëndë edhe kredibilitetin dhe sfidat e Partisë Socialiste. Pra ishte një ftesë e sinqertë, dhe është momenti që të paktën për vendimmarrje të rëndësishme që përshpejtojnë integrimin e vendit, nga të cilët fitojnë të gjithë shqiptarët, Partia Socialiste në këto momente të jetë produktive dhe e efektshme”.
Zgjedhjet në parti
Votimet e sotme që do të mbahen në të gjitha degët e Partisë Socialiste, për të votëbesuar në një farë mënyre Edi Ramën në krye të partisë, janë kontestuar dje nga grupi kundërshtar. Tensionimi i situatës ka ardhur duke u shtuar në javën e fundit para zgjedhjeve, ndërkohë që Rama dhe kandidati tjetër Maqo Lakrori vazhdonin takimet në bazë. Shkak për tensionim është bërë shkarkimi i disa komisionerëve, ndërkohë që deputetët që janë kundër këtyre zgjedhjeve janë shprehur se standardet e tyre të lënë për të dëshiruar, edhe në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të cilat kritikon Rama.
Gjatë një konference për shtyp, përfaqësuesit e “Lëvizjes për mendim ndryshe”, Ben Blushi dhe Arben Malaj, thanë se procesi i zgjedhjes së kreut të ri është i kompromentuar, për shkak të presionit që sipas tyre, po kryen Edi Rama ndaj komisionerëve. “Ka sinjale nga të gjitha rrethet që këto zgjedhje nuk po menaxhohen siç do duhej për të krijuar një diferencë mes mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet më 28 qershor dhe zgjedhjeve brenda PS-së. Komisionerë që mendojnë ndryshe nga një pjesë e Partisë socialiste janë shkarkuar në mënyrë arbitrare. Kjo garë nuk dha për fat të keq garancitë që prisnim”, - u shpreh Blushi. Ndërsa Arben Malaj tha: “Sigurisht që zgjedhjet në një nga forcat politike të vendit janë të rëndësishme nëse ato do të ishin të organizuara, bazuar në një garë reale. Shqetësimet që janë ngritur për standardet e zgjedhjeve kanë impakt negativ në kredibilitetin që i duhet çdo force politike. Besoj që të gjithë duhet të jemi të interesuar të shikojmë pas zgjedhjeve se cilat do të jenë zhvillimet sidomos lidhur me qëndrime që do të mbajë PS ndaj institucioneve të vendit të saj”.
Klosi: Gara do jetë transparente
Akuzave të deputetëve për mendim ndryshe u është përgjigjur sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili ftoi dje anëtarët e partisë që të votojnë. Ai garantoi se procesi do jetë transparent gjatë votimit dhe gjatë numërimit të votave. “Procesi do të jetë transparent. Do të zhvillohet pranë çdo bashki dhe komune. Bëhet fjalë për 400 qendra votimi në gjithë Shqipërinë. Ftohen në votime rreth 82 mijë socialistë, të cilët do të votojnë me parimin “1 anëtar, 1 votë” për kryetarin e ri. Rezultati do të dalë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, në komunikim të vazhdueshëm me mediat”, - tha Klosi. Ai nuk dha sqarime dhe përgjigje për kritikat e ngritura për rritje artificiale të numrit të anëtarësisë dhe shkarkimin e disa komisionerëve.