ISKSH lidh kontratat,dy paga shpërblim për 22 mijë mjekë
Dy paga shpërblim për mjekët e qendrave shëndetësore e spitaleve. Veç kësaj, bashkëpunim me sindikatat e shëndetësisë. Këto janë elementët kryesorë të kontratës së re mes ISKSH dhe bluzave të bardha. Ato do të jenë 3-vjeçare. Punëmarrësit që përfitojnë nga nënshkrimi i kësaj kontrate janë 22.519 punonjës në të gjitha nivelet e shërbimit shëndetësor. “Kjo është një traditë pozitive e ISKSH-së, e cila po përsos në vijimësi si kontratën kolektive të punës, e cila rinovohet çdo 3 vjet, ashtu edhe ato kontrata të mëtejshme që rregullojnë marrëdhëniet e ISKSH-së me qendrat shëndetësore dhe së fundmi edhe me spitalet në të gjithë vendin. Këto kontrata vënë në baza ligjore raportet mes Institutit dhe punonjësve të shëndetësisë, duke përcaktuar qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve. Ato janë tejet demokratike, pasi merret mendimi i vetë punonjësve të shëndetësisë në hartimin e tyre”, u shpreh Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, pas nënshkrimit të kësaj kontrate kolektive pune.
Kjo shtoi se kontrata kolektive e punës përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës. “Kjo kontratë përcakton gjithashtu se punonjësit e shëndetësisë kanë të drejtën e shpërblimit deri në 2 paga mujore në vit, sipas performancës së arritur. Një element i ri i kontratës kolektive të punës ka të bëjë me përfshirjen më të gjerë në vendimmarrje të strukturave të sindikatave të shëndetësisë, të cilat do të kenë përfaqësues në strukturat dhe bordet e ISKSH-së në rajone”, tha Hana. Një nga nenet e kësaj kontrate ka të bëje edhe me detyrimin e sindikatës për të denoncuar çdo spekulimi që lidhet me pagesën në shërbimin shëndetësor, si edhe në përfitime të padrejta në dëm të pacientit, në diskriminimet e keqtrajtimet shëndetësore. Një vend të veçantë në kontratën kolektive të punës zënë dhe liritë sindikale. Punëdhënësi lejon organizatën sindikale të zhvillojë normalisht veprimtarinë e saj dhe i ndalohet të ndërhyjë në organizimin dhe aktivitetin e saj, por kjo nuk do te thotë që nuk do të ketë një bashkëpunim programatik midis punëdhënësit e punëmarrësve. Punëdhënësit i ndalohet të deskriminojë punëmarrësit për shkak të anëtarësimit në sindikatë dhe përfaqësuesve të zgjedhur.