E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi dhe Malaj, takim në Tiranë: Bojkoti, rrugë frikacakësh

 

Aristir Lumezi

Lëvizja për Modernizimin e PS-së startoi dje në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Në prani të qindra mbështetësve, anëtarë kryesie, deputetë, ish-deputetë por dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare e delegatë të Kongresit, dhanë dje alarmin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet sot PS pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Shumë të rinj të pranishëm në sallën e mbushur plot, mbështetën bashkëbisedimin, i cili prekte çështjet e bojkotit të parlamentit nga grupi parlamentar socialist, rikandidimin i Edi Ramës dhe mosnjohjen e humbjes prej tij, por dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve statutore. I pranishëm në takim ishte dhe ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani. Takimi i djeshëm do të pasohet dhe nga takime të tjera bashkëbiseduese me socialistët në qendrat më të mëdha të vendit.
Blushi
Anëtari tjetër i kryesisë Ben Blushi, në një fjalë koncize tha se Partia Socialiste duhet t’i thotë jo bojkotit. “Ne jemi mbledhur këtu për ta mundur Sali Berishën dhe jo Partinë Socialiste. Ne jemi mbledhur sot t’i themi të gjithë socialistëve se kjo rrugë nuk na çon në fitore. Do ta bëjmë këtë për sa kohë që besojmë se ka arsye për t’u përpjekur në ndryshimin e Partisë Socialiste. Ne sot duhet t’i themi të gjithëve se Partia Socialiste nuk ka arsye të trembet, por për ta provuar këtë, ajo duhet t’i kthehet betejës politike. Partia Socialiste duhet t’i thotë jo bojkotit, duhet të ndryshojë duke u bashkuar rreth një kauze dhe rreth një programi që e dallon nga të tjerët”, tha Blushi. Sipas tij, PS po lë frontin politik, duke i bërë një shërbesë vetëm qeverisë. “Çuditërisht ne po detyrohemi ta lemë frontin duke ikur nga Parlamenti dhe duke e braktisur detyrën për të cilën jemi votuar. Kjo rrugë nuk është e logjikshme, nuk është e arsyeshme, nuk është bindëse dhe për më tepër është një rrugë frikacakësh. Nuk ka shërbim më të mirë që Partia Socialiste mund t’i bënte Sali Berishës dhe të djathtës, veçse duke mos luftuar”, u shpreh Blushi. Anëtari i kryesisë socialiste tha se vendi i opozitës është në Parlament për t’i treguar qeverisë se cila është. “Disa ditë më vonë qeveria do vijë në parlament dhe aty prapë nuk do ketë opozitë, nuk do ketë opozitarë, të cilët duhet të thonë se kjo qeveri nuk ka asnjë shans të bëjë reforma, nuk ka mundësi dhe aftësi të ulë papunësinë dhe varfërinë, të reformojë arsimin dhe shëndetësinë, të legalizojë, të pronësojë, të ndryshojë dhe të integrojë vendin. Kush do t’ia thotë Sali Berishës se korrupsioni fillon dhe mbaron tek dyert e shtëpisë së tij? Kush do t’i thotë Sali Berishës se qeveria e tij duket sikur ka dalë nga zyrat e Prokurorisë?”, u shpreh Blushi.
Malaj
Ndërsa anëtari tjetër i kryesisë socialiste, Arben Malaj, tha dje se “ky nuk është thjesht një takim, ky është një fillim, një fillim që do të synojë mbështetjen e socialistëve dhe opinionit publik me takime të drejtpërdrejta kudo. Kjo është sfida jonë e përbashkët në shërbim të një misioni fisnik: Të modernizojmë Partinë Socialiste, jo si qëllim në vetvete, por si detyrim për të modernizuar vendin tonë”. Anëtari i kryesisë socialiste shpjegoi filozofinë e kësaj lëvizjeje. “Ne ndjejmë detyrim dhe përgjegjësi politike të diskutojmë hapur me strukturat e Partisë Socialiste, të diskutojmë drejtpërdrejtë me to dhe me publikun për këtë situatë të vështirë. Ne nuk jemi këtu thjesht për një mendim ndryshe, ne nuk synojmë zëvendësimin e Ramës me një model po Rama, jemi përballë jush për një vizion ndryshe, për një strategji ndryshe, se si sa më parë të mund të bëhemi të suksesshëm politikisht”, tha Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›