Gjykatat, Topi shpall konkurrimin
ADI SHKEMBIGjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do t'i nënshtrohen procedurave të zëvendësimit të anëtarëve që u përfundon mandati. Presidenti Bamir Topi ka bërë të ditur dje përmes zyrës së tij të shtypit se ka nisur procedurën për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj në këto dy institucione të rëndësishme. Ky proces pritet të përfundojë më 15 shkurt, kur është edhe afati i fundit i paraqitjes së dosjeve pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës. PërzgjedhjaSipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, mësohet se Kreu i Shtetit ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vende vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakant në Gjykatën e Lartë. Duke iu referuar Kushtetutës, kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kenë jo më pak se 15 vite profesion si juristë, ndërsa kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të kenë të paktën 10 vite punë në profesionin e tyre. "Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune, jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet", thuhet në njoftimin për shtyp. Në përfundim të paraqitjes së të gjithë kandidatëve, pritet që zyra juridike e Kreut të Shtetit të nisë verifikimin e dosjeve dhe plotësimin e kritereve, përpara se Presidenti të dërgojë në Kuvend emrat e rinj. Kriteret e tjeraNë informacionin për mediat, kabineti i Presidentit Bamir Topi ka publikuar edhe kriteret bazë që duhet të plotësojnë kandidatët që pretendojnë një nga tetë vendet që do të mbeten vakant, duke filluar nga muaji prill deri në maj. Në listën e kritereve, ndër të tjera kërkohet informacion nga institucioni ku punojnë se, në pesë vitet e fundit nuk kanë marrë masë disiplinore, por edhe shkrimet që ata kanë bërë në fushën e drejtësisë. "Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, janë të ftuar të paraqesin pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin e mëposhtëm: kopje diplome dhe listë notash; kopje të titujve shkencorë; kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit; indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë; vërtetim nga Institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore; çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 15 shkurt 2010", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë, Kreu i Shtetit premton se ky proces do të jetë transport dhe konform ligjeve të vendit. "Ky proces mjaft i rëndësishëm e që rrjedh si detyrim kushtetues i Kryetarit të Shtetit, do të jetë transparent dhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe standardeve demokratike", bëhet e ditur nga zyra e Presidentit. Kreu i shtetit u gjend në vështirësi dy vjet më parë, kur pesë kandidaturat e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë u rrëzuan me votim në bllok nga maxhoranca. Shumica parlamentare deklaroi në atë kohë se Presidenti nuk ishte konsultuar më parë lidhur me emrat që do të dërgonte në Kuvend për pëlqimin. Në një votim të dytë, Topi zgjodhi nisjen e një procesi, i ngjashëm me këtë që bëri të ditur dje ku zgjodhi pesë kandidatë të tjerë të cilët u pranuan nga maxhoranca.Kriteret e përzgjedhjes• Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion• Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet.• Kopje diplome dhe listë notash• Kopje të titujve shkencorë • Kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit • Indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë• Vërtetim nga Institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore • çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatitAnëtarët që do zëvendësohenAnëtarët e Gjykatës Kushtetuese që u mbaron mandatiFehmi Abdiu 27.04.2010Kujtim Puto 01.04.2010Xhezair Zaganjori 21.05.2010Petrit Plloci 21.05.2010Sokol Sadushi 27.04.1010Admir Thanza 21.05.2010Anëtarët e Gjykatës së Lartë që u mbaron mandatiIrma Bala 09.04.2010Evjeni Sinoimeri 02.05.2010