E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Dokumenti i identifikimit, duhet të amendohet Kodi Zgjedhor

Rikthehet sërish debati për certifikatat pak ditë përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Politika vazhdon të jetë e përçarë për mënyrën e votimit, për faktin se jo të gjithë shqiptarët janë të pajisur me karta identiteti. Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, hedh idenë e rifutjes në skenë të një dokumenti tjetër votimi, përveç kartave dhe pasaportave. Ngjela propozon amendimin e Kodit Elektoral dhe rilegjitimimin e një tjetër dokument votimi, pasi letërnjoftimet elektronike nuk e garantojnë sigurinë e votës.

"Kartat e identiteti nuk mjaftojnë, nuk janë të sigurta dhe nuk janë shpërndarë. Ligji thotë që votimi lejohet me pasaportë dhe kartë identiteti, asgjë tjetër nuk është e ligjshme. Atëherë duhet amenduar ligji", tha Spartak Ngjela. Megjithatë, Ngjela e sheh si të qëllimshëm konfuzionin paraelektoral për kartat, pasi secila prej forcave të mëdha mund t‘i kishte realizuar kohë më parë. Deri tani, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme kanë aplikuar mbi 1 milion shqiptarë dhe janë shpërndarë mbi 800 mijë karta identiteti. Deri në momentin që të gjithë qytetarët nuk janë pajisur me kartë identiteti dhe për aq kohë sa institucionet shtetërore njohin vlefshmërinë e certifikatave, procesi se si do të votohet më 28 qershor ngelet një debat i hapur dhe shqetësues për forcat më të mëdha të politikës. Një ditë më parë, zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, i sapozgjedhur në krye të PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, theksoi se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk do të njihet asnjë dokument tjetër përveç letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave. Partia Demokratike përjashton në mënyrë kategorike votimin me çdo dokument tjetër që nuk janë kartat e identitetit ose pasaportat. Kryetari PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, e quajti kthim mbrapa për standardet e zgjedhjeve rifutjen në skenë të certifikatave ose të ndonjë dokumenti alternativ identifikimi. Sipas Bumçit, këtë radhë do të përdoren vetëm dy dokumente, pasaporta dhe letërnjoftimi elektronik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›