E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët: Dëshmia e Yasin Kadi e përkthyer keq në gjyq

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me dëshminë e sheikut arab Yasin Kadi, dëshmi në favor të administratorit të tij në Shqipëri, Hamzeh Abu Rayan. Në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të këtij të fundit, u lexua dëshmia e dhënë nga sheiku Kadi që nga Çadi, me anë të letër-porosive. Ishte një vendim gjykate i disa seancave ma parë, ai që vendosi se dëshmia e Kadisë, i cili nuk ka lëvizur nga Mbretëria e Arabisë Saudite që prej vitit 2001, kur u listua nga Kombet e Bashkuara si një nga personat që financonte terrorizmin. Përgjigjet e 25 pyetjeve u depozituan në tre gjuhë në gjykatë, në atë shqipe, arabe dhe angleze. Por ndërsa përkthimi i materialit ishte mundësuar nga një përkthyes i licencuar i Ministrisë së Drejtësisë, avokatët e Abu Rayan pretenduan se përkthimi ishte i njëanshëm. Për këtë në seancën e radhës ata do të paraqesin kundërshtitë e tyre, çka e bënë të ditur që në seancën e djeshme. Në dëshminë e tij, sheiku saudit shfajësonte nga akuzat e ngritura nga prokuroria shqiptare për administratorin e tij në Tiranë. "Unë e përsëris edhe njëherë se për sa unë jam në dijeni, Hamzah Abu Rayan nuk ka fshehur ose keqpërdorur asnjë fond të tillë ose shuma për të cilat ai në mënyrë të pajustifikuar akuzohet nga prokuroria", thuhej në një nga përgjigjet e tij. Abu Rayan akuzohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për "Fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masat e financimit të terrorizmit". Sipas akuzës, ai ka vjelë qira të objekteve që ishin bllokuar më parë nga Ministria e Financave.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›