E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Votim i fshehtë në grup për të thyer bojkotin

 Deputeti socialist Ben Blushi do t'i propozojë grupit parlamentar socialist të shprehet me votë të fshehtë për vazhdimin e bojkotit. Në emisionin "Zonë e ndaluar", me gazetarin Andi Bushati në "Vizion Plus", Blushi tha se vendimi për vazhdimin ose jo të bojkotit duhet të merret nga grupi i deputetëve. "Të gjithë deputetët e PS në shumicë kërkojnë të hyjnë në Parlament. Unë shpresoj që në muajin shkurt, kur ky debat do të jetë në PS, shumë deputetë të tjerë përveç meje do të flasin publikisht. Unë do t'ia propozoj grupit që të bëhet një test, pasi është ai që ka marrë përsipër të shkojë në bojkot në muajin shtator, të votojë sot në mënyrë të fshehtë me kuti, nëse duhet apo jo të vazhdojë bojkoti. Të jeni të bindur që nëse votohet fshehtas, ky vendim do të thyhet. Në këtë mënyrë do të dalim jashtë kësaj klientele, që po e mbyt Partinë Socialiste prej 6 muajsh. Nëse do t'u jepej mundësia të shpreheshin fshehtas, jam i bindur se 90% e deputetëve do të kërkojnë të ndërpritet bojkoti", tha Blushi. Deputeti socialist hodhi poshtë komentet se do të hyjë në Kuvend për të ndihmuar Qeverinë. "Nuk do shkoj në Parlament për të votuar Qeverinë, por për të bërë opozitën që i mungon kësaj Qeverie në parlament. Grupi parlamentar duhet të marrë një vendim për bojkotin, sepse deri tani kemi vetëm referencë të Edi Ramës për bojkotin, i cili do të mbetet vetëm ai, do të thoshim se në PS nuk merren vendime kolegjiale", tha Blushi. Duke iu përgjigjur hamendësive se nëse do të bëhet një zëvendësim i listës së deputetëve të PS-së, ata do të hyjnë në Kuvend për të mbështetur Qeverinë, Blushi tha se të gjithë ata janë opozitarë. "Unë mendoj se kjo nuk ka për të ndodhur dhe shpresoj se hyrja në Parlament do të jetë e pashmangshme. Nuk ka arsye që të paragjykohet deputeti i 140 me deputetin e parë të Parlamentit. Ashtu si unë, në krye të listës së qarkut të Korçës, edhe kandidati që ishte i fundit në listë ka punuar që të mbledhë vota që unë të fitoja. Të gjithë kandidatët e PS duhet të konsiderohen si opozitarë dhe jo ata që kanë humbur të konsiderohen si pro qeveritarë. Të gjithë kanë dhënë kontribut për të fituar kandidatët e PS-së", tha Blushi. Deputeti socialist i cilësoi kërcënimet për përjashtime për  deputetët e PS-së, që mund të hyjnë në Kuvend duke thyer bojkotin, si argumente të dobëta. "Sa i takon kërcënimit për përjashtim, këto janë argumente të dobëta. Të njëjtën logjikë që përdor Edi Rama kur flet për disa deputetë, përdor dhe Sali Berisha kur thotë se një pakicë s'mund të marrë peng vendin. Të njëjtën gjë thotë dhe Edi Rama kur flet për kundërshtarët e pikëpamjes së vet se duan të marrin peng Partinë Socialiste. Ne nuk duam të marrim peng PS, por kemi kërkuar që në fillim shumë pak, kemi kërkuar që Edi Rama të mbajë përgjegjësi për humbjen e PS në zgjedhjet e 28 qershorit, gjë që jo vetëm ka qenë e sanksionuar në statutin e PS, por kemi kërkuar që grupi i saj parlamentar të shkojë në Parlament. S'kemi kërkuar asnjë teprim, as të drejtojmë partinë", tha Blushi. Sipas tij, Edi Rama nuk është i përshtatshëm për të mundur Sali Berishën. "Unë dhe shumë kolegë në PS mendojmë se për fat të keq, Edi Rama është i papërshtatshëm për ta mundur Sali Berishën, dhe besoj se ka të tjerë në PS, njerëz me peshë që mund ta mundin Sali Berishën", tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›