E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi-Malaj, plani i përbashkët për të unifikuar kandidaturën

Përballë Edi Ramës do të jetë vetëm kandidatura e deputetit Arben Malaj

Në vigjilje të Kongresit të PS-së, që troket vetëm pas 10 ditësh, pritet që të gjitha figurat e Partisë Socialiste që nuk mbështesin kreun aktual të PS-së, të grupohen rreth një kandidature të vetme që do të rivalizojë Edi Ramën dhe që me shumë gjasa përballë Ramës do të jetë vetëm Arben Malaj. Ndonëse ka qenë Ben Blushi ai që ka kritikuar dhe ka ngritur zërin i pari mbi nevojën e dorëheqjes së parevokueshme të Edi Ramës pas humbjes së zgjedhjeve më 28 qershor, duket se deputeti i Korçës ka vendosur të mjaftohet me pozicionin e një njeriu kritik ndaj Ramës, pa u përpjekur të hyjë në garë me të. Dje paradite Blushi ka zhvilluar një takim në Tiranë, në hotel “Sheraton”, me kandidatin e shpallur për kryetar partie, Arben Malaj, ndërsa ky i fundit, pasditen e së mërkurës, zhvilloi një takim të gjatë me ish-kreu e PS-së, Fatos Nano. Vendimi i Blushit për të mos kandiduar duket se lidhet me dy arsye të ndryshme, të cilat lidhen si me planin e grupit brenda PS-së që nuk mbështet Edi Ramën, por edhe me vijimësinë e qëndrimeve të Blushit.
Deklarata
Pak kohë më parë, i ftuar përballë gazetarëve në një emision televiziv, Ben Blushi deklaroi se Edi Rama duhej të jepte dorëheqjen e parevokueshme dhe të mos kandidonte. Sipas Blushit, një rikandidim i Ramës do të ishte një proces pa thelb dhe që sipas tij do t’i kthente në një proces formal dhe jo të besueshëm zgjedhjet në Kongres. I pyetur nëse do të kandidonte vetë për kreun e partisë, Blushi komentoi se ende nuk kishte vendosur se si do të vepronte, por shtoi se ishte thelbësore që Edi Rama të mos rikandidonte që në PS të zhvillohej një garë normale dhe demokratike. Sot, rreth 1 muaj më vonë, të gjitha gjasat janë që Blushi të mos kandidojë, ndërsa Edi Rama pohoi vetëm tri ditë më parë vendimin e tij për të rihyrë në garën për kreun e partisë. Megjithatë, Ben Blushi duket se në këto kohë është një katalizator i fuqishëm i grupit “anti-Rama” në Partinë Socialiste dhe në prag të zhvillimit të Kongresit ai ka shpeshtuar daljet e tij në krah të Arben Malajt, kandidatit të shpallur për postin e numrit 1 të partisë më të madhe opozitare të vendit.
Maksimalizimi
Duket se rrethi i njerëzve brenda PS-së që nuk dëshirojnë një rikandidim apo një ridrejtim të PS-së nga ana e Edi Ramës po i kushtojnë një vëmendje të madhe maksimalizimit të votave të tyre në Kongres. Të gjitha figurat dhe personazhet politikë të këtij rrethi janë mbledhur aktualisht rreth kandidatit Arben Malaj duke e parë të paleverdishme fragmentarizimin në disa kandidatë të votave që nuk do të shkojnë për Edi Ramën në Kongres. Ethet e Kongresit kanë nisur të përfshijnë selinë e Partisë Socialiste, ku ndonëse në një stinë të nxehtë pushimesh verore, korridoret e PS-së kanë nisur të gëlojnë ditët e fundit si pasojë e parapërgatitjeve për zgjedhjet në Kongres. Disa ish-zyrtarë të PS-së, që kanë humbur pozicionet e tyre në vitin 2007, kanë kritikuar së fundi në media mënyrën se si po zhvillohet procesi parazgjedhor, por nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga ana e selisë rozë për këto kritika.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›