ORINDA HUTA: Ankthi i paskuintave dhe zhveshja në skenë
Petrika GROSI
Personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend” është një këngëtare e re, e njohur për publikun dhe shumë e dashur, sidomos për moshat e reja. Orinda Huta, e sapokthyer nga pushimet në Turqi, flet ekskluzivisht për gazetën “Albania” mbi jetën e saj, zhvillimet më të fundit, planet për të ardhmen, miqtë, pasionet, dëshirat, momentet më emocionuese në skenë e jashtë saj e shumë të tjera.
Sapo jeni kthyer nga Turqia, ç’do të thoshit lidhur me këtë udhëtim?
Ja kam kaluar shumë mirë dhe do të doja të ishin pak më të gjata këto pushime, gjithsesi, kam mbetur e kënaqur dhe e pangopur. Veç plazhit dhe shërbimit cilësor, aty kam bërë edhe rrally e gjëra të tilla, tip aventure, që janë në tipin tim.
Me kë ishit aty?
Me familjen time. Pse, kanë dalë fjalë që isha me të dashurin?! (Qesh)
Ndërkaq, para intervistës më thatë se po përgatisni këngën e re. Për çfarë bëhet fjalë?
Po e realizoj për Këngën Magjike të këtij viti. E dua shumë këtë këngë që është e realizuar nga Alban Kondi, Doktor Flori dhe Shpëtim Saraçi. Kënga nuk u bë tani. Ajo ka qenë si projekt që vjet por u ndjeva më mirë ta lija për më vonë në mënyrë që të ishte më e pjekur. Nuk mund t’ju tregoj shumë detaje mbi këtë këngë tani, por ju siguroj se është ndryshe nga këngët e tjera. Në fakt, bëhet fjalë për një baladë.
Si kaloi kjo verë?
Ishte intensive por ama e kam gjetur kohën, si për veten ashtu edhe për familjen time. Pas disa koncerteve, i kam ndaluar aktivitetet për një muaj që t’i përkushtohesha familjes. Më kishte ardhur dhe motra nga Irlanda dhe nuk më interesonte asgjë tjetër më tepër se sa të rrija pranë familjes.
Keni kënduar nëpër lokale apo jo?
Kam qenë në disa vende; Vlorë, Durrës, Borsh e Velipojë. Po kështu kam qenë edhe jashtë Shqipërisë, në Maqedoni e Kosovë.
Ndërsa me detin e keni marrëdhënien e mirë, po me turizmin malor si shkoni?
E kam shumë qejf edhe malin. Ndaj më pëlqen bregdeti shqiptar sepse i ka malin edhe detin së bashku në një vend. Por, mesa duket, shqiptarët ende nuk ja kuptojnë vlerat kësaj pasurie të rrallë të natyrës dhe investimet mungojnë.
Thatë se në Turqi morët pjesë në rrally. Si ishte kjo përvojë?
Qe hera e parë për mua. Edhe pse u mbyta në tym dhe nuk po shihja më, u kënaqa shumë.
Po sporte të tjera a ju pëlqejnë?
Kam pasur qejf basketbollin dhe volejbollin por për një kohë të gjatë nuk jam marrë me to dhe më duket sikur nuk di më t’i luaj. E vetmja gjë që më mbetet për të ushtruar trupin janë pishina dhe palestra.
Lexoni?
Sigurisht që lexoj. Tani jam duke lexuar disa libra mes të cilëve “Avokati i Djallit”.
Si po ecën shkolla?
Si gjithë të tjerët, edhe unë kam disa provime në shtator për t’i shlyer, e pastaj do t’i rikthehem vitit të fundit.
A është e lehtë ta ndash kohën mes gjithë këtyre impenjimeve, familjes, shoqërisë dhe të dashurit?
Më del koha, vetëm se duhet ta strukturoj mirë. Zgjohem herët. Nuk e kam mëngjesit në orën një të drekës.
Pra, nuk është se bëni jetë nate?
Bëj jetë nate por nuk është në preferencat e mia të dal nëpër pube. Më pëlqen të shkoj në ndonjë restorant të qetë, të ha një darkë të mirë dhe të pij e të argëtohem aty.
Ku qëndron problemi, nuk të pëlqen të kërcesh?
Më pëlqen shumë të kërcej por ndoshta nuk e duroj dot muzikën që buçet. Nuk më pëlqejnë ambjentet e pubeve të Shqipërisë ku muzika është shumë e fortë dhe kjo mua më streson, duke mos më ngacmuar dhe ndikuar fare për të bërë qejf. Ndoshta njerëzit janë mësuar me këtë lloj muzike dhe kjo lloj muzike i bën të pijnë sa më shumë e të kërcejnë. Muzika që nuk ka muzikë brenda luhet shpesh nëpër pubet e Shqipërisë.
