Harasani: Rama të distancohet nga Xhufi
Deputeti socialist Andis Harasani e cilësoi propozimin e ish-nënkryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, të turpshëm ndërsa kujtoi se gjatë fushatës së 28 qershorit, ai kërkonte vota kundër PS dhe Edi Ramës. "Persona të cilët kanë kërkuar votë kundër PS-së, kundër Edi Ramës në zgjedhjet e qershorit të 2009, sot dalin e flasin në emër të PS. Ajo që mua më shqetëson është që do t'i bëja thirrje Kryetarit të PS-së z. Rama, të heqë dorë nga persona të tillë, të cilët i kërkojnë pazare. Nuk ka se si t'i kërkohet kryeministrit Berisha, Presidenti, prokurorë, qoftë edhe për të kërkuar Ambasadorin tonë në Romë, ose shoferin e Ambasadorit në Romë", u shpreh Harasani. Sipas deputetit socialist, "gjëra të tilla nuk kanë asnjë lidhje me PS. PS është e bindur për të luftuar në institucione, për të luftuar në Parlament në mënyrë që ta rrëzojë këtë qeveri". "Nuk ka asnjë problem për atë çka thonë personazhe si zoti Xhufi. Njihet botërisht që z. Xhufi, për shkak të lidhjeve farefisnore, familjare, shpirtërore me Enver Hoxhën nuk mund të flasë ndryshe", u shpreh Harasani.