E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Bojkoti i PS-së, për qëllime personale të Ramës”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje, gjatë një konference për shtyp, kryetarin e opozitës, Edi Rama, se po mundohet të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë duke bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë vetëm për qëllime personale. Gjatë një fjalimi prej 40 minutash, Berisha ka komentuar Kongresin e PS-së duke dënuar censurën mediatike të kundërshtarëve të Ramës, ndërsa ka përgënjeshtruar akuzat e PS-së për përdorimin e të burgosurve për manipulimin e zgjedhjeve. Berisha i kërkoi Ramës që të bëjë publik qoftë edhe një dokument të vetëm që vërteton manipulimin e zgjedhjeve. Ai sugjeroi kreun e PS-së që të heqë dorë nga ideja se mund të dëmtojë për qëllime personale procesin e integrimit europian. Gjatë konferencës për shtyp Berisha u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për koalicionin e ri, për qeverinë e re, bashkëpunimin me LSI-në dhe qëndrimin e presidentit Topi për zgjedhjet.
Bojkoti
“Edi Rama ka vetëm një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt e afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Nuk ka problem me zgjedhjet ai. Ai po e përdor këtë për një interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria. Ky nuk e ka problemin te zgjedhjet, por e ka të pengojë lëvizjen tuaj të lirë, sepse në këtë mënyrë mendon se do mund të dëmtojë qeverinë”, - është shprehur Berisha. Ai garantoj se mbetet i hapur për bashkëpunim luajal me opozitën dhe për respekt të plotë ndaj saj. “Por do të garantoj gjithashtu se aq sa Rama pengoi me bilbila miratimin e MSA-së, po aq do të mund të bllokojë procesin e liberalizimit të vizave. I sigurt të jesh, zoti Rama, se nuk do të mund t’i penalizosh shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare për qëllime personale. Këtij zotërie i duhet bojkoti si alibi për të bindur mbështetësit e tij se zgjedhjet i humbi për shkakun tim. Absolutisht po. Unë i fitova zgjedhjet me rregullat më të ndershme që kam ndjekur”, - është shprehur Berisha. Ai e cilëson të shëmtuar vendimin e Ramës për të bojkotuar Kuvendin, ndërsa shpreh bindjen se ky vendim nuk do të ndikojë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Unë kam bindjen më të thellë se ky është kalkulim i gabuar i Ramës. Ai bën një brutofigurë. Por unë kam bindjen më të plotë se ministrat e Jashtëm të BE-së nuk do të mendojnë asnjëherë që të ndëshkojnë një komb për interesat personale të kryetarit të opozitës së atij vendi”, - është shprehur Berisha. I pyetur se si do ta zgjidhë krizën e numrave në Kuvend në rast të bojkotit të opozitës, kreu i qeverisë u shpreh se 74 votat që ai ka janë të mjaftueshme për reformat dhe për ti garantuar atij fitoren në zgjedhjet parlamentare të radhës më 2013. “Unë votohem në Parlament si koalicion me 74 deputetë. Kjo shumicë është e mjaftueshme që të përgatis fitoren e 2013-s”, - është shprehur Berisha.
Përgënjeshtrimi
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka përgënjeshtruar akuzat e kreut të opozitës për përdorimin e të burgosurve gjatë procesit zgjedhor. Berisha, madje, i kërkoi Ramës që të publikojë fakte për manipulimin e zgjedhjeve që ai aludon. “Tani flet për të burgosurit. Por ky është një vend demokratik. Të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë dhe çdo muaj do t’i jepet leje për të shkuar në shtëpitë e tyre. Nuk ekziston asnjë raport, asnjë ankesë për çdonjërin prej tyre që u lirua me leje përkohësisht që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Por, të akuzosh vetëm e vetëm se janë vuajtës dënimi, kjo është e papranueshme. Është shumë primitive. Shoqëria nuk mund të udhëhiqet nga ndenja e urrejtjes ndaj tyre”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ka cilësuar të turpshme censurën që u është bërë kundërshtarëve të Ramës në Kongresin e PS-së. “Mbeta i lënduar shumë nga censura që ai u rezervoi kundërshtarëve të tij. Ne si politikanë duhet të turpërohemi nga censura. Ishte e shëmtuar kur ai ndiqej nga kamera, ndërsa kundërshtarët e tij vendoseshin në terr të plotë. Por shpresoj që kjo të mos përsëritet më”, - është shprehur Berisha.

“Më 2 shtator nisin negociatat me LSI-në, bashkëpunimi deri në vitin 2021”

Kreu i qeverisë, Berisha, bëri të ditur se në datën 2 shtator do të nisë negociatat me LSI-në dhe se bashkëpunimi me këtë forcë politike do të vazhdojë gjatë, madje edhe në zgjedhjet e vitit 2021. “Së pari, në këtë kontekst unë mund t’ju garantoj se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe më eficiente që kanë njohur në historinë e vendit. Meta foli për bashkëpunim edhe për në 2013-n, por unë mund t’ju garantoj për një bashkëpunim edhe për 2021-shin. Por ky është një koalicion që i ka të gjitha prerogativat, vullnetin për t’i dhënë vendit qeverinë më eficiente për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit të shqiptarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë negociatat me LSI-në dhe partitë aleate me të cilat është futur në zgjedhjet e 28 qershorit.

