E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo në Kuvend, rikthehet tek kutitë

Kreu i PS-së, Edi Rama, ashtu siç pritej nuk dha asnjë shpresë për hyrjen e deputetëve të opozitës në Kuvend, duke iu rikthyer dhe një herë çështjes së hapjes së kutive të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. “Hapja e kutive, lufta jonë për jetesë”, - është shprehur Rama, duke paralajmëruar protesta të tjera dhe pse ka ngjallur shumë pakënaqësi në radhët e partisë zgjatja pafund e bojkotit. "Ne mund të kontribuojmë siç na takon në këtë gjendje, por jo të marrim pjesë në farsën parlamentare. Ne do të solidarizohemi sinqerisht me çdo familje, duke kërkuar shlyerjen e dëmit pa asnjë dallim partiak", - u shpreh Rama. “Ne duam të vërtetën e 28 qershorit ose largimin e Berishës. Kjo që ndodhi në Shkodër i shtohet dhe bëhet pjesë e pandashme e protestave tona. Është një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë pushtetin e votave të vjedhura", - theksoi Rama, duke njoftuar kështu se opozita do të vijojë protestat dhe nuk do të hyjë në Parlament pa u përmbushur kërkesa e saj për hapjen e kutive. Duke e cilësuar si “përrallë” deklaratën për djegien e mandateve, Rama theksoi se mandatet e socialistëve janë të popullit opozitar dhe as mund të digjen dhe as të transferohen. Kreu socialist akuzoi Kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës për përmbytjet, ndërkohë që “për katrahurën e radhës” ai duhet të largonte ministrin e Energjetikës, Dritan Priftin, e duhet të jepte llogari për sa ndodhi. Sipas tij, Shkodra u përmbyt nga marrëzia e robit të pushtetit dhe të parasë. "Faktet dëshmojnë se Shkodrën e përmbyti dora njerëzore. Çfarë të presim që të dalim në protesta?". Kryetari i PS akuzoi edhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila sipas Ramës po tenton të kryejë diversion brenda deputetëve të opozitës.
Erion Braçe mbajti një raport për përmbytjet, duke akuzuar qeverinë se ishte në dijeni të ndryshimit të temperaturave që do të sillnin shkrirjen e borës, ndërsa publikoi disa të dhëna konfidenciale, sipas të cilave, përmbytjet u shkaktuan nga derdhjet në hidrocentrale. “Qeveria ishte lajmëruar se temperaturat do të rriten dhe se bora do të shkrinte. Temperaturat do rriteshim në 9 gradë menjëherë. Njoftohej se në veri dhe verilindje do të binim dhe reshje dëbore dhe shira të shumtë”, - tha Braçe. Braçe theksoi se ishin të gjitha mundësitë për të menaxhuar situatën, por grumbullimi i ujit në hidrocentralin e Fierzës u bë për qëllime biznesi. "Në fund të dhjetorit Fierza arriti në kuota kritike, por ministri Dritan Prifti nuk mblodhi komisionin e posaçëm për menaxhimin e situatës", - u shpreh Braçe, duke kujtuar edhe udhëtimin e fundvitit jashtë vendit të ministrit përgjegjës, në një moment shumë të vështirë. Braçe tha se veprimet për menaxhimin e nivelit të ujit në Fierzë e Koman ranë në kundërshtim me rregulloren. Deputeti ngriti shqetësimin për mungesën e të dhënave për datën 27 dhjetor, të cilat figurojnë të zhdukura, ndërsa sipas burimeve të brendshme, për këtë ditë është lënë shënim nga Kryeministri që portat e hidrocentraleve nuk duhet të hapen. Braçe theksoi se çdo dokument i paraqitur nga ana e tij në asamble është diskutuar më parë me ekspertë të fushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›