E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Tahiri: “Të gjitha emërimet e Berishës janë nepotike”



Socialistët kanë kundërshtuar dje emërimin më të fundit të kryeministrit Berisha, atë të prefektit të ri të Tiranës, Keltis Kruja. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka akuzuar Berishën për emërime nepotike. Sipas Tahirit, i gjithë pushteti është vënë në shërbim të fëmijëve dhe familjarëve të kreut të qeverisë. “Emërimi më i fundit i Sali Berishës, dhe i pari për mandatin e ri qeverisës tërësisht të pamerituar dhe vjedharak, është kryekëput simbol i filozofisë së pushtetit që ka karakterizuar maxhorancën e PD-së në të shkuarën e që fatkeqësisht kështu do vazhdojë edhe për ditët që i mbeten kësaj qeverie. Sali Berisha emëroi prefekt të Tiranës shokun e ngushtë të Shkëlzenit dhe Rrahmanit, duke dhënë dëshminë e radhës për pushtetin abuziv dhe financiar të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive. Është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit e shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e të çdo sekseri tjetër që u bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij”, - është shprehur Tahiri. Ai ka bërë të ditur se Shqipëria po mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e kryeministrit, ndërkohë që institucionet publike, ministritë, Policia, Dogana dhe gjithçka varet nga kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish. “Pas Gërdecit, ku Shkëlzen Berisha ishte arkitekti kryesor i sipërmarrjes vdekjeprurëse, pas skandaleve të njëpasnjëshme ku Argita Berisha ka qenë dhe mbetet paradhoma e taksës familjare, Sali Berisha vazhdon praktikat e atij që është peng i pushtetit korruptiv të fëmijëve të tij, duke emëruar prefekt të Kryeqytetit një njeri që kontribut të vetëm ka shoqërinë e mirë me Shkëlzenin dhe Rrahmanin. Partia Socialiste është e vendosur të demaskojë në sytë e publikut këto praktika nepotike dhe korruptive. Pushteti feudal e klanor i Sali Berishës do të marrë fund njëherë e mirë së bashku me pushtetin paralel të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmatit e të gjithë atyre që kanë guxuar e vazhdojnë ende të kafshojnë e rrjepin pasurinë e shqiptarëve për llogari të xhepave të tyre”, - është shprehur Tahiri.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›