E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e Haklajt, mbyllet gjyqi

 

Armand Bajrami

Vajza e mitur e Fatmir Haklajt, personazh i cilësuar si "i forti" i Tropojës, i vrarë në nëntorin e viti 1999 në një atentat mafioz, do të qëndrojë në Suedi me gjyshërit e saj. Gjykata e Tiranës pushoi dje çështjen gjyqësore të nisur nga e veja e Fatmir Haklajt, Anila Haklaj në lidhje me kujdestarinë e vajzës së saj 10-vjeçare. Sipas vendimit të djeshëm të togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit, gjykimi që do të caktojë nëse vajza e Fatmir Haklajt do të qëndrojë me gjyshërit apo nënën e saj është ndërprerë, duke e lënë kështu të miturën "në duart" e gjyshërve të saj. Në këtë mënyrë, e mitura do të vazhdojë të qëndrojë në vendin nordik, ku ajo dhe dy gjyshërit e saj zotërojnë statusin e azilantëve politikë.
Pushimi i çështjes ka ardhur pas tërheqjes së Anila Haklajt, e cila ishte pala kërkuese në proces. Vendimi që ndaloi kthimin e vajzës së vogël të familjes së Haklajve në Shqipëri u shpall dhe rreth orës 11:46 të ditës së djeshme. "Gjykata vendosi pushimin e gjykimit të çështjes civile nr.2075", thuhej në vendimin e djeshëm të kryesueses së seancës, gjyq-tares Rezarta Balliu. E djeshmja ishte e gjashtëmbëdhjeta seancë e këtij shqyrtimi gjyqësor. Padia që nisi këtë shqyrtim gjyqësor u depozitua në Gjykatën e Tiranës në 16 shtator të vitit të kaluar. Si palë paditëse, në aktpadinë e dërguar në gjykatë, ishte Anila Haklaj, ndërsa palë e paditur Fatime dhe Muharrem Haklajt, dy prindërit e ish-bashkëshortit të saj. Ndërsa objekti i padisë ishte "Kthimi i fëmijës së mitur Fatmira Haklaj me ditëlindje 9 nëntor 1999".
E vogla e familjes së Fatmir Haklajt erdhi në jetë pesë ditë pasi babai i saj kishte mbetur i vrarë në një pritë në Bujan të Tropojës. Ndërsa nuk mundi të shihte babain e saj, ajo mori emrin Fatmira dhe për të u përkujdesën gjyshërit, Fatime dhe Muharrem Haklaj, pasi e ëma shkoi tek familja e saj pas vdekjes së bashkëshortit. Por, nëse në vitet e para të jetës së foshnjës, Anilae kishte takuar, kohët e fundit kishte humbur kontaktet me të. Vetëm pasi mori vesh se vajza e saj ishte në Suedi me dy gjyshërit, ku kishin fituar statusin e azilantëve politikë, dhe duke pretenduar se ia kishin marrë fëmijën pa e pyetur ajo i paditi ata në gjykatë. Rreth dy vjet më parë, plot 15 anëtarë të familjes së Haklajve përfituan statusin e azilantëve politikë në Suedi, pasi drejtësia e këtij vendi u bind se në rast kthimi në Shqipëri atyre u rrezikohej jeta.

Hamdi Haklaj mori azil politik
Vëllai i madh i Hakljave, Hamdiu, i vetmi i mbetur gjallë ka marrë azil politik pak vite më parë në Suedi. Ai u arrestua fillimisht nga Interpoli, por avokatët e tij arritën të bindin gjykatën vendëse se në rast transferimi në Shqipëri, Haklajt nuk i garantohej një proces i rregullt ligjor. Për këtë shkak gjykata në Suedi vendosi kundër transferimit të Hamdi Haklajt në Tiranë, duke miratuar njëkohësisht edhe azilin politik ndaj tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›