E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koalicioni qeverisës PD-LSI, i suksesshëm edhe në zgjedhjet e 2013-s

Marrëveshja për bashkëqeverisjen pritet të nënshkruhet brenda javës. Kreu i LSI-së: “Do të garantojmë një qeveri të qëndrueshme për katër vitet e ardhshme”

Shaban Sulçe

Marrëveshja midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për krijimin e qeverisë së re pritet të nënshkruhet dhe të bëhet publike brenda kësaj jave. Një gjë e tillë u deklarua nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se PD-ja dhe LSI-ja janë në prag të konkludimit të marrëveshjes, e cila, sipas tij, do të garantojë një qeverisje të qëndrueshme për katër vitet e ardhshme. Madje Meta tha se nuk do të jetë çudi që suksesi i këtij koalicioni qeverisës të vijojë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Në këtë mënyrë, Meta ka hedhur poshtë edhe angazhimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Marrëveshja

Kreu i LSI-së përsëriti se marrëveshja me PD-në do të jetë parimore dhe mbi bazën e programeve. Meta tha se tashmë LSI-ja ka gati programin mbi të cilin do të negociojë me Partinë Demokratike. Ai theksoi se LSI-ja, me anë të një grupi të posaçëm, ka tërhequr mendimet e përfaqësuesve të ndryshëm dhe të ekspertëve të shoqërisë civile për programin qeverisës. “Ne do të arrijmë pikërisht atë marrëveshje që i duhet vendit, atë marrëveshje që i duhet shqiptarëve, pavarësisht preferencave partiake të 28 qershorit, për të siguruar një qeverisje të qëndrueshme, një qeverisje efikase, një qeverisje të përgjegjshme, një qeverisje transparente dhe në mënyrë të veçantë një qeverisje vërtet sociale, duke pasur këtu në konsideratë dhe vetë profilin e LSI-së si një forcë e majtë, si një forcë progresiste. Unë dua të shpreh besimin tim të plotë, vullnetin e LSI-së për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme dhe një qeverisje shumë përfaqësuese, e cila do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe shqiptarët, gjatë këtyre 4 viteve, të fitojnë betejat e rëndësishme që kemi përpara, që kanë të bëjnë me standardet europiane që duhet të arrijmë në të gjitha fushat, por, në fund të fundit, dhe një jetë më të mirë për shqiptarët, sidomos një sukses në luftën kundër varfërisë, që është një nga problemet më të mëdha për çdo shqiptar anembanë vendit”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Qeverisja
Meta garantoi se qeverisja dhe koalicioni jo vetëm që do të jenë të qëndrueshëm në katër vitet e ardhshme, por do të jetë dhe i suksesshëm. Sipas Metës, nuk do të jetë çudi që një koalicion i tillë të përsëritet me shumë sukses edhe në zgjedhjet e vitit 2013. “Kur flas për një qeverisje të qëndrueshme kam parasysh një qeverisje dhe një koalicion që funksionon në radhë të parë në bazë të një programi të përbashkët politik dhe qeverisës dhe, së dyti, kam parasysh që kjo maxhorancë do të konfirmohet shumë herë dhe më e fuqishme sesa rezultati i zgjedhjeve problematike të 28 qershorit, si rezultat i vetë Kodit problematik dhe diskriminues që, për fat të keq, u ideua dhe u ndërtua nga vetë kryetari në detyrë i PS-së, z. Rama. Njëkohësisht që ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi të përsëritet me shumë sukses dhe në 2013-n”, - vijoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Pjesëmarrja

I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë i pranishëm në kabinetin qeveritar, Meta tha se një gjë e tillë ende nuk është përcaktuar. “Nuk mund t’ju them dot asgjë, sepse çdo gjë mbetet e hapur deri në konkludimin final. Për mua nuk ka rëndësi aspak se ku do të jem unë. Për Ilir Metën ka rëndësi suksesi i kësaj maxhorance të re, që është një risi në jetën politike shqiptare, që është produkt i një maturie në rritje të klasës politike në vend, që është një përgjigje e përgjegjshme për rezultatin e zgjedhjeve të dalë nga ai Kod Elektoral, ndërsa për çështje të tjera unë jam i hapur për çdo zgjidhje që i shërben realizimit të prioriteteve të LSI-së në axhendën e maxhorancës së ardhshme”, - theksoi Meta. I pyetur nga gazetarët nëse ishte takuar gjatë këtyre ditëve me Berishën, Meta pranoi se është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin për të marrë përsipër përgjegjësitë që u takojnë për fatet e vendit. Meta akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se për hir të karrierës së tij individuale po mban peng Partinë Socialiste dhe po bëhet pengesë për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë.

Meta: “Rama është politikë e vjetër, të mos bëjë diversione me LSI-në”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka quajtur shprehje të politikës së vjetër dhe bizantine deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili tha gjatë Kongresit se do të bashkëpunonte me LSI-në që përfaqësohej nga anëtarët e Kryesisë që janë kundër Metës për çështjen e bashkëqeverisjes. Meta tha se tashmë ishte mësuar me këto diversione që bëhen nga kreu i PS-së, Edi Rama. “Po unë, me shpalljen e LSI-së që bën zoti Rama jam mësuar, se e ka shpallur LSI-në e atij Sanxhakut në Lushnjë, ka shpallur dhe disa LSI të tjera nëpër Shqipëri. Mirëpo ato nuk e ndihmuan që të arrinte ato qëllimet e tij, dhe nuk e ndihmojnë dot, sepse diversioni nuk është diçka e re në Shqipëri, në politikën shqiptare nuk jep efekte afatgjata, aq më tepër diversantët. Politika bëhet e hapur, bëhet në mënyrë transparente, bëhet në mënyrë të ndershme”, - tha Meta.
Lidhur me zërat kundër të 5 anëtarëve të Kryesisë, kreu i LSI-së tha: ”Nuk e di se kush është penguar nga anëtarët e LSI-së që të shprehë mendimet e veta në mënyrë të hapur, civile dhe demokratike. Që nga Kryesia, Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së, e deri te Konventa ku dhe ju vetë si gazetarë ishit pjesëmarrës. LSI-ja është partia më e hapur dhe më demokratike në Shqipëri. LSI-ja dhe kryetari i saj nuk kanë frikë nga debati dhe nga komentet. Unë i kam dëgjuar që të gjithë me qetësi dhe do të vazhdoj që t’i dëgjoj, sepse kjo është detyra ime. Jam sjell me fisnikëri me të gjithë dhe do të vazhdoj që të sillem dhe në të ardhmen, sepse ky është karakteri im edhe njerëzor. Unë sot kam nisur dhe procesin e diskutimeve me kolegë dhe me anëtarë të Kryesisë dhe do ta vazhdoj dhe në ditët që vijnë për të konkluduar atë vendim unanim që mori Konventa Kombëtare e LSI-së, vetëm me dy vota mospajtuese, se as kundër tamam nuk ishin. Kushdo që ka një mendim më të mirë është i mirëpritur që të vijë në mënyrë individuale apo dhe në grup. Jo vetëm kaq, po unë jam aq transparent sa do t’ju ftoja dhe ju në rast se ata e kanë të domosdoshme që të ketë dhe media në një takim me kryetarin e LSI-së”.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›