A keni krijuar ndonjë miqësi të re kohët e fundit me artistët apo edhe me njerëz të thjeshtë?
Nuk ka ndonjë miqësi të re. Vazhdoj të kem një marrëdhënie shumë të mirë me Albanin si dhe me grupin “Produkt 28”. Miqësi me të tjerë nuk është se kam shumë.
Muzika lirike, a të pëlqen?
E kam dëgjuar kur isha e vogël (dhjetë vjeçe). Në atë kohë ka pasur në periudhë, kur për një vit të tërë kam dëgjuar vetëm dy disqe me muzikë lirike e instrumentale. Më pëlqen ta dëgjoj muzikën lirike por jo ta këndoj.
Çfarë mbani mend kur ishit dhjetë vjeçe?
Isha një vajzë jo si gjithë të tjerat. Një fëmijë i lëvizur. Biçikleta ishte mjeti im i preferuar. Ecja në çdo lagjie me biçikletë. Kam pasur biçikletë me kondra e pastaj lloje të tjera. Mbaj mend dhe biçikletën që më dhuruan prindërit në moshën 5-vjeçare. Sa i takon shoqërisë kam pasur shokë e shoqe por lidhjet më të ngushta i kisha me shokët. Gocat nuk më tërhiqnin shumë pasi gjithë kohës rrinin në një fushë dhe luanin, kishin orare të caktuara që dilnin dhe më dukeshin tepër pasive.
Po sot a dilni me biçikletë?
E përdor herë pas here por qëkur mbusha 18-vjeç dhe mora makinën nuk dal aq sa më parë me biçikletë. Madje, atëherë kam qenë e njohur për biçikletën. Sot është pak e bezdisshme një mjet i tillë ngaqë kur u kalon njerëzve afër duhet të frenosh, po kështu edhe me makinat ke vështirësi. Unë jam pak e çmendur me biçikletë dhe i frikësoj të tjerët pasi dua të iki sa më shpejt. E kam gabim, e di, por kështu jam gatuar. Pastaj, biçikleta ka edhe një gjë tjetër; nuk të lejon të veshësh funde. Mendoni, një femër nuk mund të rrijë gjatë gjithë kohës vetëm sportive. Më merr malli për biçikletën dhe ndonjëherë dal me të e bëj ndonjë xhiro rreth lagjes.
Garderoba juaj?
Është shumë, po shumë e madhe... E kam pasur si zakon që nuk i hidhja rrobat edhe pse i blija, i vishja një herë dhe nuk i përdorja më. Kështu vazhdoja të zmadhoja rraftin derisa ai binte. Në një moment të caktuar vendosa që t’i falja ato rroba që nuk i vishja më. Megjithatë, garderoba ime mbetet shumë e madhe.
Cila është veshja më e shtrenjtë që keni?
Sigurisht që nuk e kam marrë në Shqipëri. Veshja ime më e shtrenjtë vjen nga Irlanda dhe është një fustan. Sa u takon ngjyrave, më pëlqejnë më tepër të ndezurat, por edhe roza, shega e bojëqielli, të cilat kanë ëmbëlsi brenda.
Si orientoheni pas modës?
Zakonisht nuk kam pasur përplasje me modën e çdo viti që ka dalë. Kam qenë gjithmonë në një linjë me modën e re, ndoshta dhe një vit më përpara. Shpesh, kam qejf që t’i dizenjoj vetë gjërat e mia. Zakonisht i vizatoj në letër veshjet para se t’i çoj te rrobaqepësi. Gjithashtu, i adhuroj modelet e LTB-së. Nuk rrezistoj dot para asaj firme dhe sa herë që kaloj para dyqanit blej një veshje të re.
Duke u nisur nga ky pasion e talent për stilimin, e keni menduar ndonjëherë që të krijoni një linjë tuajën?
Pse jo?! Për momentin jam duke i hedhur në letër gjërat që kam në mendje.
Si është kur bëhesh imazhi i një firme dhe e shikon veten nëpër reklama?
Është një pjesë shumë e këndshme që ju takon artistëve ose njerëzve të njohur. Mbetet kënaqësi të reklamosh një firmë prestigjoze orësh si “Rivaldi”, e cila ka nisur fushatën promocionale këto kohë dhe ka vënë një sërë makinash lëvizëse në Tiranë që qarkullojnë në qytet duke shfaqur fytyrën time.
