VIZION PLUS, emisionet dhe surprizat e sezonit të ri
Petrika GROSI
Pas një sezoni të suksesshëm, tashmë është duke nisur një tjetër sezon i ri për programacionin e Vizion Plusit. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë sërish formatet e tij të preferuara, të pasuruara me elementë të spektaklit dhe risi televizive, e po kështu, edhe suprizën e këtij sezoni që pritet të jetë Spektakli i Vallëzimit... Format tepër modern ky, që të kujton një nga spektaklet më të ndjekura në SHBA si “Dancing with the Stars”, ku interpreton balerini më i njohur shqiptar në botë, Toni Dovolani. Spektakli karakteriziohet si një reality show special që sjell personazhet VIP të ekranit në një dimension tjetër, në të cilin nuk i kemi ndeshur shpesh. Ata do të garojnë mes tyre në një kompeticion interesant vallëzimi për të fituar një çmim të konsiderueshëm, ç’ka do ta bëjë garën edhe më të ethshme. Pra, 12 protagonistë të skenës, politikës, ekranit apo shoqërisë civile, do të vallëzojnë të shoqëruar nga 12 balerinë profesionistë, vendas apo edhe të ardhur nga shtete të tjera.
EDICIONET INFORMATIVE
Vizion Plus në programacionin e tij të larmishëm, prodhon edhe transmeton rregullisht pesë edicione lajmesh përveç edicioneve flash, ku në mënyrë përmbledhëse e në hark kohor prej 120 sekondash evidentohen lajmet kryesore në formë të shkurtuar. Vizion Plus shpreh dhe transmeton informacionet dhe lajmet në mënyrën më të pavarur e objektive. Kjo gjë dëshmohet më së qarti nga fakti se në të gjitha edicionet e lajmeve theks kryesor u jepet atyre informacioneve qe ndjellin interesin e publikut por edhe që lidhen me aktualitetin.
FAKTORI PLUS
Vazhdon emisioni i analistit të njohur, Mero Baze, i cili zbërrthen zhvillimin kryesor të ditës dhe qartëson atë që ka humbur mes faqeve të gazetave dhe ekraneve televizive. Emisioni ka për qëllim fokusimin te një zhvillim i rëndësishëm i ditës, kryesisht politik dhe te të gjithë elementët e tjerë mediatike që kanë bërë të mundur ndriçimin apo errësimin e tij.
ZIP
Një prodhim i Departamentit të Informacionit; çdo mëngjes me Jonida Shehun dhe Rezear Xhaxhiun në diskutimin e temave më të diskutuara të aktualitetit në rrethet shoqërore e politike. Në studio të ftuar specialë, analistë e opinionistë, personalitete të shoqërisë civile, politikanë, individë, të cilët kanë lidhje direkte apo indirekte me temat e diskutuara. Një emision i trajtuar në aspektin e një bisede të hapur në studio, ku debati dhe komentet do të jenë epilogu i një ditë të re që sapo ka nisur. Një format i ri që shënoi shifra rekord audience në vendet ku u aplikua për herë të parë dhe që sezon pas sezoni është konsoliduar në ekranin e Vizion Plusit.
ZONË E LIRË
"Zonë e Lirë" vazhdon emisioni me karakter gjeneralist, i cili mbështetet mbi aktualitete të ndryshme politike, sociale dhe kulturore, lokale e ndërkombëtare, duke i përcjellë ato nëpërmjet personazheve që ideatori dhe drejtuesi i emisionit, Arian Çani fton në studio. Këto personazhe janë protagoniste të ngjarjeve direkt ose indirekt. Promovimi është në thelb të intervistave që zhvillohen në studio. Politikanë, artistë, shkrimtarë, gazetarë e shkencëtarë janë çdo të premte protagonistë, autorë apo “viktima” të ngjarjeve e ndodhive të ndryshme, duke rrëfyer e dëshmuar historitë e tyre si dhe duke hedhur më shumë dritë mbi to.
BY PASS
Me ndryshime në format dhe shumë të reja, By Pass do të vijë edhe këtë sezon, çdo javë, për të “keqinformuar” publikun, duke trajtuar ngjarje të ndryshme nën optikën satirike dhe humorin e hollë të Agim Bajkos. Lajme, fenomene e dukuri të ndryshme, personazhe VIP, të fshehtat e të pathënat e tyre, gjithçka me synimin e vetëm që të godasë dhe thumbojë fort gjëra që edhe pse na revoltojnë, nuk gjejmë guximin e duhur për t’i denoncuar.