Berisha: “Lëvizja e lirë, projekti im për bashkimin kombëtar”

Kryeministri Berisha ka shpjeguar dje projektin e tij për bashkimin kombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë, ide kjo e hedhur prej tij dhe e analizuar gjerësisht nga mediat e huaja së fundi. Berisha tha se ka vetëm një komb shqiptar dhe se askush nuk mund të mendojë të kundërtën. Ai tha se po bëhen përpjekje për hequr radhët e gjata të shqiptarëve në kufi. “Do të bëj çdo përpjekje me qeverinë e Kosovës, por edhe me qeverinë e Maqedonisë, që të vendosim sa më shpejt ato standarde që gëzon në hapësirën e BE-së, në mënyrë që shqiptarët të ndihen një dhe vetëm një. E kam theksuar dhe e theksoj se kjo nuk ka të bëjë me sovranitetin. Por të harrojë kush që mund të mendohet për dy apo tri kombe shqiptare. Ka vetëm 1 komb shqiptar. Ata që udhëhiqen nga fobia ndaj shqiptarëve, ata duhet të çlirohen. Nuk ka komb më paqësor se shqiptarët”, - është shprehur Berisha.

Qeveria e re do të bëhet publike brenda kësaj jave

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se do ta bëjë publike qeverinë e re brenda kësaj jave. Ai gjithashtu sqaroi se nuk do të ketë shkurtim ministrish apo ndryshim të strukturës së qeverisë së re. “Nuk kam arsye që të ndryshoj strukturën e qeverisë së re. Nuk e konsideroj oportune që për shkak të koalicionit unë të ndryshoj modelin e këtij Këshilli Ministrash si përbërje kabinetesh. Ministritë do të jenë po këto që janë aktualisht. Ndërsa përsa u përket ministrave, absolutisht as unë nuk e di se cilët do të jenë. Di vetëm që kam mbledhjen e fundit të qeverisë pasnesër. Pastaj do të mblidhet kabineti i ri. Para datës 7. Sepse duhet të propozohet kryeministri. Para datës 7 do të bëhen të ditur emrat e 14 ministrave, zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit”,- është shprehur kryeministri aktual Berisha gjatë konferencës së djeshme për shtyp.

Raketat e SHBA-veë

Kreu i qeverisë bëri të ditur dje se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga SHBA-të për vendosjen e raketave në Shqipëri, por se Shqipëria është e hapur për çdo bashkëpunim me SHBA-të në fushën e sigurisë. “Nuk ka pasur as edhe një kërkesë të vetme nga Uashingtoni për një vendosje të tillë. Ka një deklaratë konstante të kryeministrit shqiptar se Shqipëria është e vendosur për bashkëpunimin më të mirë të mundshëm me SHBA-të në fushën e sigurisë. Ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare”, - është shprehur Berisha.

Drejtimi i Kuvendit

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se nuk do të pranojë ta drejtojë seancën e parë të Kuvendit, pavarësisht se kjo i takon në bazë të Rregullores së Kuvendit. Ai u shpreh se nuk do ta pranojë këtë privilegj për shkak se nuk do të krijojë idenë se ai po shkel parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. “Privilegji më takon, kjo është e vërteta, por privilegjin nuk do ta shfrytëzoj sepse pengon një parim themelor të Kushtetutës, ai i ndarjes së pushteteve, dhe nuk dua të krijoj përshtypjen më të vogël të mosrespektimit të këtij parimi themelor kushtetues dhe të demokracisë”, - është shprehur kreu i qeverisë.

Kuvendi Kombëtar i PD-së

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet pas krijimit të qeverisë së re. Këtë e bëri të ditur dje kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai u shpreh se PD-ja është parti qeverisëse dhe si e tillë nuk mund t’i vendosë problemet e saj të brendshme para zgjidhjes së problemeve të kombit. “PD-ja është parti qeverisëse, si e tillë nuk mundet t’i vendosë problemet e brendshme të saj para problemeve të kombit. Pasi të finalizojë tërësisht problemin e vendosjes së qeverisë dhe në të gjitha nivelet e koalicionit, sigurisht që do të merret me zgjedhjet e saj, siç i ka përcaktuar Statuti”, - është shprehur Berisha.

Qëndrimi i Presidentit Topi

Kryeministri Berisha u pyet dje për heshtjen e presidentit Topi ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk mund të hamendësojë përse presidenti zgjodhi të heshtë për zgjedhjet, por ai theksoi se zgjedhjet nuk u zhvilluan për presidentin, por për qeverinë dhe kryeministrin. “Zgjedhjet nuk kanë qenë për presidentin, kanë qenë për Parlamentin dhe kryeministrin. Ai nuk është prononcuar, nuk mund të bëjë ndonjë koment apo hamendje të veçantë”, - është shprehur kryeministri Berisha. Presidenti Bamir Topi nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për zgjedhjet pas shpalljes së rezultatit final nga KQZ-ja.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›