E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Arsyet pse u tërhoqa nga kandidimi për kreun e PS-së



Shaban Sulçe
Deputeti Arben Malaj ka shpjeguar dje për të gjithë opinionin publik arsyen e tërheqjes nga kandidimi në garën për kreun e Partisë Socialiste. Malaj ka dhënë dje një konferencë për shtyp së bashku me deputetin tjetër socialist, Ben Blushi. Ai ka renditur si arsyen kryesore rikandidimin e Edi Ramës në këtë garë, ku nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë veprim si shprehje e mentalitetit diktatorial. Malaj ka theksuar gjithashtu se nuk mund të bëhej pjesë e një gare farsë dhe të paragjykuar. Ai shtoi se ishte tërhequr nga gara edhe për të shmangur sherret dhe përçarjet e mëtejshme në radhët e Partisë Socialiste. “U tërhoqa nga gara sepse kandidimi im do të sillte grindje brenda PS-së”, - tha Malaj. Ai theksoi se pavarësisht kritikave, ai do të jetë pjesë e pandarë e partisë. “Ne do të jemi anëtarë të PS-së, pavarësisht kritikave që kemi për procesin. Vendimet e marra nga PS-ja nuk janë efektive dhe nuk e rrisin besimin e saj publik. Të kërkosh të zgjatësh afatin për të qenë lider pasi ke humbur është një mentalitet diktatorial. Ne nuk duam një PS me një lider me pushtet absolut që tenton të marrë mandate të tejzgjatura”, - tha deputeti socialist.

Arsyet
Malaj ka sqaruar gjithashtu se ishte tërhequr nga gara për shkak të mungesës së vizionit për krizën ku ndodhet e majta, për shkak të mungesës së analizës së shkaqeve brenda vetë PS-së për humbjen në zgjedhje. Deputeti socialist thekson gjithashtu se rikandidimi i Ramës e ka cenuar rendë kredibilitetin e lidershipit aktual, ndërkohë që renditi ndër arsyet e tërheqjes edhe qëndrimin refraktar dhe gati armiqësor ndaj mendimit ndryshe në Partinë Socialiste. Malaj cilësoi si arsye në tërheqje edhe përkeqësimin e ambientit konkurrues para dhe gjatë Kongresit, si dhe hezitimin e Ramës për të ofruar bashkëpunim ndaj drejtuesve socialistë që mendojnë ndryshe.

Rama
Malaj kërkoi nga Rama që të marrë përgjegjësitë e humbjes, pasi ishte Rama ai që e personalizoi fushatën e Partisë Socialiste. “Për shkak të mentalitetit të liderit u krijua një menaxhim vertikal i fushatës. Rama nuk ishte i gatshëm që një punë të bërë nga ekspertët e PS-së ta kthente në një manifest elektoral. Fushata jonë u personalizua, u vertikalizua dhe u mbështet thjesht dhe vetëm te emri i Edi Ramës”, - tha deputeti socialist.

PS
Malaj ka paralajmëruar të ardhme të zymtë për PS-në, pasi modeli i lidershipit absolut që nuk njeh asnjë humbje është një rrezik i madh për të ardhmen e Partisë Socialiste. “Paralajmëroj publikisht se Partia Socialiste po rrëshqet drejt radikalizmit për interesa thellësisht personale të kryetarit në detyrë. Forumet drejtuese të saj po keqpërdoren në funksion të alibisë personale të tij. Depersonalizimi i disa personaliteteve të njohura të saj është publik dhe i dhimbshëm. Ata kanë humbur kurajën për të mbrojtur demokracinë e brendshme në PS, ata kanë humbur kurajën për t’u rreshtuar në anën e progresistëve dhe socialistëve që duan një Shqipëri më të mirë për të jetuar”, - ka theksuar Malaj në deklaratën e tij. Por ai tha se pavarësisht se është tërhequr nga gara për kreun e PS-së, nuk do të tërhiqej nga beteja për modernizimin e Partisë Socialiste, nga beteja për të respektuar votën e popullit dhe nga beteja opozitare me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. “Jam tërhequr nga një garë që mund t‘i sillte kosto shtesë PS-së, por nuk jam tërhequr nga detyrimet e mia politike dhe qytetare për të folur dhe denoncuar publikisht dhe pa kompromis fenomenet negative dhe gërryese që po ndodhin në PS. Këtë do ta bëj në forumet e PS-së, në Kuvendin e Shqipërisë, në media dhe duke shërbyer transparencë në rritje me opinionin publik”, - ka thënë Malaj.

Arsyet e tërheqjes nga gara sipas Malajt

Mospjesëmarrja ime në një farsë zgjedhore brenda partisë është tërheqje nga një proces që tentonte të krijonte një ambient të rënduar konkurrimi, i cili u dëmtua jo pak përpara fillimit, por u rëndua edhe më shumë gjatë punimeve të Kongresit.
Ka mungesë të vizionit për krizën ku ndodhet e majta.
Nuk u bë as analiza e shkaqeve brenda vetë PS-së për humbjen.
Rikandidimi Ramës cenoi rëndë kredibilitetin e lidershipit akual.
U konstatua një qëndrim refraktar deri në armiqësor ndaj mendimit ndryshe.
U përkeqësua ambienti konkurrues që para Kongresit, por edhe në Kongres me diskutime denigruese.
Fjala e kryetarit në detyrë nuk pasqyroi asnjë shenjë reflektimi personal apo statutor pas humbjes.
Nuk ofroi asnjë ftesë për bashkëpunim ndaj drejtuesve socialistë që mendojnë ndryshe.
Nuk ofroi asnjë vlerësim publik për kolegët që kritikojnë modelin e tij të drejtimit.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›