Le të kthehemi te kënga. A të ndodh të këndosh në shtëpi?
Sigurisht që ndodh. Këndoj në dhomën time ose edhe në studio. Gjithsesi, shtëpia është një vend i mirë për ta provuar zërin.
Çfarë bën kur je poshtë me moralin?
Më pëlqen të ec, qoftë me këmbë apo edhe me makinë, ose të rrotullohem në lagje me biçikletë. Nuk është se më pushton shpesh melankolia.
Nëse secili krijon një imazh për vetveten, ju si do ta karakterizonit Orindën?
Intelgjente, e talentuar, e thjeshtë dhe aspak xheloze për gjërat apo sukseset e të tjerëve. Gjithmonë bëj atë që më pëlqen mua dhe nuk shtyhem nga ambicja për t’iu hyrë në pjesë të tjerëve. Çdo gjë që e kam dashur e kam arritur dhe kështu ka ndodhur qëkur isha e vogël.
Çfarë ka ndryshuar brenda jush gjithë këto vite?
Nuk jam më aq e hallakatur siç ndodhte kur isha fëmijë. Tashmë kam hyrë më shumë në konturet e femrës dhe mundohem t’i shoh gjërat me më tepër kujdes. Asnjëherë nuk bëj diçka pa e menduar mirë, kështu që nuk pendohem për zgjidhjet e mia.
Kur mendon se do të jetë koha për të krijuar familje?
Deri tani nuk e kam menduar sepse jam ende shumë e re. Nuk kam menduar për të bërë familje por kam ndjekur motrën dhe vëllain tim teksa kanë bërë fëmijët e tyre. Kam arritur të përjetoj lindjen e fëmijës nga time motër dhe të shikoj pas tri muajsh sesa e vështirë është të ngrihesh në orën 5 të mëngjesit apo në mes të natës për të plotësuar nevojat e fëmijës. Zgjimi pa orar ishte një gjë shumë e keqe dhe tjetra, kujdesi i madh që duhet treguar për fëmijën, ecja pas rritmit të tij, më duken një gjë tepër e vështirë për mua. Deri atëherë kisha dashur një fëmijë dhe thoja me vete, sesa bukur do të ishte sikur të kisha një beb.
Po sa i takon nevojës për të bashkëjetuar me një shok, a ekziston për ju?
Nuk është diçka që e shoh larg dhe bashkëjetesa më pëlqen si ide. Kam pak rezervat e mia se çfarë do të ndryshojë kur të martohesh por gjithsesi, bashkëjetesa është një gjë e mirë që duhet kaluar.
Pra, i druhesh paksa bashkëjetesës dhe krijimit të familjes?
Duhet të vijë koha e duhur për çdo gjë dhe nuk mund të marr përgjegjësi që nuk më takojnë në moshën 22 vjeçe. Megjithatë, mendoj se një fëmijë është bekim nga Zoti dhe nuk jam kundra.
Sërish te muzika. Kur e keni zbuluar talentin tuaj?
Në klasë të pestë ishte mësuesja e muzikës që më provoi. Më tej kalova me një zyshë tjetër. Ajo më mbajti për një vit rresht në shkollën “Fan Noli”, duke më mësuar më shumë rreth këngës, mënyrës se si duhet të hapja zërin, si të punoja me kraharorin etj. Kam mësuar shumë gjatë atij viti.
ǒmendim keni për mënyrën provokative të këngëtarëve në veshjet dhe stilin e tyre?
Shfaqja e një këmbe apo e një pjese të trupit që ndjell diçka te publiku është pjesë e spektaklit dhe nuk mund të paragjykohet. Je brenda një performance dhe kjo të detyron t’i përshtatesh asaj. Nuk mendoj se do të ishte e përshtatshme veshja komplet e mbuluar nga koka deri te këmbët apo anasjelltas.
Shumë pak e ndan kufirin e së bukurës - tendencës, nga banalja. Si e caktoni ju atë?
Përshembull, një veshje, sado transparente të jetë duhet të shfaqë klasin dhe të përshtatet me këngën. Edhe kur ka ndodhur që personalisht të jem zbuluar, gjithçka është përshtatur mes këngës dhe stilit. Besoj se kjo është ndarja kryesore. Në momentin që ti ke një këngë baladë dhe vishesh si prostitutë kjo nuk mban. Pastaj duhet treguar pak shije që të mos zhvishesh komplet. Kur nxjerr diçka poshtë e fsheh pjesën lart, ndërsa kur nxjerr më shumë lart, mbulon pjesët poshtë.
