E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: “Zgjedhjet e parakohshme nuk shkaktohen duke bojkotuar Kuvendin”



Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka kundërshtuar idenë e kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama, për bojkotim të Parlamentit dhe mosnjohje të qeverisë. Blushi tha se ky vendim është vendim personal i Ramës, pasi Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së ka miratuar rezolutën e Asamblesë, rezolutë në të cilën nuk gjendej një vendim i tillë. Blushi e akuzoi kryesocialistin Rama se i gënjen shqiptarët kur u thotë se do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Deputeti socialist tha se mundësitë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme janë zero në rast se Grupi Parlamentar socialist nuk do të jetë i pranishëm në Kuvend. Për më tepër, Blushi e quajti të panevojshëm bojkotin parlamentar, duke akuzuar kryetarin Rama se për hir të interesave të tij personale po dëmton interesat e vendit. “Nëse Partia Socialiste ndodhet brenda sallës së Kuvendit, ekzistojnë mundësi praktike për të shkaktuar zgjedhjet e parakohshme”, - tha deputeti socialist gjatë konferencës për shtyp që dha së bashku me kandidatin e tërhequr nga gara për kreun e PS-së, Arben Malaj.

Statuti
Blushi e akuzoi gjithashtu kryetarin në detyrë të PS-së, Edi Rama, se po shkel rëndë Statutin e Partisë Socialiste. “Ne e kemi thënë dhe në raste të tjera. Askush të mos mendojë se meqë po flasim ndryshe, do të bëjmë aksione paralele me PS-në. Ne jemi pjesë e PS-së dhe mbështetemi në traditën më të mirë të saj, sipas së cilës mund të flasësh ndryshe, por je prapë atje”, - theksoi fillimisht Blushi. “Ajo që thotë Rama se do jetë kryetari i PS-së për 4 vjet e paragjykon garën dhe kjo është një shkelje e re e Statutit. Mandati i tij u ndërpre për shkak të humbjes së zgjedhjeve dhe Rama nga një anë thotë se nuk i ka humbur zgjedhjet dhe, nga ana tjetër, thotë se e ka ndërprerë mandatin. Kjo është kontradiktore. Statuti i PS-së po shkelet në mënyrë sistematike dhe ne kemi arsye të vëmë në dyshim aftësinë e këtij njeriu për të administruar PS-në”, - u shpreh Blushi.

Rama
Deputeti socialist ka kritikuar qëndrimin dhe moton elektorale të Ramës ”përtej së majtës dhe së djathtës”. Blushi tha se kjo ishte arsyeja që shqiptarët nuk i dhanë fitoren kësaj partie të majtë. “Ne jemi të gjithë të majtë, përveç Ramës, që nuk është as i majtë, as i djathtë. Një grup politik e mban të bashkuar një kontratë, që është Statuti, dhe ai u shkel. Në këtë moment Rama po zhbën zgjedhjet në parti. Është e pafalshme që gjithë Partia Socialiste të bashkohet rreth një njeriu që thyen Statutin. Mandati i të gjitha institucioneve të PS-së është i pajtueshëm. Në rastin e Ramës mandatet rivendosen sepse në 2011-n, të gjitha strukturat rivotohen, ndërsa kryetari jo. Ramës i takon të shpjegojë çfarë do të ndodhë në 2011-n, sepse të gjithë do të hyjnë në zgjedhje dhe ai jo”, - deklaroi deputeti, i cili është njohur gjatë kësaj periudhe edhe si kritiku më i ashpër ndaj kryetarit në detyrë të PS-së. Blushi shtoi gjithashtu se Rama është një njeri që vazhdon të shikojë në të shkuarën. “Më shumë mbrojti këngën, sesa programin e PS-së. Kjo nuk është për batutë, por është serioze, sepse është për të ardhur keq se cila është cilësia e kryetarit që kemi pasur dhe me sa duket do të kemi akoma”, - përfundoi Blushi.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›