E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallra ndërtimi false,pranga 4 biznesmenëve

 

TIRANE - Grupi i Operacioneve Speciale dhe Antikrimi Ekonomik, pas 11 muajsh hetime, kanë arrestuar 4 tregtarë që prodhonin materiale ndërtimi, duke i tregtuar me logo të falsifikuara firmash që operojnë në Tiranë. Dëmi i konsiderueshëm në mijëra euro që u është shkaktuar subjekteve tregtare, por edhe shtetit, ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës, që ka angazhuar specialistët përkatës për të zbuluar veprimtarinë e kundërligjshme. Operacioni i koduar "Stuko", ka arrestuar tregtarët Avni Bajraktari, 45 vjeç, Arjan Kona, 38 vjeç, Agron Ramlli, 46 vjeç dhe Aurel Çezma, 34 vjeç. Aksioni i Vëzhgimit Operacional, Forcave të Posaçme dhe Antikrimit Ekonomik, u realizua njëkohësisht në katër zona të kryeqytetit, tek "Rruga Ura", Kamëz, rruga e Barrikadave dhe ish-uzina Dinamo. Burime nga policia thanë se baza ku prodhoheshin materialet e ndërtimit, si kollë dhe fino, ishin disa magazina të vjetra të ish-uzinës Dinamo, ndërsa falsifikimi i logove të subjekteve tregtare "Intonaco Fino", "Italcol", "Superkoll", "Alea Mix", etj., bëhej në shtypshkronjën "Miq dhe Paqe". Arrestimi i katër tregtarëve ka ardhur pas dyshimeve se ata kishin konsumuar veprat penale të "Prodhimit të kundërligjshëm të artikujve industrialë dhe ushqimorë", "Mashtrim" dhe "Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve". Pas hetimeve që policia ka nisur që në muajin tetor të vitit 2008, ka rezultuar se produktet e falsifikuara, janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhe 2-vjeçare. Burime nga Policia e Tiranës thanë se tregtarët Avni Bajraktari, Arjan Kona, Agron Ramlli dhe Aurel Çezma, u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve të falsifikuara. Në vendin e prodhimit të materialeve të ndërtimit policia sekuestroi 5000 thasë me produkte kollë dhe fino me emërtime tregtare "Intonaco Fino", "Italcol", "Superkoll", "Alea Mix" etj. Thasët u gjetën në magazinat e ish-uzinës Dinamo, ndërkohë në shtypshkronjën "Miq dhe Paqe", u sekuestruan lastrat për stampimin e mbishkrimeve tek ambalazhet e produkteve të ndërtimit kollë dhe fino me emërtimet e lartpërmendura. Gjithashtu, u sekuestruan edhe 250 thasë me mbishkrime false gati për t'u mbushur me material, si dhe fletë të printuara në format A1 për t'iu bashkëngjitur produkteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›