Meqënëse jemi te zhveshjet. Keni bërë ndonjëherë plazh nudo?
Kam shkuar njëherë në një plazh që nuk e dija se ishte nudist dhe pasi qëndrova pak u largova, nuk u zhvesha. Nuk më pëlqeu fare mjedisi. Aty pashë ca pleq e plaka lakuriq. Ishte një tmerr i vërtetë për sytë e mi dhe nuk u ndjeva aspak rehat.
Përveç skenës së muzikës dhe stilimit të rrobave, a keni pasur ndonjë pasion tjetër?
Dikur doja të vazhdoja juridikun por nuk u realizua. Megjithatë, nuk më ka mbetur ndonjë peng i madh pasi Shqipëria ka mjaft juristë. Në fakt, e kam si tip që dua t’i bie gjithmonë në ballë të padrejtës. Më pëlqen të mbroj të drejtën dhe të pozicionohem në krah të të drejtit. I përjetoj shumë padrejtësitë, madje edhe për gjërat më të thjeshta që mund të ndodhin në publik apo në një lokal, deri te sjellja e kamerrierit, mënyra si ai e hedh ujin në gotë etj. Klienti meriton respekt për atë që paguan. Për këtë arsye unë nuk zgjidh shumë lokale e restorante të ndryshme por vetëm dy – tre. Stresohem shumë kur shkoj në një mjedis të panjohur, me shërbim të nivelit të ulët. Nuk është se jam rritur me lugë floriri por korrektësia është pjesë e karakterit tim. Nëse irritohem, mund ta stresoj të gjithë tavolinën dhe nuk është e pëlqyeshme një gjë të tillë.
Si reagoni ndaj paragjykimeve që mund bëjnë pa të drejtë njerëzit rreth jush, komshinjtë apo edhe kalimtarët që nuk ju njohin?
Ju vë limite atyre dhe nuk mundohem që të përshtatem.
Si luhateni mes dy pasioneve tuaja, këngës dhe stilimit, modës?
Para dy vitesh bëra aplikimin për të vazhduar një shkollë stilimi në Londër dhe në momentin e fundit u mendova dy herë para se ta dërgoja formularin... Madje, jam zënë me motrën për këtë gjë. Ajo kishte shumë qejf që të vazhdoja shkollën në Londër. Dhe po të kisha aplikuar, besoj se do të fitoja pasi të gjitha kriteret që ato kërkonin i plotësoja. Si përfundim u tërhoqa.
Ju ndodh shpesh të meditoni?
Një herë në ditë do të meditoj patjetër dhe këtë e bëj para se të bie në gjumë. Mendoj gjëra që duhet të bëj apo gjëra që i kam bërë.
Kur shikoni një këngë apo një klip tuajin në televizor, jeni më shumë kritike apo e vetkënaqur ndaj saj?
Ka këngë që më pëlqejnë dhe them se i kam realizuar mirë në të gjitha detajet, ka edhe të tjera që mendoj se mund të kisha dhënë më tepër. Një gjë është e sigurtë, te kënga që po punoj tani do të jap maksimumin.
Mendon se do të kesh shumë konkurrencë në festival apo jo?
Besoj që kënga do të jetë sukses i madh në çdo drejtim. Më intereson mbi të gjitha fakti që po i sjell publikut një këngë që do të mbetet.
Kur Orinda del në skenë për të kënduar, ka më tepër eufori apo ankth? Çfarë mendoni, si ndiheni në ato çaste?
E vetmja gjë e vështirë që përjetoj është emocioni se si publiku do ta presë emrin tim dhe jo thjesht këngën. Është shumë i ankthshëm çasti kur ndodhesh në prapaskenë dhe pret që të të bëhet prezantimi. Ndërsa kur ngjitem në skenë jam vetvetja.
Së fundi, si e shikoni veten pas dhjetë vitesh?
Ndoshta do të dal fare nga bota e spektaklit dhe e gazetarisë. Nuk i dihet, më parë duhet të bëj masterin. Pastaj, e shoh veten me vajzën e dytë (e para e di që është gocë por shpresoj të jetë dhe e dyta) ndërsa pas disa vitesh të tjera nga ai moment dua të bëj edhe djalin, e ndoshta dhe një fëmijë të katërt (Qesh). Më pëlqejnë familjet e mëdha sepse jam rritur në një të tillë dhe kam qenë shumë e lumtur megjithëse kam pak diferencë me fëmijët e tjerë.
5 Shtator 2009