Blushi: Varfëria, rrjedhojë e klientelizmave
Anëtari i Kryesisë së PS-së, Ben Blushi, dhe kandidatja për deputete, Olta Xhaçka, kanë prezantuar programin e ri qeverisës të PS-së gjatë takimeve derë më derë në lagjet nr. 10 dhe nr. 18 të qytetit të Korçës. Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste janë njohur nga afër me shqetësimet e banorëve të kësaj zone, duke i siguruar se pas zgjedhjeve të 28 qershorit cilësia e jetës së tyre do të jetë më e mirë se sot. Gjatë fjalës së tij, Blushi theksoi varfërinë e madhe që haset në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në Qarkun e Korçës, që është rrjedhojë e politikave klienteliste që ndjek Kryeministri. Ndërkohë Xhaçka u është drejtuar banorëve, që me zgjedhjen e tyre më 28 qershor t‘i japin PS-së shansin për të mirëqeverisur vendin. "Në këto 4 vjet të qeverisë ‘Berisha‘, sigurisht shqiptarët dhe banorët e kësaj lagjeje nuk janë pasuruar. Nuk kanë mirëqenie më të madhe. Nuk ka cilësi jete më të madhe dhe është vërtet e trishtë se sa probleme ka dhe se sa peripeci u duhet të kalojnë dhe se sa të vështirësuar e kanë jetën gjatë këtyre 4 viteve të qeverisë Berisha", tha Xhaçka.