Milo: Jo bojkot, marrëdhënie e kushtëzuar
Pak orë para mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, bën të ditur se e majta nuk do të bojkotojë parlamentin, por do të ketë marrëdhënie të kushtëzuar me të. Kjo ka qenë ajo çka i është referuar nga vetë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, pas një takimi 60-minutësh në selinë rozë. “U informova nga zoti Rama se nuk bëhet fjalë për bojkot të Parlamentit nga PS, por bëhet fjalë për marrëdhënie të kushtëzuara. Grupi parlamentar i PS dhe vetë PS do të ndërmarrin një numër nismash politike që do kërkojnë që PD dhe maxhoranca e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dyshimta të 28 qershorit të mund të ndërmarrë një numër aktiv reformash dhe qëndrimesh. Ne bojkotin nuk e shohim si një strategji politike, por e shohim si një taktikë të përkohshme”, bëri të ditur Milo, kryetar i PDS.