Kuzhe: Lojtarët e rinj i zgjedh federata, jo unë
Leonard Karaj
Trajneri i Kombëtares ka pohuar se talentet e rinj që vijnë në ekipin përfaqësues, nuk i zgjedh ai, por drejtuesit e federatës.
Të synosh të veshësh fanellën kuqezi, nuk duhet thjesht të kesh talent por edhe ta kesh mirë me ata të federatës. Një gjë e tillë, ndonëse indirekt e ka konfirmuar dje tekniku i përfaqësueses kuqezi, në konferencën për shtyp post-Suedia. I pyetur nga gazeta “Panorama”, Kuzhe ka pohuar se lojtarët e rinj sillen në Kombëtare nga FSHF-ja dhe më pas ai i provon nëse janë të vlefshëm apo jo. “Që në fillim ka pasur një program mes meje dhe federatës edhe porsa i përket lojtarëve të rinj. Di që drejtuesit e federatës merren me vëzhgimet dhe zbulimet e lojtarëve, dhe më pas më thonë që t’i marr në skuadër e t’i provoj. Plus fakti që thuajse që të gjithë lojtarët kalojnë nga ekipi U-21, të paktën kjo praktikë ndiqet këtu”, ka pohuar Kuzhe.
Por më e keqja në këtë mes qëndron në faktin se trajneri nuk arrin të marrë informacionin e nevojshëm për talentë të rinj, sidomos për ata që luajnë jashtë Shqipërisë. Kuzhe pranoi se nuk kishte asnjë të dhënë mbi lojtarë si Edgar Çani, futbollist i Palermos, i huazuar te Padova, Renaldoi Rama (TuS Koblenz), Andi Çorri, deri sezonin e shkuar një lojtar i U-18 të Milanit, këtë sezon te Grosteto. Pikërisht për shkak të neglizhencës dhe informacionit të pamjaftueshëm, Kombëtarja shqiptare humbi edhe talentë si Sotir Nini, Elini Dhimutso dhe Albi Kondi, të cilët kanë zgjedhur tashmë kombëtaren greke.
Ndërkaq Kuzhe zbardhi edhe enigmën e drejtimit të tij në tri ndeshjet e fundit zyrtare në kualifikimet e Botërorit 2010. “I përdora ndeshjet për të parë situatën. Mund të them se kam eksperimentuar me skuadrën. Puna ime e vërtetë fillon me eliminatoret e Kampionatit Evropian 2012. Federata ishte e qartë kur më punësoi”, tha ai. Tekniku paralajmëroi për ndryshime të mëdha në ekip, duke theksuar se tre ndeshjet zyrtare (bilanci: 1 barazim, 2 humbje) dhe 3 ndeshjet miqësore, duke përfshirë edhe Greuther Fyrth (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) i shërbyen atij për njohjen më të mirë të lojtarëve që ka pasur në dispozicion.
“Dikush më kënaqi me formën e tij, disa të tjerë jo. Do të ketë emra të rinj në skuadër, ndonjë nuk do të jetë më anëtar i ekipit Kombëtar”, theksoi Kuzhe, i cili nga ana e tij ka investuar jo pak për promovimin e portierit Samir Ujkani dhe mesfushorit Emiljano Vila. Trajneri kroat pranoi lojën amatore dhe gabimet foshnjarake të lojtarëve në ndeshjen me Suedinë, ku spikati gafa e Armend Dallku në golin e dytë të suedezëve. Shqipëria e mbylli fushatën kualifikuese në vendin e parafundit në grupin 1 me 7 pikë, duke marrë vetëm 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, në barazimet 0-0 me Maltën dhe 1-1 me Danimarkën. Ndeshja e ardhshme e Kombëtares është ajo me Estoninë, më 14 nëntor në Talin.
Ujkani: Humbje shokuese, zhgënjyem totalisht
Portieri i Kombëtares, Samir Ujkani, i cili luajti takimin e dytë rresht si titullar, ndihet i pezmatuar nga humbja shokuese në Stokholm. “Ishte një humbje e rëndë, sepse nuk meritonim të pësonim katër gola. Luajtëm më mirë dhe nuk mund të them që rezultati i përket lojës së zhvilluar. Më erdhi shumë keq për tifozët, sepse ishin në një numër të madh në stadium dhe nuk u kënaqën”, u shpreh Ujkani në një prononcim për albaniasoccer. “Goli i parë erdhi shumë shpejt dhe padyshim kjo i dha një lehtësi në lojë vendasve. Më pas ne luajtëm mirë dhe papritur një moment delikat në disfavor tonë dhe ata e dyfishuan rezultatin. Menjëherë, shënuan edhe golin e tretë dhe kjo ishte shumë e vështirë më pas për t’u kthyer në pjesën e dytë”, theksoi Ujkani, i cili sot do luajë për Novarën në Serie C1.
Rapolder: Skela sjell shprese te Koblenz
Shpresat e tifozëve të Tus Koblenz për një fitore në ndeshjen kundër Rot Vajs Ahlenit (takimi luhet të dielën) janë të varura edhe te blerja e re e klubit, Ervin Skela. Këtë e përforcon edhe trajneri i Tus Koblenzit, Uve Rapolder, promotori i sjelljes së kapitenit të Kombëtares shqiptare te skuadra gjermane e Bundesligës 2. “Ervini është një njeri shumë i rëndësishëm për ne. Ai sjell cilësi dhe do të stabilizojë skuadrën”. Sipas gazetës gjermane “Rhein-Zeitung”, shqiptari me përvojë të madhe konsiderohet si “der Schlüssel” (çelësi) i zgjidhjes të jo pak problemeve te Koblenzi, që renditet në vendin e tretë nga fundi i tabelës së Bundesligës 2. “Është tipi i futbollistit që na ka munguar”, thekson trajneri Uve Rapolder. Skela është një nga gjashtë lojtarët shqiptarë te Koblenzi.