E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi dhe Malaj: Duhet të futemi në Kuvend

Një ditë para kryesisë, Blushi dhe Malaj bëjnë thirrje për pjesëmarrje në Kuvend


TIRANË - Ben Blushi dhe Arben Malaj janë kundër bojkotit në Kuvend. Një ditë para mbledhjes së kryesisë së PS-së, ku pritet të merret një vendim për këtë çështje, Blushi dhe Malaj kanë reaguar publikisht duke argumentuar arsyet se pse nuk duhet bojkotuar Kuvendi.


"U kërkoj të gjithë deputetëve të PS-së të jenë të arsyeshëm, mos të marrin vendime nën imponim, për interesa personale të Edi Ramës, por të gjykojë se luhet për fatet e PS-së që është votuar në 28 qershor për të shkuar në institucione dhe jo për të dale në rrugë.


Duke u nisur dhe nga deklaratat e Oli Rehnit, duhet pritur raporti i OSBE/ODIHR-it për të marrë vendim në raport me institucionin e Kuvendit",- tha Blushi. Të njëjtën kërkesë ka bërë dje edhe deputeti tjetër i PS-së, Arben Malaj. Në një deklaratë për mediat, Malaj thekson ndër të tjera se PS-ja si forca më e madhe politike në vend, duhet të realizoje disa objektiva.


"Të evidentojë, të denoncojë dhe të veprojë në rrugë institucionale për të ndalur keqqeverisjen e vendit. Partia Socialiste mund ta arrijë këtë objektiv nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në debatin parlamentar, nëpërmjet forcimit të kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese dhe nëpërmjet sensibilizimit dhe solidaritet në rritje me opinionin publik shqiptar",- tha Malaj.


Ai shton se Partia Socialiste, në misionin e saj edhe në opozitë duhet të jetë aktive dhe efektive për të nxitur reformat, që e përshpejtojnë procesin dhe rrisin cilësinë e integrimit të vendit. "Partia Socialiste duhet të rrisë efikasitetin parlamentar ndaj qeverisë, që shqiptarët sa më parë të mund të lëvizin lirisht, siç e fituan këtë të drejtë serbët, maqedonasit dhe malazezët.


Partia Socialiste duhet të rrisë efikasitetin e saj politik dhe parlamentar për të përshpejtuar integrimin e vendit, që Shqipëria të bëhet sa më parë vend kandidat i BE-së, duke përfituar më shumë dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga politikat dhe fondet e BE-së",- shprehet Malaj, duke shtuar se bojkotimi Parlamentit nga grupi parlamentar i PS-së, ka efekte negative në të sotmen dhe në të ardhmen politike të Partisë Socialiste.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›