E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi-Ramës: Jemi izoluar si në kohën e Enver Hoxhës

Ben Blushi dhe Edi Rama janë vënë dhe një herë tjetër përballë njëri-tjetrit. Në asamblenë e djeshme të Partisë Socialiste debati për bojkotin ka qenë përsëri në fokus dhe pse mbledhja ishte thirrur, për të demaskuar qeverinë për përmbytjet në Veri. Akuza të ndërsjella pa i munguar epitetet dhe ironitë kanë lëshuar Blushi e Rama, ndërkohë që pjesë e debatit kanë qenë dhe Arben Malaj dhe Ilir Zela. Deputeti i Korçës pati replika me Ramën në mbledhjen e asamblesë, duke e quajtur atë “reklama në mes të një filmi” si kundërpërgjigje të epitetit “telenovelë”, që Rama përdor për debatet brenda partisë. Blushi është shprehur brenda mbledhjes se “njëri këtu foli për telenovela, këto s’janë telenovela, këto janë gjëra serioze që kanë të bëjnë me izolimin e partisë. Unë kërkoj një bilanc, kemi dështuar. Provuam një herë izolimin dhe po e provojmë prapë, jemi izoluar si në kohën e Enver Hoxhës. Ai që flet për telenovela i ngjan një reklame midis dy filmave”. Më tej, ai u ka bërë thirrje kolegëve deputetë që të reflektojnë për qëndrimin e tyre dhe të vendosin për të hyrë në Kuvend. Blushi e ka dhënë afatin e tij të fundit për të hyrë në Kuvend javën e parë të marsit, duke shtuar se i është bindur vendimit të shumicës, por se liria e tij ishte më e rëndësishme. Sipas burimeve në asamble pas fjalës së Blushit, zemërimi i kryesocialistit Rama ishte i dukshëm, i cili kërkoi që të mos e “përmbysnin PS-në, duke shmangur argumentin e përmbytjeve”. Në mbrojtje të Blushit ka ardhur diskutimi i ish-deputetit Ilir Zela dhe më pas i kolegut tjetër të lëvizjes për mendim ndryshe, Arben Malaj, ndërsa për çudi askush nga pjesa tjetër nuk ka referuar kundër tyre ose në mbrojtje të bojkotit. Pavarësisht debateve që kanë rëndësi jetike për të ardhmen politike të kësaj partie, asambleja i mbylli punimet e saj të jashtëzakonshme duke u fokusuar vetëm tek situata në Shkodër dhe duke miratuar një rezolutë për këtë. Kërkesa e Blushit për të përcaktuar qëndrimin e ri kundrejt bojkotit parlamentar duket se do jetë pjesë e një debati tjetër në një mbledhje të asamblesë, e cila u pranua nga Rama.
Pas takimit, Blushi ritheksoi dhe një herë qëndrimin e tij. "Unë i bëj apel miqësisht të gjithë deputetëve të PS-së, që të rishikojnë me vullnet të lirë vendimin e tyre, për të shkuar në Parlament sa më shpejt. Për sa më takon, unë jam një njeri i lirë, jam njeri i lirë, durimi im ka një fund. Nevoja për t'iu bindur një politike të mbrapshtë, edhe ajo e ka një cak. E theksoj, pavarësisht nga vendimi që do të marrë grupi parlamentar, i cili nuk kam arsye ta paragjykoj, unë do të jem në Parlament javën e parë të marsit", - deklaroi ai. Për Blushin çdo ditë që kalon tregon dobësimin e partisë, duke qenë jashtë institucioneve. Ai shtoi se "sot PS është më e dobët se në shtator, tetor, nëntor, sepse nuk ballafaqohet dhe është e pamundur të mundesh një kundërshtar, sepse nuk e ke përballë. Ne nuk mund të mundim një kundërshtar në rast se nuk shkojmë në Parlament. Rruga e bojkotit ishte joproduktive, bile e dëmshme për ne të Partisë Socialiste. Në qoftë se ka një forcë politike që dëmtohet nga bojkoti, kjo pa dyshim është PS, nuk është qeveria. Në qoftë se ka një faktor në Shqipëri që ka interes për këtë bojkot ka qeveria, sepse një qeveri pa opozitë, pa dyshim që është e lumtur", - vijoi Blushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›