E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Vendosëm të mos marrim pjesë në zgjedhjet e pjesshme

 

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi në përfundim të saj bëri publike vendimet e marra në këtë mbledhje. “Asambleja miratoi propozimin e bërë nga Kryesia e PSSH, që Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit 2009, për 4 komuna dhe 1 minibashki”, u shpreh Ruçi. Kryetari i Asamblesë ritheksoi standardet e munguara të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në vazhdim të qëndrimit të saj politik, lidhur me kërkesat e parashtruara për maxhorancën, ku PS ka mendimin se procesi zgjedhor i 28 qershorit është i deformuar dhe nga ana tjetër jemi ndeshur në këtë periudhë që ka kaluar me një heshtje të maxhorancës aktuale, për mos hapje rrugë të transparencës për të hetuar krimin elektoral që ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh Ruçi. Sipas tij, Asambleja miratoi axhendën politike të subjektit tonë politik, me një ndryshim që kjo axhendë do të pasurohet, duke bërë të qartë të gjithë atë problematikë që ka paraqitur edhe Progres Raporti i KE lidhur me vendin tonë. “Asambleja miratoi nenin lidhur me zgjedhjet e reja në parti dhe organizatat e partisë në zbatim me normat statutore. Miratoi pa ndryshime grupin e punës për përmirësimet dhe ndryshimet në Programin politik dhe në Statutin e partisë, si dhe një projektvendim për organizimin e strukturave të PSSH, në emigracion, në ato vende ku ka shqiptarë dhe ku legjislacioni i tyre e lejon këtë”, tha Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›