E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtari i mirë Maqo



Absurditeti i kësaj gare nuk mbetet vetëm tek podiumet e stilit amerikan me dy pretendentët për kryetar të ardhshëm. Rama guxon dhe e quan këtë gjë si zhvillimin më demokratik në PS. “Ky zhvillim i rëndësishëm për Partinë Socialiste, kjo garë është shprehje e së vërtetës se kjo parti është e vetmja forcë demokratike, ku demokracia e brendshme është një realitet dhe jo një parullë”, - tha ai para dy ditësh, megjithëse guximi i tij nuk shkon aq larg sa të pranojë një përballje televizive, duke refuzuar ftesën e rivalit

Maqo Lakrori dhe pse nuk është futur në këtë garë për të bërë ushtarin Zhvejk, që vë në lojë eprorin e tij, dashje pa dashje po bën çdo ditë e më shumë qesharak togerin Rama. Në tentativë për të na treguar një garë të vërtetë politike për kreun e PS-së, me podiume në dy anët e skenës, me fjalime të ndryshe, me pyetje e përgjigje nga salla, Edi Rama dhe Maqo Lakrori përcjellin tek çdokush që ka sadopak njohuri për politikën një skenë të përshtatshme për penën e Jaroslav Haçek. As ata vetë nuk e besojnë atë që mundohen të ndërtojnë çdo ditë me ture “serioze” nëpër rrethe, ku gjasme përplasen dy kundërshtarë, dy platforma, dy ide për të ardhmen e PS-së. Çdo detaj i kësaj gare, që nga mënyra se si Lakrori hyri në garën për kryetar të PS-së, duke e shpëtuar realisht këtë garë, e cila pritej të ishte mes Ramës dhe kundërshtarëve realë të tij, Arben Malaj ose Ben Blushi. Në momentet e fundit kur kreut të Partisë Socialiste, i vendosur të mbante me çdo kusht postin e tij dhe pse statuti i kushtëzonte largimin pas humbjes së zgjedhjeve, i duhej një kundërshtar, i duhej një emër, por ky të mos ishte Shkëlqim Meta (kandidati i përhershëm i garave në PS, që këtë radhë nuk e lejuan të garonte përballë Ramës). I duhej një figurë pak më serioze, më i njohur dhe me kredibilitet në publik. Për këtë zgjodhi Maqo Lakrorin. Po. Ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. Ai nuk hezitonte që herë pas here të hidhte platforma dhe ide në mbledhjet e forumeve, madje dhe dy ditë para kongresit botoi një intervistë në gazetën “standard”, ku kritikonte mungesën e demokracisë në PS, por nuk kishte shfaqur ndonjëherë ambicie aq të mëdha për të qenë kryetar i PS-së. Ai nuk e pranoi që të kishte këtë ambicie as kur ia ofroi dhuratë në tavolinë Ramiz Alia në vitin 1991, siç e ka pranuar vetë Lakrori. Ai nuk kishte ambicie aq të largëta, sepse nëse do t’i kishte, të paktën do të kishte punuar për ta realizuar këtë disa javë para kongresit. Si mund të garosh në një garë pa krijuar më parë një grup mbështetësish, një filozofi që pranohet nga një pjesë e partisë dhe që të jep garanci se do të mund të kesh sukses? Lakrori nuk i bëri këto hapa paraprakë, sepse nuk e dinte që do të garonte, ai e vendosi këtë një natë para kongresit, sepse duhej një kundërshtar për Ramën që të legjitimohej gara.

Përballja

Udhëtojnë të dy bashkë në makinë, hanë dhe drekat apo darkat në qytetet ku i zë rruga në takimet elektorale. Fjalimet e Lakrorit dhe të Ramës shpërndahen nga e njëjta zyrë shtypi. Janë të qetë, të panxituar, nuk kërkojnë të krijojnë eufori dhe mbështetje në favor të tyre. Duket sikur mezi presin që të përfundojë ky muaji shtator dhe të vijë data 26, ku socialistët do të shkojnë të votojnë për të mbajtur kryetarin e vjetër, dhe pse në fakt duhet që të zgjedhin kryetarin e ri.

