Kapen 145 kilogramë hashash në Itali, arrestohen dy shqiptarë
Një operacion i Guardia di Financa, 20 kilometra larg Leçes në Itali, ka zbuluar në një pyll me pisha 145 kilogramë bimë narkotike, të dyshuar kanabis sativa. Dhe menjëherë pas sekuestrimit të pakove me drogë, janë arrestuar edhe dy shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë qenë personat që kanë trafikuar bimën narkotike. Menjëherë sapo është njoftuar nga policia homologe, Drejtoria e Policisë së Shtetit ka bërë një deklaratë për shtyp ku ka dhënë detaje për arrestimin e dy shqiptarëve për posedim droge nga policia italiane në Leçe, ndërsa ka mohuar faktin se droga mund të jetë trafikuar nga Shqipëria. "Nga punonjësit e Guardia di Finanza Leçe në lokalitetin Torre del'Orso, Melendugno, 20 km larg Leçes, në kuadër të aktiviteteve represive në fushën e lëndëve narkotike, është sekuestruar rreth 145 kilogram marijuanë. Kjo sasi e lëndës narkotike është gjetur e fshehur në një pyll me pisha. Gjatë operacionit janë arrestuar dhe dy shqiptarë, përkatësisht, Fiodor Mezuraj dhe Arjon Zholi, të cilët akuzohen për mbajtje dhe trafik lëndësh narkotike". Ky ka qenë njoftimi që ka marrë zyrtarisht Policia e Shtetit nga autoritetet italiane. Si rrjedhim i kësaj në deklaratën e Policisë së Shtetit thuhet se, as gjatë komunikimit zyrtar me autoritet policore të Guardia di Finanza, Leçe dhe as në njoftimin për shtyp të bërë publik prej tyre nuk është konfirmuar fakti që sasia e lëndës narkotike të jetë trafikuar me gomone nga Shqipëria. Gjithashtu, autoritetet italiane nuk kanë sekuestruar ndonjë mjet lundrimi që mund të kishte shërbyer për trafikimin e lëndës narkotike të sekuestruar. Policia ka deklaruar se edhe për ngjarjen e datës 21 gusht të këtij viti, ku janë kapur rreth 250 kilogramë marijuanë, nga autoritet italiane është konfirmuar zyrtarisht se gomonia e kapur në brigjet italiane është nisur në të njëjtën ditë nga Italia me destinacion bregun shqiptar, ku ka marrë sasinë e lëndës narkotike dhe është kapur në kthim për në Itali.