Blushi: “Thyerja e bojkotit, javën e parë të marsit”

Merret vendimi/Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe: Rama, pa strategji për të dalë nga bojkotiDeputetët socialistë të njohur si anëtarë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe nuk do të djegin mandatin e dhënë nga qytetarët. Këtë paralajmërim ka dhënë dje deputeti i PS, Ben Blushi, pas përfundimit të punimeve të Asamblesë. Blushi u shpreh se Asambleja duhet të diskutonte për bojkotin që rezultoi një strategji e gabuar, ndërsa paralajmëroi se ai dhe kolegë të tij, nuk kanë ndërmend të djegin mandatin e dhënë nga populli. “Kërkova që të mbahej një qëndrim në kushtet kur arsyet për të bojkotuar parlamentin nuk janë më të justifikueshme. Unë do jem në parlament në javën e parë të marsit. Po ashtu mendoj se edhe kolegë të tjerë socialistë do të bëjnë të njëjtën gjë, për të mos djegur mandatet e dhëna nga elektorati ynnë. Bojkoti, ishte një vendim personal i Edi Ramës, i cili pati një emergjencë për tu zgjedhur në krye të partisë në muajt shtator-tetor. Unë i bej apel miqësisht të gjithë deputetëve të PS që të rishikojnë me vullnet të lirë vendimin e tyre, për të shkuar në Parlament sa më shpejt. Për sa më takon unë jam nje njeri i lire, jam njeri i lire, durimi im ka një fund. Nevoja për t’iu bindur një politike të mbrapshte, edhe ajo e ka një cak. E theksoj, pavarësisht nga vendimi që do të marrë grupi parlamentar, i cili nuk kam arsye ta paragjykoj unë do të jem ne Parlament javën e parë të marsit”, u shpreh Blushi.Deputeti socialist, Ben Blushi, i njohur për qëndrimet e tij kundër kryetarit socialist në largim Edvin Rama, deklaroi edhe më herët, gjatë punimeve të Asamblesë socialiste që pas trajtimit të çështjes së përmbytjeve, të diskutohet thyerja e bojkotit parlamentar. Edi Rama nuk ka një strategji për të dalë nga qorrsokaku i bojkotit parlamentar. Këtë konstatim e bëri deputeti Arben Malaj, ndërkohë që në të vërtetë asnjë strategji reale nuk është dhënë nga Rama dhe njerëzit e tij për këtë situatë, përveç faktit që bojkoti do të vazhdojë në pafundësi. Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë ashtu si Ben Blushi dhe deputeti i Vlorës Arben Malaj ka qenë mjaft kritik dhe ka kërkuar mbledhje të të gjitha forumeve për të rimarrë në shqyrtim çështjen e bojkotit. “Për një forcë politike kaq të madhe, për një forcë politike që ka qeverisur këtë vend, është e papranueshme që kur fillon një aksion politik të mos ketë një exit-strategji, që nënkupton një strategji të suksesshme, jo një pazar të minutave të fundit. Përgjigja juaj Edi Rama ka qenë e mbetet konstante: Ne nuk duhet te kemi exit- stratergji, ajo është përgjegjësi e Berishës”, u shpreh Malaj duke iu drejtuar kryetarit të partisë. Ndërsa lidhur me debatin për mandatet, Malaj nuk ka kaluar në heshtje disa diversione të Ramës se gjoja Berisha po i blen deputetët. ...