Kundërshtarët e Edi Ramës qeshin sa herë i shohin në televizione Edi Ramën dhe Maqo Lakrorin në turin nëpër rrethe. Në fillim ndonjë dashamirës i fortë i Ramës mund të gjente ca shkëndija të një gare, duke parë pretimet dhe idetë e Lakrorit, që për hir të së vërtetës duhet thënë që s’i mungojnë pas një jete të gjatë në PS, por pak nga pak fjalimet e tij filluan të ngjanin me ato të Ramës. Nëse në nisje ai ishte kundër bojkotit të Kuvendit nga ana e PS-së, më tej nuk e përmendi më këtë, e përqafoi idenë për zgjedhje të parakohshme, teza e Ramës gjithashtu. Ishte për t’u shënuar ndonjë shkarje nga skema, siç ishte rasti i një mësimi të vogël që Lakrori ndoshta ia dha pa dashje Ramës në një takim me bazën, ku i pyetur nëse kryetari duhej të largohej nga drejtimi i partisë kur humbiste zgjedhjet, tha se nëse do të ishte kryetar i PS dhe do humbiste në sfidën elektorale, do të dorëhiqej. Toni i butë me të cilin flet socialisti i vjetër nuk e shqetësoi sallën, por s’do i ketë ardhur aspak mirë Ramës, i cili dha një përgjigje që i shkonte për shtat vetëm atij. “Do largohem nëse humbas në zgjedhje të lira”, - thotë ai, megjithëse është po ai vetë që e mat kutinë e lirisë së zgjedhjeve.

Por absurditeti i kësaj gare nuk mbetet vetëm tek podiumet e stilit amerikan me dy pretendentët për kryetar të ardhshëm. Rama guxon dhe e quan këtë gjë si zhvillimin më demokratik në PS. “Ky zhvillim i rëndësishëm për Partinë Socialiste, kjo garë është shprehje e së vërtetës se kjo parti është e vetmja forcë demokratike, ku demokracia e brendshme është një realitet dhe jo një parullë”, - tha ai para dy ditësh, megjithëse guximi i tij nuk shkon aq larg sa të pranojë në përballje televizive, duke refuzuar ftesën e rivalit. Padyshim që flet për PS-në pas ardhjes së tij ose kujtesën do e ketë të dobët të kujtojë përballje të vërteta Nano-Majko, Nano-Meidani (i cili mbështetej nga Meta) apo dhe Meidani-Rama. Nëse në garat e mëparshme janë përballur dy grupe rivale, dy platforma, dy liderë të partisë që synonin të fitonin realisht dhe bënin çdo përpjekje për ta bërë këtë, në garën e shpikur nga Edi Rama nuk ka as lajm, përveç rasteve kur ndonjë socialist i guximshëm i bën pyetje apo i kërkon llogari Ramës për humbjen e zgjedhjeve.

“Që kur punohej për transformimin e PP në PS, reformatorët socialistë kanë pas ëndërruar për një parti ku çdo individ të ndihet i respektuar, i lirë që të shprehet për çdo çështje, i lirë që të kritikojë gjithçka dhe cilindo e të zhvillojë personalitetin e vet, dhe po aq i lirë që t’i bashkojë propozimet dhe aftësitë e tij me të tjerët, në shërbim të një qëllimi të përbashkët”. Kështu u shpreh Lakrori “i lirë” në intervistën dhënë “standard” pak ditë para se të vendoste të hiqte dorë nga ëndrra dhe të bëhej pjesë e garës farse për kryetar të partisë. Ai mund t’i besojë ato që thotë në podiumet ku e çon Rama, ai mund të ëndërrojë ndoshta akoma për një parti me demokraci të vërtetë, por ai vend e ka bërë qesharake këtë demokraci dhe e ka ndalur në kohë realizimin e ëndrrës së reformatorëve të PP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›