Withers: Përshpejtoni procesin e kartave të identitetit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, deklaroi dje nga qyteti i Beratit se "këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për Shqipërinë, pas anëtarësimit në NATO". Sipas tij, duhet të dëshmohen standarde më të mira, të cilat të reflektohen edhe në këto zgjedhje. Por, që zgjedhjet të jenë të drejta, të ndershme e transparente, vijoi ai, duhet punuar më shumë për pajisjen me karta identiteti të shtetasve pa pasaportë, për konsolidimin e infrastrukturës zgjedhore etj. "Është e rëndësishme që njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje. Është e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në votime, që koalicionet paszgjedhore të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit për të mos e çuar vendin prapë në zgjedhje", vlerësoi Withers. Qeveria e SHBA-së, siguroi ai, do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e saj, pavarësisht fituesit të këtyre zgjedhjeve. Withers tha se "jemi të interesuar më shumë për procesin zgjedhor, se sa për rezultatin e zgjedhjeve dhe shpresojmë se kjo do të arrihet". Në ditën e parë të vizitës dyditore në Berat, Withers vizitoi kalanë e qytetit, muzeun "Onufri", Muzeun Etnografik, disa qendra muzeore dhe objekte të kultit. Në ditën e dytë ai ka zhvilluar takime me drejtues të pushtetit vendor, në bashkinë e qytetit dhe në institucionin e prefektit të qarkut, për t‘u interesuar për gjendjen aktuale dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Takimin e parë të shkurtër, Withers e ka bërë në bashkinë e qytetit, me kryetarin e saj, Fadil Nasufi, i cili i ka uruar mirëseardhjen dhe e ka informuar për bukuritë e qytetit, resurset e zhvillimit dhe problematikën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Më pas, ai shkoi në institucionin e prefektit të qarkut, ku u prit dhe zhvilloi një takim me prefektin Thoma Rumniçi dhe administratën e tij. Në fjalën e tij, Rumniçi i uroi mirëseardhjen ambasadorit të SHBA-së dhe e vlerësoi vizitën e tij, si pikë referimi për punën e institucionit që drejton në të ardhmen. Prefekti Rumniçi i bëri një përshkrim të shkurtër gjeografisë së Beratit, si qendër e këtij rajoni me mbi 60 mijë banorë, i cili, në katër vitet e qeverisjes së PD-së ka pasur zhvillime, janë rritur e forcuar bizneset ligjore, janë hapur vende të reja pune dhe është rritur numri i të punësuarve. Qeveria, tha ai, ka bërë investime të mëdha publike për infrastrukturën rrugore, ku janë shtruar e asfaltuar dhjetëra kilometra rrugë nacionale e rurale, janë ngritur mbi 30 qendra shëndetësore dhe mbi 40 shkolla të reja në zonat fshatare etj. Qarku i Beratit, tha prefekti Rumniçi, ka mbi 200 mijë banorë, nga të cilët rreth 160 mijë votues të regjistruar, por pritet që rreth 90 mijë veta të marrin pjesë në votime, pasi shumë prej tyre ndodhen në emigracion. Më tej, ai tha se janë marrë masa të plota për të shkuar në zgjedhjet e 28 qershorit me një infrastrukturë të plotë zgjedhore. Ndërsa, nga ana e tij, ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Withers, tha se kjo ishte vizita e tij e dytë në qytetin e Beratit, të cilën e kishte premtuar gjatë vizitës së tij të parë. Por, kishte edhe një arsye tjetër ardhja e tij në Berat: bashkëshortja e tij do të largohej së shpejti në SHBA dhe se ai i kishte thënë se nuk do të largohej pa e vizituar Beratin.