ZONË E NDALUAR
Nën etiketën e dokumentarit, “Zonë e Ndaluar” do të trajtojë histori, ngjarje, dhe personazhe që kanë qënë dhe mbeten në qendër të aktualitetit, por që në mënyrë të pashmangshme do të shihen më thellësisht duke dhënë njëkohësisht një mundësi filtrimi dhe analize të fakteve përmes zërave pro dhe kundër. Duke synuar zbulimin e së vërtetës, gazetari i mirënjohur Andi Bushati do të gjendet sërisht mes zonave të ndaluara, për të sjellë në dritë ngjarje dhe histori nga e shkuara dhe e sotmja, të njohura e të panjohura, të cilat do të serviren më hollësisht dhe do ju shoqërojnë deri aty ku askush nuk ka qënë më parë. “Të zbulosh më shumë nuk është kurrë e ndaluar” - nën këtë moto, Bushati do të sjellë vazhdimisht këndvështrime të reja duke shkundur pluhurin nga një gamë e gjerë temash që nisin nga cështjet sociale, të kronikës së zezë, të debatit kulturor dhe historik dhe të aktualitetit politik.
MOS U NXEH
Loja “Mos u nxeh” do të vazhdojë me garimet e personazheve të njohura që vendosen në pikënisjen në krye të skenës bashkë me flamujtë, ngjyrat dhe karikaturat respektive. Konkurentët do të hedhin një zar të madh, i cili do të vendosë fatin e lojtarëve, duke i pzicionuar këta të fundit në situata të ndryshme, të këndshme e të sikletshme e duke i vënë në provë të fortë nervat dhe durimin e tyre. Mes numrave, njësoj si në lojën mjaft popullore fshihen dënime, detyra e dhurata.
MOS E BESO PO DESHE
Udhëtimet nëpër Shqipëri dhe në botë do të vazhdojnë të prezantohen në studion e Vizion Plusit nëpërmjet programit “Mos e beso po deshe”. Formati përmban material të mjaftueshëm për të ngopur oreksin e çdonjërit për fakte të çuditshme dhe të mrekullueshme. Duke synuar kuriozitetin, emisioni premton të tërheqë audienca midis femrave e meshkujve që variojnë nga 7-70 vjeç.
CHIC PLUS
Një program nga Fjodora Fjora që synon t’i drejtohet një target grupi teleshikuesish të apasionuar pas artit dhe të informojë të gjitha kategoritë e shikuesit, profesionistë e amatorë mbi ngjarjet dhe zhvillimet në botën e kinemasë, teatrit, letrave, arteve pamore, operas dhe modës. Siç e kemi ndjekur në të kaluarën, CHIC është një format televiziv që fokusohet kryesisht mbi historitë personale, performancat dhe opinionet, të cilat lidhen me ngjarjet artistike dhe artistët, kulturën, gjetjet apo risitë e ndryshme.
KAFE EKSPRESS
Një emision i konceptuar në formën e një maratone programore në dinamikën e së cilës mund të gjeni informacionin e përditshëm utilitar. Gjithçka është e konceptuar brenda ambienteve të një shtëpie ku protagonistët, prezantueset, personazhi që do të prezantojë horoskopin dhe personazhi që do të prezantojë rubrikën e kuzhinës, së bashku me të ftuarit e përditshëm krijojnë një marrëdhënie ndërpersonale, e cila do të synojë t’i kthejë teleshikuesit në protagonistë dhe të sigurojë për ta të gjithë informacionin e nevojshëm.
RUBRIKA SPORTIVE
Çdo javë me të rejat e fundit nga bota e sportit. Kronika, gola, rastet e diskutueshme, incidentet në fushat sportive dhe qëndrimet mbi to, parashikime e vlerësime, komente dhe intervista me protagonistët e ndeshjeve. Të ftuar në studio çdo të shtunë do të jenë personalitete e figura të shquara të futbollit shqiptar, analistë, gazetarë, protagonistë të ndeshjeve, që do të komentojnë dhe përcjellin qëndrimet e tyre lidhur me atë çfarë ka ndodhur në javën respektive të kampionatit. Në hapësirën e këtij programi do të informoheni edhe me gjithçka mbi kampionatet më të bukura në botë si Seria A, PremierLiga, BundesLiga etj.
5 Shtator 2009