E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: PS po krijon ndjenjë inferioriteti dhe mosbesimi

 

Aristir Lumezi

Deputeti socialist Ben Blushi tha dje se me qëndrimet e saj PS po krijon ndjenjë mosbesimi tek shqiptarët. Pas mbledhjes së asamblesë kombëtare, një nga kundërshtarët kryesorë të veprimeve dhe qëndrimeve të kryetarit socialist, e cilësoi vendimin për bojkot të zgjedhjeve të pjesshme si demotivues. “Unë jam kundër vendimit për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki dhe komuna, pasi besoj që është demotivues dhe i pamotivuar. Besoj se PS po zhvillon një ndjenjë inferioriteti, duke iu thënë shqiptarëve dhe atyre që e votojnë, që për sa kohë që Sali Berisha është në pushtet, ne nuk vijmë dot në pushtet. Jemi të paaftë të mbrojmë votat tonë qoftë edhe në një regjim si ky që kemi”, tha Blushi. Deputeti socialist tha gjithashtu se vendimi për bojkot ndaj Parlamentit po pasohet nga të tjera vendime për të bojkotuar të gjitha përballjet me kundërshtarin politik. “Kjo nuk është qasja e duhur, PS po tërhiqet nga të gjitha pozicionet e saj, rrezikon në këtë rrugë të bojkotojë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale, në rast se, siç ka gjasa për fat të keq, kutitë nuk do hapen. Për të njëjtat arsye mund të mos hyjë në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të thotë se partia del krejtësisht jashtë sistemi. Këtë kam argumentuar në këtë mbledhje asambleje, i mbetem detyrimit që çdo parti politike ka për të hyrë në zgjedhje, për sa kohë që është një regjim pluralist, pavarësisht se problematik si ky i joni, për të mbrojtur votat e veta dhe për të motivuar njerëzit duke i mësuar të votojnë për to”, tha Blushi. Duke folur në lidhje me bojkotin e Parlamentit, Blushi tha se qëndrimi i gjatë i deputetëve socialistë jashtë Parlamentit, do të çojë në humbjen e durimit. “Unë besoj se vetë Partia Socialiste do të humbi durimin duke qëndruar jashtë Parlamentit. Arsyet për të hyrë sot, në të ardhmen e afërt do të jenë më të mëdha, se sa arsyet për të mos hyrë aty, të PS, jo të pesë deputetëve, janë duke pritur që durimi të soset, sigurisht që presioni ndërkombëtar dhe i brendshëm në PS, të detyrojë dhe të motivojë grupin parlamentar që herët apo vonë të kthehet në sallën e Parlamentit. Pasi jam i bindur se i vetmi faktor që favorizohet nga mungesa e opozitës në Parlament është Qeveria”, tha Blushi. Një nga kundërshtarët kryesorë të bojkotit të Parlamentit nga ana e deputetëve socialistë, Blushi mbron mendimin se me hyrjen në Kuvend nuk mbaron kërkesa për hapjen e kutive të votimit. “Hapja e kutive me pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme nuk ka lidhje. Kush i përgjigjet pyetjes se nëse kutitë nuk do të hapen edhe për dy vjet, PS nuk do hyjë në zgjedhjet lokale? Kush i përgjigjet se kutitë nuk do të hapen kurrë apo do të digjen për arsye që nuk varen nga ne, PS nuk do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, kudo qofshin ato? Kush i përgjigjet pyetjes se nëse ka zgjedhje të parakohshme pas dy muajsh apo gjashtë muajsh, një nga kërkesat që PS nuk po e përsërit më, nuk do të hyjë në zgjedhjet e parakohshme se kutitë nuk janë hapur? Ne jemi aty për të votuar, jemi për t’i bindur shqiptarët se ne jemi shumicë në Shqipëri”, u shpreh deputeti socialist dhe njëkohësisht anëtar i kryesisë socialiste. “Shumica nuk bëhet me protesta por me zgjedhje, tha Blushi, duke shtuar se i vetmi i favorizuar nga bojkoti i opozitës është Qeveria që po vazhdon punën e saj rregullisht”.

Harasani: Të drejtohet mirë mbledhja
Deputeti socialist Andis Harasani i kërkoi kryetarit të Asamblesë Kombëtare të drejtojë si duhet mbledhjen. Sipas tij: “Ruçi po e drejton mbledhjen si Jozefina që ndërhyn dhe replikën me çdo njeri me të cilin ai nuk është dakord”. Por deputeti socialist ka replikuar me Ruçin dhe për shkak të një kamere që filmonte gjatë diskutimeve të anëtarëve të Asamblesë. “Kamera që po filmon anëtarët e Asamblesë nuk është miratuar në mbledhje, kërkoj të hidhet në votim, ashtu siç kemi bërë dhe në mbledhjet e tjera për kamerat dhe mikrofonat”, është shprehur Harasani, ndërsa Ruçi i ka
sqaruar se ajo ishte kamera që filmonte për arkivin e PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›